• e enjte, 19 shkurt 2026
MIA Flesh

15:00/19 shkurt/2026

Shkup- Përdorimi i aeroplanit qeveritar lejon kryerjen funksionale të punëve shtetërore dhe është më i lirë se një fluturim komercial, vlerëson presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Sipas saj, do të ishte mirë të kishte një aeroplan më të ri, më të madh dhe më të sigurt, me të cilin më shumë njerëz nga delegacioni do mund të udhëtonin dhe të kthehen, ku mund të kishte edhe gazetarë që do të ndiqnin vizitën. 

Shkup- Lajm i rremë është pohimi i LSDM-së se familja e kryeministrit Hristijan Mickoski ka udhëtuar deri në Split të Kroacisë. Aeroplani zyrtar i vjetër 20 vjet është përdorur ekskluzivisht nga kryeministri Mickoski, pa shoqërim familjar, për nevoja të tij zyrtare dhe gjatë një periudhe dyvjeçare vetëm për 4 udhëtime në vendet fqinje, informojnë nga Qeveria.

Shkup- Kuvendi sot, në kuadër të seancës së 85-të, me procedurë të shkurtuar e ka miratuar Ligjin për ndryshimin e Ligjit për trajtimin e objekteve të ndërtuara pa leje, duke e zgjatur afatin për pesë vjet të tjera, përkatësisht deri në vitin 2031. Pesë vitet shtesë janë dhënë për të përfunduar procedurat për objektet e ndërtuara deri në vitin 2011 dhe formalisht ndryshimet nuk hapin derë të re për kërkesa të reja, por u referohen ekskluzivisht atyre qytetarëve që tashmë kanë paraqitur dokumentacion dhe kanë pritur zgjidhje me vite.

Bruksel- Me rëndësi thelbësore për eurointegrimin e shtetit, posaçërisht në kontekst të realitetit të ri gjeopolitik, është që të gjithë aktorët politik, posaçërisht Qeveria, të japin rezultate të prekshme në fushat kyçe, ndërsa në të njëjtën kohë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të përmbushin detyrimet e tyre, duke e mbështetur plotësisht vendin, përfshirë edhe përmes angazhimit aktiv diplomatik, për ta ndihmuar atë të bëjë përparim në përmbushjen e angazhimeve të veta, thotë raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, eurodeputeti Tomas Vajc në draft-raportin vjetor për përparimin e vendit, të cilin javën e ardhshme, më 26 shkurt, do ta prezantojë në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së (AFET).

Shkup- Presidentja Gordana Siljanovska Davkova lidhur me propozimet për ambasadorë, sot duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se është më mirë në plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve theksi të vendoset tek diplomatët e karrierës. "Ligji për punë të jashtme e konstaton procedurën, ajo fillon nga ministri i Punëve të Jashtme, përmes Qeverisë e më pas do të vijë tek unë. Konsideroj se është më mirë në plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve të fillojmë dhe theksin ta vendosim tek diplomatët e karrierës, dhe për momentin 67 për qind e të propozuarve janë njerëz të karrierës", tha Siljanovska Davkova në deklaratë për mediumet pas shënimit të Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare në Institutin për gjuhë maqedonase "Kërste Misirkov" - Shkup.

Shkup- Komisioni i Kuvendit për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor votoi për nevojën e miratimit të një projekt-ligji për ndryshimin e Ligjit për procedimin e objekteve të ndërtuara pa leje në procedurë të shkurtuar dhe e dërgoi për procedim të mëtejshëm. Risia në ligj është propozuar nga koalicioni qeveritar në kërkesë të Komunës së Manastirit, dhe më pas edhe nga Bordi i drejtorëve të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale – BNJVL, theksoi deputeti Bekim Qoku, kryetar i Komisionit për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor.

Shkup- Këshilli Gjyqësor, në vazhdimin e sotëm të seancës së 537-të, shqyrtoi disa parashtresa të paraqitura nga qytetarë dhe persona juridikë në lidhje me punën e gjykatësve dhe gjykatave. Njëkohësisht, në seancë u formua një komision për përgatitjen e një propozim-vendimi për përcaktimin e një norme orientuese të lëndëve për të gjitha gjykatat, i përbërë nga anëtarët Antoaneta Dimovska, Sadulla Izairi dhe Pavlina Cërvenkovska.

Shkup- Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë qëndrojnë fuqishëm pas bashkëpunimit të kompanive, shqyrtojnë mundësitë për intensifikimin e partneriteteve tregtare dhe për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizave, ndërsa sot, në kuadër të Biznes Forumit në Shkup, nënshkruan edhe një Memorandum mirëkuptimi. Siç u tha në Forum, ekziston një potencial i madh që duhet shfrytëzuar, ndërsa energjetika, TIK, industria e automjeteve, shëndetësia dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët ku mund të intensifikohet bashkëpunimi.

