• e enjte, 19 shkurt 2026
MIA Flesh

12:00 / 19 shkurt / 2026

Shkup - Që nga zgjedhja e Qeverisë deri sot kemi 23 fluturime të reja direkte, në aeroportin e Ohrit dhe të Shkupit kanë kaluar 3,5 milionë udhëtarë, këtë vit, pres që aeroporti i Shkupit të jetë  lider në rajon me rritje dhe të kalojmë mbi 4 milionë udhëtarë, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, duke komentuar politikat qeveritare në transportin ajror. Siç informojnë nga Ministria e Transportit, ai thekson se si Qeveri kanë nisur një politikë serioze për të tërhequr linja dhe kompani të reja ajrore, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut nuk ka dalje në det dhe aeroportet janë e vetmja dalje dhe këtu vijnë më shumë turistë dhe më shumë njerëz për biznes, dhe mundësi që qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë.

Shkup - Industria e automobilave dhe energjetika janë vetëm disa nga sektorët në të cilët Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia mund ta intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik, ndërsa potenciali për rritjen e partneritetit biznesor është i madh, vlerësoi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski para fillimit të Biznes forumin Maqedoni e Veriut-Sllovaki, që mbahet në Shkup. Siç tha Mucunski, forumi është një mundësi e shkëlqyer për takime të drejtpërdrejta midis biznesmenëve nga të dyja palët. "Ne jemi të përqendruar jo vetëm në tërheqjen e investimeve, por edhe në rritjen e potencialit të eksportit", theksoi ministri.

Shkup - Mëngjesin e sotëm më ftohtë ishte në Berovë me -7 gradë, pas çka vijon Kriva Pallanka me -5 dhe Shkup-Petrovec dhe Demir Kapi me -4 gradë. Në Gjevgjeli, Prilep dhe Tetovë është matur -3 gradë, ndërsa në Ohër, Vinicë dhe Krushevë -2 gradë, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në disa vende përgjatë Vardarit e fortë nga drejtimi juglindor. Sipas DPHM-së, gjatë natës, duke filluar nga pjesët perëndimore, do të ketë reshje shiu, në vendet më të larta shi dhe borë, ndërsa në male borë. Reshjet do të jenë më të dendura në pjesët perëndimore, veçanërisht në male ku mbulesa e borës do të rritet.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dje përsëriti se Ukraina nuk do t'i lëshojë territor Rusisë, as nuk do të tërhiqet nga zona që kontrollon momentalisht. Deklarata vjen në një kohë kur negociatat për t'i dhënë fund pushtimit rus, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin e SHBA-së, janë bllokuar pikërisht në çështjet territoriale në prag të përvjetorit të katërt të luftës, shkruan "Kiev Indipendent" (The Kiev Independent). “Mijëra, dhjetëra mijëra ukrainas u vranë duke mbrojtur atë pjesë të Ukrainës", tha Zelenski në një intervistë me Piers Morgan. "Duhet ta kuptojmë se Donbasi është pjesë e pavarësisë sonë. Ai është pjesë e vlerave tona. Nuk ka të bëjë me tokën. Nuk ka të bëjë vetëm me territoret. Bëhet fjalë për njerëzit". 

Nju-Jork - Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së bënë thirrje për një armëpushim të përhershëm në Gazë dhe kritikuan ashpër përpjekjet e Izraelit për të zgjeruar kontrollin e tij mbi Bregun Perëndimor, duke thënë se ato rrezikojnë perspektivat për një zgjidhje të konfliktit me dy shtete. Mediat amerikane transmetojnë se seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u zhvillua përpara takimit të parë të Këshillit të Paqes të Presidentit amerikan, Donald Tramp, në të cilin do të diskutohet për të ardhmen e territoreve palestineze. Pakistani, i vetmi vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me 15 anëtarë që pranoi një ftesë për t'u bashkuar me Këshillin e Trampit, e ka dënuar projektin kontrovers të Izraelit për shpërngulje në Bregun Perëndimor dhe e ka quajtur vendimin e shtetit izraelit për të vazhduar me të "të pavlefshëm".

Seul - Gjykata qendrore e qarkut në Seul e ka dënuar ish presidentin e Koresë së Jugut, Jun Suk-jeol, me burgim të përjetshëm për akuzën e nxitur rrebelimi, për shkak të gjendjes së tij të përkohshme ushtarake në dhjetor të vitit 2024, njofton agjencia jugkoreane Jonhap. Gjykata, e cila fillimisht e shpalli Jun fajtor për rrebelim, solli aktgjykimin e parë në këtë çështje, në të cilën thuhet  se ai kishte synuar të shpërndante parlamentin duke dërguar ushtarë në ndërtesën e Kuvendit.

