18:00/6 dhjetor/2024
Shkup - Në rreth njëmijë persona që punojnë me kontratë në vepër në klinika dhe në institucione shëndetësore publike do t'u duhet që marrëdhënia e punës t'u vlejë në afat të pacaktuar. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari pret që procedura të përfundojë deri në Vitin e Ri, sepse tashmë ka një qëndrim të harmonizuar në Qeveri për këtë çështje. "Për rreth një mijë persona të cilët janë në marrëdhënie pune në klinika dhe në institucione shëndetësore publike, disa prej më shumë se pesë apo dhjetë vitesh, kemi pajtueshmëri në Qeveri dhe është dërguar një kërkesë nga Ministria e Shëndetësisë në Ministrinë e Financave për të miratuar punësimet. Shpresoj që deri në fund të javës së ardhshme të marrim një përgjigje pozitive dhe t'u japim urdhër të gjitha institucioneve shëndetësore publike, personave me kontratë në vepër, përgjithësisht shoferëve, higjienistëve, infermierëve, motrave medicinale dhe laborantëve që të marrin një vendim. Shpresoj që i gjithë procesi të përfundojë para Vitit të Ri", deklaroi sot Taravari.
Shkup - Nuk mendoj për dorëheqje. Këshilli i prokurorëve publikë është në linjë të njëjtë me të gjitha institucionet tjera, të cilat angazhohen për luftë kundër korrupsionit dhe në asnjë moment nuk ka lejuar të përmendet në kontekst negativ, në asnjë nga raportet, si të huaja, ashtu edhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Punën tonë e kryejmë në pajtim me ligjin, të paanshëm, në mënyrë objektive dhe ashtu do të vazhdojmë. Unë nuk mund të komentoj deklarata të politikanëve, nuk do të doja. Këtë e theksoi sot kryetarja e Këshillit të prokurorve publikë, Dushica Dimitrieska pas seancës së Këshillit, si koment për paralajmërimet nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski për zbatimin e "aksionit të fuqishëm" në gjyqësi dhe prokurori.
Shkup - Koalicioni VLEN sot në konferencë për media i bëri thirrje Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që problemet e tyre familjare të mos i shpalosin si probleme shtetërore dhe të mos ngritin pluhur në opinionin publik rreth tensioneve ndëretnike. "BDI edhe kësaj radhe si çdo herë deri më tani dështoi për të ngritur tensione ndëretnike në vend. Ata për një javë rresht gënjyen opinionin duke fabrikuar lajme të rreme se gjoja djegia e veturave dhe lokalit në Kumanovë kanë prapavijë etnike. Kështu ata tentuan të hedhin vrer mbi koalicionin VLEN ku edhe inicuan interpelancë mes tjerëve edhe mbi zëvendësministrin Astrit Iseni", deklaroi Fatmir Sabriu nga VLEN.
Shkup - Gjykata Kushtetuese thotë se nuk do të komentojë qëndrimet e askujt lidhur me çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Seanca e Gjykatës ku do të diskutohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është caktuar për më 11 dhjetor. “Pas përfundimit të seancës do të mbahet konferencë e rregullt për media ku do të jepen përgjigje rreth të gjitha çështjeve”, kumtoi sot Gjykata Kushtetuese.
Shkup - Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq sot ka zhvilluar takim pune me një delegacion të Ambasadës së Republikës Çeke në Shkup, të kryesuar nga ambasadori, Jaroslav Ludva. Gjatë këtij takimi, i pari zyrtar mes dy bashkëbiseduesve, u shkëmbyen mendime dhe qëndrime për situatën aktuale politike dhe ekonomike në të dyja vendet, si dhe për mundësitë për thellimin, por edhe konfirmimin e marrëdhënieve të shkëlqyera diplomatike reciproke.
Shkup - Të presim të vijë 11 dhjetori, të shohim se si do të zhvillohet dhe evoluojë e gjithë kjo, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me ditën kur Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë debatin për kushtetutshmërinë e Ligjit për gjuhët. Sipas Mickoskit, bëhet fjalë për gjyqtarë kushtetues të zgjedhur nga shumica e udhëhequr nga LSDM dhe BDI të cilët tani nga BDI-ja po kritikohen.
Shkup - Ministria e Ekonomisë dhe Punës sot njofton se, në përputhje me Ligjin për Festat e Republikës së Maqedonisë ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë", nr. 21/98 dhe 18/07), me rastin e festës "Shën Klimenti i Ohrit", 8 dhjetor (e diel), respektivisht 9 dhjetori (e hënë), është ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se në SPIM do të ketë vrimë edhe gjashtë-shtatë vite, derisa nuk fillon pagesa më e fuqishme e pensioneve nga Fondi i dytë pensional. Megjithatë, siç vlerësoi sot, Fondi është stabil edhe pse transferet do të vazhdojnë të rriten. Në VMRO-DPMNE, tha Mickoski, ende ekzistojnë dy qëndrime lidhur me Fondin e dytë pensional, një për nacionalizimin e tij, ndërsa tjetri për funksionimin e tij siç është tani.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski kumtoi se në janar do të fillojë transferimi i mjeteve nga huaja hungareze për kompanitë. Ndonëse priste që kjo të ndodhë nga fillimi i javës së ardhshme, megjithatë duhet, siç tha, paraprakisht të kryhen dhe respektohen disa procedura ligjore. "Pres që në janar të fillojë transferimi i mjeteve, dje ka qenë një takim operacional në Ministrinë e Financave, janë definuar hapat, marrëveshja me njërën dhe palën tjetër. Ka procedura formale të cilat duhen ndjekur. Unë kam qenë më optimist, kam menduar se do të fillojë nga fillimi i javës së ardhshme, por ka disa procedura ligjore të cilat duhet patjetër të kalojmë. Tani jam edecid në mendimin se zbatimi i kredisë fillon në janar", theksoi Mickoski.
