• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 19 korrik/ 2025

Shkup - Shkenca po merr mbështetje të shtuar nga Qeveria. Përmes dy thirrjeve publike, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë mbi 54 milionë denarë për institucionet shkencore publike për zbatimin e projekteve shkencore dhe kërkimore, si dhe për institucionet e arsimit të lartë që, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit zbatojnë projekte me interes të veçantë shkencor dhe publik që janë në korrelacion me qëllimet e Strategjisë së Specializimit Inteligjent të Maqedonisë.

Shkup - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave zyrtarisht e ka nisur fushatën "Më e mira Maqedonase: Tradita jonë, krenaria jonë", e cila ka për qëllim forcimin e prodhimit bujqësor vendor dhe ngritjen e vetëdijes për cilësinë e produkteve bujqësore maqedonase. Siç njoftoi Ministria, qëllimet kryesore të fushatës "Më e mira Maqedonase" janë: rritja dhe forcimi i prodhimit bujqësor vendor; sigurimi i një të ardhmeje më të mirë për zonat rurale; ngritja e vetëdijes për cilësinë, autenticitetin dhe rëndësinë e produkteve vendore; lehtësimi i qasjes së qytetarëve te produktet bujqësore vendore dhe përpunimet nga to.

Shkup - Agjencia për Komunikime Elektronike miratoi Vendim për shpalljen e tenderit publik me ofertë publike për dhënien e lejeve për përdorimin e radio frekuencave në brezat radiofrekuencorë 700 MHz, 1800 MHz dhe 3.x GHz. Vendimi vjen pas dëgjimit publik për këtë qëllim, i cili rezultoi në Letra Shprehjeje Interesi nga ONE Maqedoni Telekomunikime SHPKNJP Skopje, Bitstrim Mobile SHPKNJP Skopje dhe nga e&ppf Telekom Grup B. V.

Shkup - Një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme Bel 412 që nga orët e mëngjesit intensivisht është aktiv në shuarjen e zjarrit në rajonin e Strumicës, me ç'rast deri tani ka hedhur më shumë se 35 ton ujë. Siç kumtoi MPB, aktivitetet vazhdojnë deri në shuarjen e plotë të zjarrit.

Shkup - Numri i nxënësve dhe studentëve të vendosur në konviktet e arsimit fillor, të mesëm dhe në konviktet studentore gjatë vitit 2024/2025 është 4 889, që paraqet një rënie prej 15 për qind krahasuar me vitin paraprak 2023/2024, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë.

Shkup - Në VK "Tabanoc" vërehet frekuentim i rritur i automjeteve, ndërsa koha e pritjes është rreth 30 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Shkup - Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar gjithsej 27 zjarre në hapësirë të hapur, ndërsa katër janë vënë nën kontroll. Zjarre aktive ka në fshatin Niviçinë, komuna e Vasilevës, në fshatin Greshnicë, komuna e Makedonski Brodit, mes fshatrave Careviq dhe Smolanë dhe në fshatin Vishticë, komuna e Likovës. Siç njoftoi Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK), nën kontroll është zjarri në komunën e Velesit, mes fshatrave Xhidimirci-Krushjë-Ivankov, në fshatin Nikolliq, komuna e Dojranit, në komunën e Demir Hisarit, deponia e qytetit dhe në komunën e Makedonski Brodit, fshatrat Çreshnevë, Lokvicë dhe Krapë.

Shkup - Pa ujë sot nga ora 11:30 janë një pjesë e shfrytëzuesve të rrugës "Rruga e Kaçanikut", në komunën e Butelit, ndërsa nga ora 12 banorët e rrugëve "Karaxhica", "Kara Trifun", "Pando Kljashev", "Peju Javorov" dhe "Milan Mijalkoviq" në komunën e Kisella Vodës dhe nga rrugët "Xhon Kenedi" dhe "Maksud Sadik" në komunën e Çairit.

Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimin kufitar "Tabanoc"  koha e pritjes për është 35 minuta. Në vendkalimin kufitar Dojran koha e pritjes është 15-25 minuta, ndërsa në VK Bogorodicë koha e pritjes është 15 minuta, ndërsa dalje nga shteti koha e pritjes është 45 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Koçan - Shoqata e qytetarëve "16 mars 2025 Koçan", katër muaj pas tragjedisë në diskotekën "Puls" ku humbën jetën 62 persona mes të cilëve gjashtë fëmijë, sonte do ta mbajë marshin e 15-të të engjëjve - marshi i dhimbjes dhe luftës për drejtësi. Marshi do të fillojë në orën 18:05, me nisje nga Parku i revolucionit. Gjykata Penale dje njoftoi se është vazhduar paraburgimi i të akuzuarit për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ndërsa Prokuroria Themelore Publike Shkup do ta udhëheq pjesën e mëtejshme të procedurës.