Katrum - Hetimi i pavarur i Kombeve të Bashkuara konstatuan se vrasjet masive dhe keqpërdorimet e bashkësive joarabe gjatë marrjes nën kontroll të qytetit sudanez El-Fashir nga ana e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) "mbajnë gjurmë të gjenocidit". Në fund të tetorit të vitit të kaluar, RSF pushtuan qytetin, vendstrehimi i fundit i Forcave të armatosura sudaneze (SAF) në Darfur, ndërsa gjatë tre ditëve të sulmit, mijëra njerëz u vranë dhe u përdhunuan. Hetimi i KB-së dokumentoi një model dhune të koordinuar të synuar bazuar në përkatësi etnike, gjini dhe besnikëri të perceptuar politike, duke përfshirë vrasje masive, përdhunime, tortura dhe imponim të qëllimshëm të kushteve të jetesës të llogaritura për të çuar në shkatërrimin e bashkësive Zagava dhe Fur, elementë kyç të gjenocidit sipas të drejtës ndërkombëtare.

Karaçi - Të paktën 13 persona, duke përfshirë gra dhe fëmijë, kanë vdekur në një shpërthim gazi në një ndërtesë banimi në Karaçi, ndërsa një pjesë e ndërtesës është shembur pjesërisht, publikuan sot autoritet lokale. Shefi i policisë lokale, Rizvan Patel, deklaroi se ekipet e shpëtimit po vazhdonin pastrimin e rrënojave për të gjetur të mbijetuar, njoftuan mediat amerikane. Disa persona u lënduan dhe operacioni i shpëtimit ishte duke u zhvilluar.

Los Anxhelos - Tetë skiatorë e kanë humbur jetën në ortekun në malet Sierra Nevada në Kaliforni, ndërsa një është zhdukur, njoftuan mbrëmë autoritetet, në një nga aksidentet më vdekjeprurëse të tilla në historinë e SHBA-së. Ekipet e shpëtimit kanë gjetur gjashtë të mbijetuar pas stuhisë së borës, që solli disa metra borë në Sierra ditët e fundit. Orteku ndodhi dje, në orën 11:30 të mëngjesit sipas kohës lokale, pranë Kasëll Pik, në Traki, Kaliforni, 15 kilometra në veri të Liqenit Taho dhe në të janë ngujuar numër i madh skiatorësh.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp dje vlerësoi njerëzit me ngjyrë në administratën e tij, hodhi poshtë akuzat për racizëm dhe premtoi një "shekull të ri" suksesi për afrikano-amerikanët në 100-vjetorin e Muajit të historisë së njerëzve me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë. Komentet e tij kundërshtojnë kritikët që e akuzuan për refuzimin e politikave të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, dhe vijuan menjëherë pasi në profilin e presidentit në rrjetet sociale u publikua një video në të cilin ish presidenti Barak Obama dhe bashkëshortja e tij Mishell u paraqitën si majmunë. 

Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp, sot do të kryesojë me takimin e parë të Këshillit të Paqes, në hije të çështjeve të pazgjidhura për të ardhmen e Gazës rreth ngjarjes, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se 45 vende. Çarmatimi i Hamasit, fondi i rikonstruimit dhe rrjedha e ndihmës humanitare për popullsinë e enklavës palestineze janë çështje që do të vënë në provë efektivitetin e Këshillit në javët dhe muajt në vijim. Pritet që Trampi të publikojë se si anëtarët kanë mbledhur deri më tani pesë miliardë dollarë për rikonstruimin e Gazës, nga të cilat 1,2 miliardë janë siguruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti.

Milano - Trajneri i Komos, Sesk Fabregas, i kërkoi falje trajnerit të Milanit, Masimiliano Alegri për debatin në fund të ndeshjes pas barazimit mbrëmë 1:1 në kuadër të xhiros së 24-të në Seria A. Dy trajnerët e filluan konfliktin pasi Fabregasi gjatë një aksioni të ekipit të tij, për një moment ndali një futbollist të "rosonerëve" afër vijës anësore, duke e penguar të kthehet shpejtë në fushë.

QËNDRONI TË LIDHUR