
15:00/3 prill/2025
Shkup - Lokacioni në Manastir tani ka rreth 50 deponi ilegale, ndërsa projekti parasheh një lokacion të ri në kuadër të direktivave të BE-së, afër TEV Manastir. Mjetet janë pranuar dhe nuk ka efekte negative në mjedisin jetësor, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Bisera Kostadinovska Stojçevska nga LSDM, Mexhiti tha se ideja është që të ndërtohet një rrugë e re për qasje në këtë deponi, e cila nuk do të kalojë nëpër Manastir.
Shkup - Që nga fillimi si ministër i Ekonomisë dhe Punës kam kërkuar nga Enti Shtetëror i Revizionit që të bëjë kontroll të institucionit dhe të shohim se çfarë trashëgoj. Fatkeqësisht, katër ditë para tragjedisë në Koçan, ESHR është në Ministrinë e Ekonomisë dhe po bënte analiza. Moralisht jam i pastër. Kam bërë një revizion ad-hok dhe kam kërkuar nga organet kompetente që të vijnë dhe të shohin punën që është bërë në Ministrinë e Ekonomisë", deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Shkup - Me rritjen më të re lineare prej 2.500 denarëve për të gjithë të punësuarit në sektorin shëndetësor publik bëmë edhe një hap tjetër të madh përpara. Me atë, rritja e përgjithshme e rrogave, së bashku me rritjen e nëntorit, arrin 4.815 denarë neto për të gjithë punonjësit shëndetësorë, ndërsa për infermieret kjo rritje është madje 6.200 denarë, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Shkup - Hetimi për zjarrin në Koçan është në vijim dhe do të përgjigjet secili, pa marrë parasysh nëse ka kyer ose nuk ka kryer veprim të caktuar, në bazë të të cilit do mund të nxjerret lidhje me shkaqet dhe pasojat me ngjarjen penale-jurdike në fjalë, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski pas fjalimit në Debatin publik me rastin e Javës së këmbësorëve, në organizim të Këshillit republikan për siguri në komunikacionin e rrugëve. Shumë çështje të lidhura me rastin hapen në opinion, tha ministri, por megjithatë, thotë, në këtë moment bartës i vet procedurës është prokurori publik.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, lidhur me rastin për anëtarin e arrestuar të sigurimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili dyshohet për veprën penale “zbulimi i sekretit zyrtar”, theksoi se ky është një nga rastet kur MPB-ja tregon se lufton në mënyrë joselektive kundër kriminelëve në radhët e saj. "Shumë kallëzime penale në të kaluarën janë ngritur kundër kriminelëve në radhët e MPB-së dhe e njëjta gjë është vepruar edhe në këtë rast. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, në kuadër të zhvillimit të hetimeve, pas informacioneve të marra në kuadër të këtij departamenti, ka njoftuar prokurorin publik kompetent, i cili është pajtuar dhe ka urdhëruar që po atë mbrëmje të ndërmerren veprime. Pas realizimit të aksionit në fjalë, ekskluzivisht nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, janë kryer disa kontrolle tek zyrtarët policorë, gjatë të cilave janë gjetur prova të caktuara në lidhje me veprën e kryer penale", tha Toshkovski në deklaratën për media pas debatit publik me rastin e Javës së këmbësorëve të mbajtur në Idrizovë.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se secili që ka keqpërdorur shpenzimet e udhëtimit do të përgjigjet. Kjo vijon pas kallëzimit penal të ngritur nga MPB-ja ndaj dhjetë punonjësve të policisë për pagesë të paligjshme të mjeteve nga buxheti shtetëror. Toshkovski i inkuarjoi gazetarët hulumtues të zbulojnë keqpërdorime në lidhje me shpenzimet e udhëtimit edhe tek deputetët dhe theksoi se ligji duhet të zbatohet njëjtë për të gjithë.