Koçan- Në Komunën e Koçanit sot zyrtarisht u promoviua nisma WiFi4WB (WiFi për Ballkanin Perëndimor) në Maqedoni të Veriut, me çka filloi vendossja e rrjeteve publike WiFI pa pagesë në 64 komuna në 69 lokacione në vend. Ceremonia u mbajt në Qendrën e kulturës "Agimet e bardha" në Koçan, ku është vendossur një prej rrjeteve të para të instaluara, si pjesë e serisë së koordinuar të ngjarjeve promovuese që mbahen në tërë Ballkanin Perëndimor.

Sofje- Qeveria e përkohshme e kryeministrit Andrej Gjurov ka marrë detyrën. Pas betimit në Asamblenë Popullore, në Këshillin e Ministrave u mbajt ceremonia e dorëzimit të detyrës. Historia me shumë gjasa nuk i kujton ata që kishin tituj dhe pozicione të zëshme, por gjithmonë i kujton ata që morën vendime kur ato duhej të merreshin, tha ish-kryeministri Rosen Zhelazkov gjatë pranim-dorëzimit të detyrës. Zhelazkov iu drejtua ministrave nga kabineti i mëparshëm dhe i falënderoi ata që morën "vendime kur ato duhej të merreshin, ndërsa nuk ishin të lehta".

Bruksel- Portali në Bruksel, "Politiko", duke cituar burime anonime, publikoi se SHBA-ja ushtron presion ndaj NATO-s që të kufizojë aktivitetet e saj ndërkombëtare, mes të cilave dhe reduktimin e forcave të KFOR-it në Kosovë dhe përfundimin e misionit këshillimor të Aleancës Veriatlantike në Irak.  KFOR-i aktualisht ka gjithsej 4.500 ushtarë dhe sipas bashkëpunëtores për politikë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Engjëllushe Morina, misioni në Kosovë është thelbësor për sigurinë rajonale. Sipas saj, tërheqja e KFOR-it mund t’i inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës.

Londër- Ish princi britanik Endru është arrestuar nën dyshimin për sjellje të pahijshme në detyrën publike. Policia tha se ka arrestuar një burrë 60-vjeçar nga Norfolk me dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike dhe se po kryhen kontrolle në adresa në Berkshir dhe Norfolk. Në komunikatë theksohet se nuk do të zbulojnë emrin e burrit të arrestuar pasi hetimi është në vazhdim. Më parë, princit Endru, vëllait të Mbretit Çarlsi III iu hoq titulli dhe u largua nga rezidenca e tij në Vindzor për shkak të lidhjes së tij me predatorin seksual Xhefri Epstin.

Londër– Pas lajmit se sot është arrestuar ish princi britanik Endru, kryeministri Kir Starmer dhe vëllai i tij, Mbreti Çarls III, ka theksuar se ligjet zbatohen për të gjithë në mënyrë të barabartë. Starmeri në një intervistë për Bi-Bi-Si deklaroi se i arrestuari Endru Mauntbaten-Vindzor duhet të flasë me autoritetet në Britaninë e Madhe dhe SHBA për shkak të lidhjes së tij me të ndjerin, të dënuar për krime seksuale, Xhefri Epstin.

Abuxha- Xhihadistët nga grupi "Lakurava" kanë vrarë dhjetëra njerëz pasi që kanë sulmuar shtatë fshatra në shtetin Kebi në veriperëndim të Nigerisë, njoftoi policia. "Për fat të keq, dhjetëra njerëz janë vrarë pasi banorët e fshatrave Mamunu, Avasaka, Tungan Coho, Makangara, Kanzo, Gorun Najdal dhe Dan Mai Ago u mobilizuan për t'u përballur me sulmuesit", tha Bashir Usman, zëdhënës i policisë së shtetit Kebi. Sipas një raporti të shërbimeve të sigurisë, janë vrarë 30 civilë.

Gjenevë- Forcat izraelite, Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura palestineze kanë kryer shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë dhe kanë kryer krime, theksohet në raportin e sotëm të KB-së. Sulmet e përforcuara izraelite dhe zhvendosja me forcë e palestinezëve tregojnë një ndryshim demografik të qëndrueshëm në Gazë, "duke ngritur shqetësime në lidhje me spastrimin etnik", thuhet në raportin e zyrës së KB-së për të drejtat e njeriut. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR