• e enjte, 19 mars 2026
MIA Flesh

9:00/ 19 mars/ 2026

Shkup - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria publike, sot në gjykatën në "Indrizovë" duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën "Pulls" në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 janë lënduar. Në seancën e kaluar para gjykatës janë marrë në pyetje dy dëshmitarë. Dëshmitarja Maja Timovska, udhëheqëse e Sektorit për parandalim, planifikim dhe zhvillim në Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim (DMSH), sqaroi se të gjithë pjesëmarrësit në sistemin për mbrojtje dhe shpëtim në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të detyruar të parashtrojnë katër dokumente: elaborat për mbrojtje dhe shpëtim, rregullore për mbrojtje nga zjarret, vlerësim të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore e tjera, si dhe plan për mbrojtje dhe shpëtim. Në pyetjen nëse menaxherët e diskotekës "Pulls" kanë pasur detyrim ta dorëzojnë dokumentacionin, Timovska u përgjigj pozitivisht.

Shkup - Në kuadër të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve sot do të mbahet debat rreth amendamenteve për Propozim- ligjin për Prokurorinë publike, në lexim të dytë. Për Propozim- ligjin për Prokurorinë publike janë dorëzuar 27 amendamente nga grupet parlamentare, ndërsa sipas paralajmërimeve do të ketë edhe amendamente të komisionit. Kryetari i Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, Lupço Prenxhov, dje në konferencë për shtyp informoi se 13 amendamente janë paraqitur nga BDI, 10 nga LSDM dhe 4 nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Prenxhov theksoi se me Propozim- ligjin për Prokurorinë publike jemi një hap më afër arritjes së agjendës reformuese dhe Bashkimit Evropian.

Shkup - Kuvendi sot do të mbajë seancën e 94-të, ku në rend dite janë tre pika - Propozimi për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozimi për Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, në procedurë të shkurtuar dhe Propozimi për Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e Projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (segmenti rrugor: Tetovë - Gostivar - Bukojçan dhe Projekti i autostradës Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (segmenti i autostradës Prilep - Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut në procedurë të shkurtuar.  Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime ka përcaktuar propozim- listë prej dy kandidatësh për zgjedhje të anëtarit të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilin e zgjedh Kuvendi - Sejfula Osmani, doktor i shkencave juridike nga Gradeci, Vrapçisht dhe Arbër Isaku, jurist i diplomuar nga Tetova. Propozim- ligji për ndryshimet në Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor duhet të mundësojë rritjen e pensioneve në përputhje me politikat e planifikuara të Qeverisë në procedurë të shkurtuar.

Shkup - Sot në Kuvend do të mblidhen katër komisione - Komisioni për zgjedhje dhe emërime, Komisioni për politikë sociale, demografi dhe rini, Komisioni ligjvënës- juridik dhe Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor. Para anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërime duhet të zhvillohen intervista me kandidatët e paraqitur pas Vendimit për publikimin e një njoftimi publik për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nr. 45/2026). Në shpalljen për anëtar të ri të KSHPK-së janë paraqitur katër kandidatë - Borçe Stojanovski, ekonomist i diplomuar nga Shkupi, Milka Muratovska, juriste e diplomuar dhe magjistre e shkencave për antikorrupsion nga Strumica, Vlladimir Klekovski, avokat i diplomuar nga Shkupi, Marija Katralova Kitanov, ekonomiste e diplomuar nga Kavadari dhe Antonija Andonova Tasevska, avokate e diplomuar nga Gjevgjelia. Në rendi dite të Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini është Propozim- ligji për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor, në procedurë të shkurtuar.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në pjesët perëndimore me të reshura të dobëta të shiut, ndërsa në male dhe në disa vende më të larta, të borës. Do të fryjë erë mesatare, në disa vende e përforcuar nga drejtimi verilindor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -2 deri 4, ndërsa ajo maksimale prej 8 deri 15 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me periudha të diellit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verilindor. Temperatura minimale do të ulet deri 2, ndërsa ajo maksimale do të arirjë deri 13 gradë. Sipas DPHM-së, gjatë ditëve të ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm me erë të dobët deri mesatare veriore. Temperaturat e mëngjesit në disa vende do të ulen nën zero gradë Celsius.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore në mëngjes po zhvillohet pa probleme, në rrugë kryesisht të lagështa. Reshje të lehta të borës dhe shiut janë regjistruar në qafat malore të Bukovës, Gjavatës, Pletvarit, Presekës dhe Krushevës. Siç informon Ndërmarrja Publike "Rrugët e Maqedonisë", të gjitha rrugët në gjithë vendin janë të kalueshme, ndërsa në pjesë të caktuara që kalojnë nëpër prerje dhe gryka, janë të mundshme rrëshqitje të vogla të dheut, prandaj apelohet për vëmendje të shtuar gjatë vozitjes. NP "Rrugët e Maqedonisë" u bën thirrje shoferëve ta përshtatin shpejtësinë e tyre me kushtet e rrugës dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur në komunikacion. Ekipet e kujdestarisë së ndërmarrjes janë vazhdimisht në terren dhe punojnë në mirëmbajtjen e gjitha rrugëve me qëllim të sigurohet kalueshmëri e plotë.