Shkup - Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) dhe Drejtoria e Doganave nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, i cili forcon koordinimin dhe shkëmbimin e të dhënave për procedurat e eksportit dhe importit të lëndëve minerale, derivateve të naftës, biomasës dhe burimeve të tjera të energjisë. Ky bashkëpunim do të mundësojë kontroll më të mirë dhe monitorim efikas të transportit të këtyre burimeve, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, kumtoi MEMBM. Memorandumin e nënshkruan ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski. Ky dokument parashikon shkëmbimin e rregullt të të dhënave çdo tre muaj, si dhe komunikimin sipas nevojës me qëllim të informimit në kohë për procedurat e eksport-importit dhe parregullsitë e mundshme.
Shkup - Ministria e Shëndetësisë informon se një nga të lënduarit në zjarrin në Koçan, i cili ishte hospitalizuar në një qendër mjekësore në Austri, kthehet sot në shtet. Pas mbërritjes, ai do të mbahet nën vëzhgim 24-orësh, sipas protokolleve mjekësore. Në vend kanë mbërritur edhe ekipe të huaja për rehabilitim të pacientëve. "Aktualisht, në qendrat mjekësore jashtë vendit po trajtohen 80 pacientë, nga të cilët dy trajtohen në mënyrë ambulatore. Nuk ka ndryshime në gjendjen e tyre krahasuar me ditët e kaluara. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike është pranuar një pacient i kthyer nga Greqia, i cili, pas ekzaminimeve të nevojshme, do të dërgohet në trajtim shtëpiak. Aktualisht, në këtë Klinikë janë të hospitalizuar tre pacientë", sqaruan nga Ministria.
Shkup - Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë edhe kundër babait të Vasil Jovanovit, i cili më 29 janar të këtij viti, duke vozitur pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit, ka goditur këmbësoren Frosina Kulakova, në bul. "Aradhet Partizane", e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Prokuroria publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut (PPRMV), kumtoi se prokurori publik gjatë procedurës paraprake ka siguruar prova nga të cilat rezulton se i pandehuri, 50-vjeçar për veprën penale - Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, në periudhën prej datës 04.11.2022 deri më 30.01.2025, me një veprim përgjithësisht të rrezikshëm, ka shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve, i vetëdijshëm se nga veprimet e tij mund të ndodhin pasoja të dëmshme, e megjithatë në mënyrë mendjelehtë besonte se ato nuk do të ndodhnin.
Shkup - Deponim joadekuat i objekteve të sekuestruara të cilat janë në dispozicion të Agjencisë për menaxhimin e pronës së sekuestruar dhe mungesës së transparencës në shitjen e pasurisë së patundshme, gjësendeve të sekuestruara dhe pasurisë së konfiskuar, janë konstatuar nga revizorët gjatë kontrollit në këtë Agjenci. Analizat e revizorëve tregojnë se mbajtja dhe ruajtja e sendeve të sekuestruara dhe mjeteve motorike nuk mundëson mbrojtjen e të njëjtave nga shkatërrimi dhe humbja e vlerës dhe se një pjesë e hapësirave të magazinës dhe parcelave që i shfrytëzon Agjencia tashmë 14 vjet janë shfrytëzuar pa vendim të Qeverisë për transferimin e së drejtës për shfrytëzim.
Shkup - Numri i të punësuarve në industri gjatë muajit shkurt të vitit 2025, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak është 4.1 për qind, kumton Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS). Shikuar sipas sektorëve numri i punëtorëve në sektorin Minierat dhe gurorët gjatë muajit shkurt të vitit 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shënon rënie prej 2.3 për qind, në sektorin e Industrisë përpunuese prej 4.3 për qind dhe në sektorin Furnizime me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar prej 1.5 për qind.
Shkup - Policia në Prilep pranë ka privuar nga liria personin Ј.А.(45) nga Shkupi. Në bazë të urdhrit gjyqësor nga Gjykata Themelore Prilep, është kryer bastisje në një vilë pranë f.Vitolishtë, rrethina e Prilepit, në pronësi të Ј.А.(45). Gjatë bastisjes janë gjetur pushkë gjuetie me kalibër 16mm , fishekë me kalibër 16mm, 223 plumba të pushkës automatike, 70 plumba për pistoletë, katër korniza të pushkës automatike, dy korniza të pushkës gjysmëautomatike dhe granatë. Pas dokumentimit të rastit, do të parashtrohet kallëzim përkatës, thonë nga MPB.