Shkup – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov sot në Herveg Novi gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore – fuqizimi i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm (KOMOKOSEE), në të cilin shteti ynë edhe zyrtarisht e mori nga Mali i Zi kryesimin me këtë trup, theksoi se ka pritje të mëdha nga bashkëpunimi rajonal, për të cilin beson se do të thellohet dhe do të intensifikohet vitin e ardhshëm. Shteti ynë do të kryesojë me këtë organ në periudhë prej një viti.
Shkup – Autobusët e transportit publik të hënën për shkak të festës shtetërore Shën Klimenti i Ohrit do të qarkullojnë sipas itinerarit të së dielës, njoftojnë nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik. “NQP SHKUP i njofton udhëtarët e saj se të hënën (09.12.2024), për shkak të festës shtetërore Shën Klimenti i Ohrit autobusët nga transporti publik do të qarkullojnë sipas itinerarit të së dielës. Teleferiku do të funksionojë si zakonisht, me orar të punës prej orës 10 deri në orën 18, me çka prej orës 17-17:30 është vozitja e fundit prej poshtë drejt majës, ndërsa në orën 17:45 është vozitja e fundit prej majës poshtë”, bëjnë të ditur në kumtesë.
Tetovë - Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti mori pjesë në eventin përmbyllës të programit “Përmirësimi i qëndrueshmërisë pas vërshimeve në rajonin e Pollogut”, që u organizua nga UNDP sot në Tetovë. Përmirësimi i infrastrukturës për mbrojtje nga vërshimet me rregullimin e shtratit të lumit në Bogovinë, ndërtimi dhe pastrimi i kanalizimeve në Tetovë dhe Gostivar, pastrimi dhe stabilizimi i shtratit të lumit Vardar në Gostivar dhe Jegunovcë, janë vetëm disa nga investimet e rëndësishme të projektit për përmirësimin e qëndrueshmërisë ndaj vërshimeve në Pollog.
Ohër - Interpelanca është e drejtë demokratike, e përcaktuar, e lejuar dhe e parashikuar me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore. Çdo deputet, grup parlamentar mund të iniciojë procedurë për interpelancë, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot në Ohër, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për interpelancën e parashtruar nga BDI-ja për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zëvendësin e tij Astrit Iseni dhe zëvendëskryeministrat, Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq. Ai përkujtoi edhe në interpelancën e parashtriuar për të, duke theksuar se debati është në kuadër të demokracisë dhe kështu duhet të jetë.
Ohër - Kontakti i drejtpërdrejtë me deputetin është një nga gjërat më të rëndësishme në demokracinë parlamentare, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi pas vizitës së sotme në zyrat për kontakt me qytetarët në Ohër, i shoqëruar nga deputetët e Ohrit, Sasho Donev, Lidija Petkoska dhe Gracija Bakraçeska. Deputeti i zgjedhur, sipas tij, është mirë të takohet me qytetarët, jo vetëm në cikle zgjedhore, por edhe gjatë mandatit. "Ky është kuptimi i ekzistencës së këtyre zyrave, që secilën të premte deputetët të mund të jenë në kontakt me qytetarët. Ne si Kuvend po përpiqemi të mos caktojmë seancë", thekasoi Gashi
Ohër – Tre pjesëtarë të sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi janë lënduar në një aksident komunikacioni në rrugën magjistrale Ohër – Kërçovë, në afërsi të fshatit Novo Sellë. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, por do të mbahen në spital. Rastin e konfirmoi spikeri Gashi, gjatë vizitës së sotme në zyrat e deputetëve për kontakt me qytetarët në Ohër duke theksuar se personat janë në gjendje të mirë shëndetësore, por sonte do të mbahen në spital.
Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do t'i bashkohet liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notër Dam. Presidentja Osmani dhe bashkëshorti Prindon Sadriu, siç njoftojnë nga Kabineti i saj, janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emanuel Makron. Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Elise, në një darkë të organizuar nga presidenti francez për krerët e shteteve, që do të marrin pjesë në ceremoni.
Bruksel – Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian sot nuk arritën ta miratojnë pakon e 15-të sanksioneve kundër Rusisë. Dy anëtare të BE-së e bllokuan miratimin e pakos për shkak të mospajtimeve rreth vazhdimit të afatit për tërheqjen e kompanive evropiane nga Rusia, deklaruan sot disa diplomatë anonimë. Vendet anëtare të BE-së më vonë përsëri do ta shqyrtojnë pakon e sanksioneve. Pakoja përfshin edhe sanksione kundër tankerëve të cilët transportojnë naftë ruse.
Minsk – Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Moska mund të shpërndajë raketa balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik” në Bjellorusi në gjysmën e dytë të vitit 2025, informuan agjencitë e huaja, duke cituar mediat shtetërore ruse. Putini u përgjigj në kërkesën e presidentit bjellorus Aleksandar Llukashenko gjatë samitit në Minsk. Ai tha se Bjellorusia do t’i përcaktojë caqet e raketave “Oreshnik” të shpërndara në vend.