Shkup - Policia e ka gjetur shoferin i cili më 16 mars me automjetin e tij ka goditur një 11-vjeçare të mitur në rrugën "Vasil Gjorgjov" në Shkup dhe pastaj ishte larguar nga vendi i aksidentit. Bëhet fjalë për S.B. nga Shkupi, informon Ministria e Punëve të Brendshme. Nga MPB-ja njoftuan se pas aksidentit, në orën 16:10, nga Qendra Urgjente pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup u njoftua se tek ata ishte sjellë me lëndime të rënda trupore një e mitur 11-vjeçare nga Shkupi. Sipas njoftimit, rreth orës 13:20 në kryqëzimin e rr. “Vasil Gjorgov” me rrugën shërbyese që lidhet me rr. “ Fronti Popullor” në Shkup, një automjet udhëtarësh e kishte goditur atë dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka ndërmarrë masa për gjetjen e shoferit, pas çka S.B. ishte kapur dhe identfikuar. 

Paris - Presidenti francez, Emanuel Makron ka bërë thirrje për ndërprerje të sulmeve ndaj kapaciteteve të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme, pas bisedave me presidentin amerikan Donald Tramp dhe emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Tani, për luftën në Iran. "Interes i ynë i përbashkët është që pa anulim të zbatohet moratoriumi i sulmeve ndaj infrastrukturës civile, posaçërisht ndaj objekteve për furnizimin me energji dhe ujë", publikoi Makron në "X". "Popullata civile dhe nevojat e saj themelore, si dhe furnizimi me energji, duhet të mbrohen nga eskalimi i luftës", shtoi ai. Makron tha se ka biseduar me Al Tanin dhe Trampin "pas sulmeve ndaj kapaciteteve për prodhimin e gazit në Iran dhe Katar" të mërkurën.

Bejrut - Një anije është goditur nga një projektil derisa ka lundruar në Gjirin e Omanit, në jug të Ngushticës së Hormuzit, kumtoi mbrëmë organizata britanike për operacione tregtare detare (UKMTO). Anija u qëllua kur ka qenë rreth 11 milje detare (20 kilometra) në lindje nga Kor Fakan në Emiratet e Bashkuara Arabe, në afërsi të hyrjes jugore të Ngushticës së Hurmuzit, njofton Agjencia. Goditja ka shkaktuar zjarr në anije, thuhet në kumtesë. Deri tani nuk ka më shumë hollësira për incidentin, njofton DPA.

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp, deklaroi se SHBA-ja mund ta shkatërrojë fushën iraniane të gazit Parsi Jugor nëse Irani përsëri i sulmon stacionet e Katarit për gaz të lëngshëm natyror (LNG). Trampi në rrjetin social Trut Soushëll theksoi se Izraeli paraprakisht ka sulmuar një pjesë të fushës së madhe të gazit Parsi Jugor në Iran, duke shtuar se SHBA-ja nuk ishte e njoftuar për atë sulm konkret dhe se Katari nuk ka pasur kurrfarë roli në të.  Sipas tij, Irani pastaj në mënyrë “të pajustifikuar dhe të padrejtë" ka sulmuar një pjesë të stacionit të Katarit për LNG, sepse nuk ishte i njoftuar me rrethanat e sulmit mbi Parsin Jugor. 