Shkup – Qendra afariste “Soravia” në qendër të Shkupit është vënë në shitje përmbaruese të caktuar për 24 prill të këtij viti për shkak të detyrimeve të papërmbushura financiare. Vlera fillestare e objektit është 1.377.978.526 denarë ose rreth 22,4 milionë euro. “Soravia” ishte në fokus të publikut për shkak të procesit kontrovers të ndryshimit të strukturës pronësore të kompanisë që e posedon objekti atraktiv – “Soravia Invest” dhe hyrjes së nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti, i cili drejtonte këtë objekt.
Shkup - Gjatë vitit të kaluar jetën e kanë humbur 24 këmbësorë në vend. Në tre muajt e parë të këtij viti, përsëri jetën e kanë humbur pesë këmbësorë u tha në fillim të debatit publik të sotëm të mbajtur në Fakultetin e Sigurisë në Shkup me rastin e Javës së këmbësorëve - nga 1 deri 7 prill. Kryetari i Këshillit republikan për siguri në komunikacionin rrugorë, Goran Angellovski tha se në vitet e fundit, siguria e këmbësorëve në vend po ballafaqohet me sfida serioze.
Kumanovë - Prokuroria Themelore Publike Kumanovë sot njoftoi se tashmë është formuar lëndë për Kriva Rekën dhe pretendimet e komunës se është e ndotur pas avarisë në minierën e Toranicës. Megjithatë, nga prokuroria njoftojnë se tek ata raportimi ende nuk ka arritur nga komuna. "Deri tani kallëzim penal nga Komuna e Kriva Pallankës nuk ka arritur, megjithatë prokuroria tashmë po ndërmerr masa. Është formuar lëndë, PTHP-ja ka thirrur inspektorët e mjedisit jetësor, të cilët ndërmorën veprimet e kontrollit. Ata kanë dorëzuar raport deri te prokuroria. PTHP-ja vazhdon të ndërmarrë edhe masa të tjera, janë lëshuar urdhra dhe ekspertiza", njoftojnë për MIA-n nga PTHP Kumanovë.
Tetovë - Përfaqësues të familjeve të viktimave nga tragjedia në Spitalin modular në Tetovë para Gjykatës themelore Tetovë kanë mbajtur konferencë për shtyp, ku theksuan se i bashkangjiten letrës publike nga Iniciativa Zero deri te prokurori publik shtetëror, Lupço Kocevski. Sipas përfaqësuesve të familjeve, ekzistojnë prova serioze, për të cilat konsiderojnë se Prokuroria i ka hedhur posht në procedurën e deritanishme para gjykatës në Tetovë.
Shkup – Sot pasdite dhe gjatë natës, në pjesët perëndimore, ndërsa nesër në pjesët lindore do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut, në disa vende më të dendura (mbi 15 litra në metër katrorë), njoftoi DPHM. Të shtunën do të ketë kushte për paraqitje lokale të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fuqishme. Të dielën do të ketë depërtim të shpejtë të masës së ftohtë ajrore nga veriu dhe do të ketë reshje të shiut, në male dhe në vendet më të larta të borës. Do të fryjë erë e fuqishme veriore, temperaturat dukshëm do të bien dhe reshje të borës priten edhe në disa nga vendet më të ulëta. Të hënën në disa vende do të bjerë borë e dobët, ndërsa temperaturat e mëngjesit në disa vende do të jenë negative.
Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, ka udhëtuar për në Bullgari, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje. “Në kuadër të vizitës në Sofje, Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse. Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal”, thuhet në kumtesë.