 Prishtinë - Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 49-të, sepse sot, nga 90 deputetë të pranishëm, 50 votuan për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për kryetar të atij institucioni. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe koalicionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA refuzuan të propozojnë anëtarë të komisionit zgjedhor dhe nuk morën pjesë në votimin për formimin e komisionit zgjedhor.

Ankara - Ambasadori amerikan në Ankara, Tom Barak tha se Izraeli dhe Siria u dakorduan për armëpushim të propozuar nga Turqia, Jordani dhe vendet tjera të rajonit. Izraeli më 16 korrik sulmoi Damaskun, si dhe forcat qeveritare siriane që përparonin në jug drejt qytetit Sveida, duke kërkuar nga ata të tërhiqen dhe se ai mbron druzët sirian, një pakicë fetare etnike e vogël, por me ndikim që ka ndjekës edhe në Izrael dhe Liban.

Beograd - Ndihmësdrejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Igor Popoviq u arrestua mbrëmë nga ana e policisë së Kosovës. Popoviq në një fjalim në Rahovec ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj UÇK-së duke e quajtuar atë si organizatë terroriste.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski njoftoi sot se Rusia e ka sulmuar Ukrainën gjatë natës me më shumë se 30 raketa dhe 300 dronë. Në sulm është dëmtuar infrastruktura strategjike në qytetin Sumi.

Dyzeldorf - Të paktën 19 persona u plagosën mbrëmë, përfshirë një fëmijë, gjatë një festivali fishekzjarrësh në festivalin "Rajnkirmes" në Dyzeldorf. Aksidenti ndodhi kur një pajisje piroteknike shpërtheu në audiencë, thanë autoritetet lokale. Sipas policisë dhe shërbimeve të zjarrfikësve, të paktën një fëmijë ishte midis të plagosurve, dhe katër prej të plagosurve pësuan lëndime të rënda, raporton "Bild".

Bruksel - Korniza financiare shumëvjeçare e propozuar e BE-së (FMN) për periudhën nga viti 2028 deri në vitin 2034 nuk i merr parasysh interesat e komuniteteve lokale dhe rajonale dhe i "lë mënjanë" qytetet dhe rajonet në interes të një centralizimi më të madh, tha kryetarja e Komitetit Evropian të Rajoneve, Kata Tite, në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.

 Rafah - Në sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës 41 persona kanë humbur jetën, prej të cilëve 29  afër qendrës për shpërndarjen e ndihmave të Organizatës Humanitare për Gazën në Rafah, bënë të ditur përfaqësues të  spitaleve palestineze. Incidenti ka ndodhur në afërsi të lokacionit të organizatës, ku njerëzit ishin mbledhur në një përpjekje për të siguruar produkte bazë ushqimore, raportoi Al Xhezira.

Damask - Numri i viktimave në dhunën në Sirinë jugore, ku ka luftëra mes luftëtarëve të komunitetit druzë nga njëra anë dhe fiset beduine dhe forcat qeveritare siriane nga ana tjetër, është rritur në 718, njoftoi Observatori sirian për të drejtat e njeriut. Organizata joqeveritare njoftoi se mes të vdekurve janë 391 druzë, duke përfshirë 146 luftëtarë dhe 245 civilë. Prej tyre 165 ishin "ekzekutuar pa sqarim nga ana e përfaqësuesve të ministrive siriane të mbrojtjes dhe punëve të brendshme" në ditët e para të luftërave të filluan të dielën.

Uashington - Dhjetë pengje në Gaza së shpejti do të lirohen, tha presidenti amerikan Donald Tramp, pa dhënë detaje shtesë. Trampi e dha deklaratën gjatë darkës me kongresmenë në Shtëpinë e Bardhë, duke i lavdëruar përpjekjet e të dërguarit të tij special, Stiv Vitkof.

 Uashington - Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës votoi për vazhdimin  e ndihmës ushtarake për Ukrainën, njoftoi mbrëmë kongresmeni Don Bejkon. Propozim-ligji HR4016 u mbështet nga 353 deputetë, ndërsa 76 ishin kundër, që siguroi mbështetje të fortë dypartiake për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin, njoftoi Bejkon në Iks, raportoi UNIAN.

 

QËNDRONI TË LIDHUR