Bejrut - Qendra e operacioneve tregtare detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) herët sot në mëngjes se ka marrë një raport për një anije të goditur në afërsi të Ras Lafan, kompleksit kryesor të gazit natyror të lëngshëm të Katarit. Deri te Shërbimi informativ detar, i cili është nën juridiksionin e Marinës Mbretërore bitanike mbërriti  një raport për një anije "të goditur nga një projektili panjohur" rreth katër milje detare (7,5 kilometra) në lindje të Ras Lafan. "Të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë", theksohet në kumtesën e Shërbimit pa dhënë detaje të mëtejshme rreth incidentit.

Doha – Katari i shpalli atashetë ushtarakë dhe të sigurisë së ambasadës iraniane dhe personelin e tyre si persona të padëshiruar dhe i dëboi nga vendi, thuhet në kumtesën e publikuar mbrëmë.  Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit në kumtesën e publikuar në rrjetin social X thekson se përfaqësuesve iranianë u është dhënë afat prej 24 orëve që të largohen nga shteti i Gjirit.  “Ministria sqaroi se ky vendim vjen si përgjigje e qëllimeve të përsëritura iraniane dhe agresionit të dukshëm ndaj Shtetit Katar”, vazhdohet në kumtesë, duke e quajtur këtë shkelje të “sovranitetit dhe sigurisë së tij”, si dhe të rezolutave të KB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe “parimeve të fqinjësisë së mirë”. 

Abu Dabi – Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur kapacitetet e gazit në Abu Dabi pas një sulmi me raketa. “Autoritetet reagojnë ndaj incidenteve në kapacitetet e gazit Habshan dhe fushën Bab, të shkaktuar nga rënia e mbeturinave dhe hasjes së suksesshme të raketave”, kumtoi qeveria e Abu Dabit herët këtë mëngjes. “Kapacitet e gazit janë të mbyllura dhe nuk janë raportuar dëme”, theksohet në komunikatë, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën ose shkallën e dëmit. Është e paqartë për momentin se sa kohë kapacitetet do të qëndrojnë të mbyllura, transmeton DPA.

Uashington– Dronë të paidentifikuar u zbuluan mbi një bazë ushtarake në kryeqytetin amerikan, Uashington, ku jetojnë Sekretari shtetëror dhe Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Marko Rubio dhe Pit Hegset, publikoi gazeta amerikane "Uashington Post". Sipas artikullit, dronët mbi bazën "Fort Mekner" e detyruan ushtrinë lokale të diskutojë për mundësinë e evakuimit të Rubios dhe Hegset. Në fund, dy zyrtarët e lartë të administratës së presidentit amerikan, Donald Tramp, mbetën në shtëpitë e tyre, shpjegon gazeta. Uashington Post vëren se ushtria amerikane ka rritur mbikëqyrjen për kërcënime të mundshme për shkak të nivelit të lartë të gatishmërisë në kontekstin e fushatës ushtarake amerikano=izraelite kundër Iranit, e cila filloi më 28 shkurt.

Mynih - Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Hari Kejn i ndau pritjet e tij për ndeshjen çerekfinale të Ligës së kampionëve kundër Realit të Madridit. Në 1/8 e finales, bavarezët e kanë fituar Atalantën me rezultat të përgjithshëm 10:2. Sulmuesi anglez është shpallur lojtar i ndeshjes kthyese kundër ekipit italian (4:1), e cila dje u luajt në "Aleanc Arena" në Mynih. "Kundërshtari i ardhshëm është shumë i vështirë. Kur luani kundër Realit të Madridit në Ligën e kampionëve, çdoherë prisni ndeshje të vështirë. Do të jemi të gatshëm. Nuk frikohemi nga askush. E dimë se do të jetë vështirë. Duhet të vazhdojmë me punën e mirë falë besimit që e kemi fituar nga ndeshja kundër Atalantës dhe gjatë tërë sezonit", deklaroi Kejn për ueb faqen e Bajernit.

QËNDRONI TË LIDHUR