Tiranë - Një nga aktoret më të mëdha të teatrit dhe filmi shqiptar, Margarita Xhepa është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Sipas mediave në Shqipëri, aktorja ndërroi jetë sot në mëngjes rreth orës 3:00 në një spital në Tiranë. Ajo një kohë të gjatë ka vuajtur nga një sëmundje e mushkrive. Margarita Xhepa në banesën e fundit do të përcillet nesër, ndërsa homazhet do të mbahen nga ora 10:00 deri në orën 13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Aktorja Xhepa u lind më 2 prill të vitit 1934, në Lushnjë, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt karrierës së saj. Gjatë karrierës së saj të pasur, Xhepa interpretoi mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.
Ankara - Policia turke ka arrestuar 11 persona në kuadër të hetimeve për thirrje për bojkot që po përhapen në rrjetet sociale, njofton DPA. Kryeprokurori i Stambollit ka nisur hetim mbi akuzat për diskriminim dhe nxitje të shoqërisë në urrejtje dhe armiqësi, raporton televizioni privat turk NTV. Në kuadër të hetimeve janë lëshuar 16 urdhërarreste.
Berlin - NATO do të rrisë shpenzimet në mbrojtje për të forcuar sigurinë në Evropë dhe për t'iu përgjigjur kërcënimit rus, deklaroi sot ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok. "Ne si partnerë të NATO-s do të zgjerojmë më tej shtyllën evropiane të sigurisë për 800 miliardë euro (888.32 miliardë dollarë) gjatë një periudhe prej katër vjet për të forcuar sigurinë tonë", ka thënë Berbok në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.
Bruksel - NATO është e përkushtuar në garantimin e stabilitetit për Ballkanin Perëndimor, porositi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute gjatë arritjes në takimin e shefave të diplomacive të vendeve anëtare të Paktit në Bruksel ku merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. "Bashkë me pesë aleatët tanë - Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Kroacinë dhe Shqipërinë, po punojmë për të siguruar ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor", theksoi Rute. Sipas tij, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, tregues për një përkushtim të tillë të NATO-s në rajon janë edhe vizitat e saj të fundit në Sarajevë dhe Prishtinë, si takimi në Bruksel dhe bisedimet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Bruksel - Qartë kemi thënë se mbetemi në NATO dhe e përkrahim aleancën, dëshirojmë NATO-ja të jetë më e fuqishme, të ketë më shumë kapacitete, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio pas arritjes së tij në selinë e Paktit në Bruksel në takimin dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s. "SHBA-ja është në NATO dhe aktive, si gjithmonë. Histeria në media, përfshirë edhe në SHBA, është e pajustifikuar", shtoi ai, në lidhje me spekulimet për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga aleanca. Rubio u shpreh se vendet e pasura janë të afta të bëjnë më shumë në çështjen e shpenzimeve në mbrojtje. “Ne kemi nevoja edhe në shtëpi, por prioriteti ynë është mbrojtja dhe të njëjtën gjë presim nga partnerët tanë”, shtoi ai.
Bruksel - Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon sot në Bruksel deklaroi se në mbledhjen e shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s do të paralajmërojë aleatët për situatën në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se me kujdes po ndjek ngjarjet në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi. Pas arritjes në mbledhjen dyditore të ministrave në selinë e NATO-s, Fajon u tha gazetarëve se Aleanca nuk guxon të neglizhojë Ballkanin Perëndimor, por duhet të vazhdojë të angazhohet në atë rajon politikisht të paqëndrueshëm. "Do të fokusohem edhe te Ballkani Perëndimor i cili është fqinji i Sllovenisë. Po ndjekim zhvillimet në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, si dhe në Kosovë pas zgjedhjeve", tha Fajon.
Bruksel – Presidenti amerikan Donald Tramp nuk është kundër NATO-s, por është kundër Aleancës anëtaret e së cilës nuk i përmbushin detyrimet të cilat i kanë ndërmarrë, deklaroi sot sekretari shtetëror i SHBA-së, Marko Rubio para fillimit të takimit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të Paktit në Bruksel, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. “Askush nuk pret të jeni të aftë ta bëni këtë për një vjet ose dy, por shtegu duhet të jetë real. Kjo është e vërteta e ashpër dhe është më mirë të thuhet tani, me qëllim që ta përmirësojmë dhe ndërtojmë NATO-n e aftë që ta mbrojë territorin e vendeve tona anëtare dhe tha kthejë çdo agresion ndaj cilitdo prej nesh”, deklaroi Rubio, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute.
Bruksel - Indekset evropiane të bursave ranë sot pasi që presidenti amerikan Donald Tramp vendosi tarifa reciproke në më shumë se 180 vende dhe territore në mbarë botën, duke përfshirë një tarifë prej 20 për qind për mallrat e importuara nga Bashkimi Evropian dhe 10 për qind për mallrat nga Britania. Administrata e Trampit e cila e ka shpallur 2 Prillin "Ditën e Çlirimit", gjithashtu ka vendosur tarifa 25 për qind për të gjitha importet e makinave të prodhuara nga jashtë, transmeton Si-En-Bi-Si. Sipas presidentit amerikan, ajo datë "do të mbahet mend përgjithmonë si dita kur industria amerikane u ringjall".
Paris - Kryeministri i Francës, Fransoa Bajru deklaroi sot se masat e taksës që vendosi Donald Trampi paraqesin katastrofë ekonomike për botën dhe do të krijojnë vështirësi serioze për Evropën. "Ky nuk është vetëm problem për Evropën - këto tarifa do të jenë një katastrofë edhe për vetë SHBA-në dhe për qytetarët amerikan", theksoi Bajru në deklaratën për mediat, raportojnë BFMTV dhe " Le Figaro". Kryeministri francez kritikoi ashpër politikën amerikane, duke akuzuar administratën në Uashington se ua ktheu shpinën aleatëve të saj.
Kiev - Ministrja ukrainase e Ekonomisë, Julija Sviridenko, deklaroi sot se tarifat e reja të SHBA-së përbëjnë një barrë të konsiderueshme, por jo një kërcënim kritik për ekonominë ukrainase. Presidenti amerikan, Donald Tramp mbrëmë paralajmëroi tarifa prej së paku 10 për qind për importet nga të gjitha vendet, ndërsa për mallrat nga Bashkimi Evropian tarifa do të jetë 20 për qind. "Çfarë nënkuptojnë tarifat e reja amerikane për Ukrainën? Ato janë të rënda, por jo kritike", shkroi Sviridenko në rrjetin social Iks.
Uashington - Ministri i Financave të SHBA-së, Skot Besent sot deklaroi se SHBA nuk vendos tarifa për importin e mallrave nga Rusia dhe Bjellorusia, sepse produktet nga këto vende nuk dërgohen në tregun amerikan. "SHBA-ja nuk bënë tregti me Rusinë dhe Bjellorusinë sepse ato janë nën sanksione", tha ai në një deklaratë për Foks njuz.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, shpalli një seri tarifash të reja, duke përfshirë tarifën bazë prej 10 për qind për të gjitha vendet dhe tarifa shtesë, të synuara për disa vende me suficit të konsiderueshëm tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë lëvizje si një "kthim historik i politikës tregtare të SHBA-së në pavarësinë e tregtisë". Këto masa, sipas tij, do të forcojnë industrinë vendase dhe do të rikthejnë vendet e punës në Shtetet e Bashkuara.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Trampi dje shpalli tarifa prej 10 për qind për të gjitha importet në SHBA, plus tarifa më të larta për disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit. Ky njoftim përfaqëson një intensifikim të luftës tregtare që filloi pasi Trampi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, thonë ekspertët. Këshilltarët e tij thonë se tarifat do të sjellin përsëri në Shtetet e Bashkuara kapacitetin e prodhimit të rëndësishëm strategjik. Ekonomistë të tjerë paralajmërojnë se tarifat mund të ngadalësojnë ekonominë globale, të rrisin rrezikun e recesionit dhe të rrisin koston e jetesës për një familje mesatare amerikane, me mijëra dollarë.