• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 18 gusht/ 2025

Shkup - Me rastin e 18 Gushtit, Ditës së Armatës, sonte nga ora 19:00 në kazermën "Ilinden" do të bëhet qitje nderi artilerie me shkrepje të 10 togave nga 6 topa të batalionit të artilerisë së Armatës. Siç informon Armata, më parë, në orën 18:00, do të kryhet një provë artilerie e qitjes me një breshëri të vetme.

Shkup - Gjuha maqedonase jeton, zhvillohet dhe vazhdon misionin e saj shekullor, thotë ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila dy ditë më parë mori pjesë në hapjen e Shkollës së 58-të Verore të Seminarit ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën maqedonase pranë Universitetit "Cirili dhe Metodi" në Ohër. Siç shprehet Dimitrieska-Koçoska në profilin e saj në Fejsbuk, 80 vjet pas kodifikimit, gjuha maqedonase është ura jonë më e fortë me botën dhe mbrojtëse e trashëgimisë sonë kulturore.

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme i demanton dezinformatat e publikuara në disa portale dhe rrjete sociale, sipas të cilave policia dje (16.08.2025) gjoja nuk ka lejuar hyrjen e qytetarëve në Koçan, të cilët kanë dashur të marrin pjesë në protestën “Marshi i engjëjve”. Siç citon MPB, përkundrazi, asnjë qytetar nuk është penguar të hyjë në Koçan.

Shkup - Zjarri që shpërtheu sot në pyllin me pisha mbi fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës, është plotësisht i lokalizuar dhe vënë nën kontroll.  Aktualisht ekipet po punojnë për shuarjen e tij të plotë, deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) Muhamed Ali. Ai informoi se në aksion janë angazhuar 10 pjesëtarë të "Pyjeve Nacionale" – dega Kumanovë me 2 automjete të specializuara për shuarjen e zjarreve pyjore, Njësia e Zjarrfikësve nga Kumanova me një automjet, si dhe një numër i madh banorësh vendas.

Shkup - Për shkak të zjarrit në Parkun Nacional "Jasen", rruga rajonale R1106 Makedonski Brod-Shkup ende është e mbyllur për çdo lloj të automjeteve, informon LAMM. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), me zjarrin është përfshirë pylli i përzier.

Shkup - Në vendkalimin kufitar "Tabanoc" koha e pritjes për dalje nga shteti është rreth 40 minuta, në "Bogorodicë" rreth gjysmë ore, ndërsa në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. Siç informon LAMM, për shkak të pushimeve verore është rritur frekuentimi i automjeteve. Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerë nëpër rrugë të thata, ndërsa intensiteti i rrugëve jashtë mjediseve të qytetit është rritur.

Prishtinë - Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe shoqatave të tjera të punëdhënësve kanë paralajmëruar për pasoja të rënda pas fillimit të shkyçjes së rreth 1,300 kompanive që nuk kanë nënshkruar një kontratë furnizimi me energji elektrike në tregun e hapur të energjisë. Vetëm dje, në ditën e parë të zbatimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë së Kosovës (ZRRE), u shkyçën 450 kompani, në të cilat punonin më shumë se 20,000 persona.

 Podgoricë - Zjarri në Piperi, në afërsi të kryeqytetit malazez Podgoricë, është në një fazë kritike dhe të gjitha ekipet e zjarrfikësve në dispozicion janë në terren. Më të rrezikuarat janë vendbanimi Kopilje dhe zona Stijene Piperske, ku ekziston rrezik që era veriore të përhapë zjarrin. Zjarret po shpërthejnë edhe në Bijelo Polje, Danilovgrad dhe Nikshiq, gjë që po i ngarkon edhe më shumë zjarrfikësit.

 Kiev - Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se  gjatë natës kanë rrëzuar 40 nga 60 dronë të lëshuar nga Rusia. Që dje nga ora 19:30, Rusia ka sulmuar me një raketë balistike "Iskander-M", 60 dronë "Shahed" dhe disa dronë - imitues, të lëshuar nga Kursku, Bërjansku, Millerovo, Primorsko-Ahtarsku dhe Shatalovo.

Romë - Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni njoftoi se do të marrë pjesë në takimin midis presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe udhëheqësit ukrainas Volodimir Zelenski, i planifikuar për 18 gusht në Uashington. Sipas mediave italiane, ajo dëshiron të nxjerrë në pah rolin e saj në zgjidhjen e krizës ukrainase, me qasjen e saj të ndryshme nga ajo e udhëheqësve të tjerë evropianë.

Bruksel - Udhëheqësit evropianë do të vendosin sot nëse presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të shoqërohet gjatë vizitës së tij në Uashington, ku nesër do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Tramp, tha ministri i Jashtëm gjerman Johan Vadeful. I pyetur nëse kancelari gjerman Friedrih Merc mund ta shoqëronte Zelenskin në Uashington, Vadeful tha se shumë evropianë do të donin të udhëtonin me presidentin ukrainas nëse do të merrej një vendim i tillë. "Kjo do të arrihet këtë fundjavë dhe dëshira e Fridrih Merc për të marrë përgjegjësi është e qartë dhe ai e ka treguar qartë këtë ditët e fundit. Kjo çështje do të shqyrtohet kolektivisht", tha Vadeful dje për transmetuesin gjerman ARD.

Berlin - Udhëheqësit evropianë, përfshirë presidentin francez Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc, do t'i bashkohen nesër presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në takimin e tij të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së Donald Tramp, njoftoi DPA. Në bisedat në Uashington do të marrin pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe presidenti finlandez Aleksandar Stub. Gjithashtu, pjesëmarrjen e saj ka njoftuar edhe kryeministrja italiane Xhorxha Meloni.

 Helsinki - Presidenti finlandez Aleksander Stub mund të udhëtojë për në Uashington për t'u bashkuar në takimin midis Presidentit amerikan Donald Tramp dhe liderit ukrainas Volodimir Zelenski, raportojnë mediat perëndimore. Bashkimi Evropian druan se Zelenski nuk do të pritet me të njëjtin nivel vëmendjeje si Presidenti rus Vladimir Putini, gjë që do të dobësonte pozicionin e Kievit në negociatat e ardhshme. Prandaj, po shqyrtohet mundësia që Stubi, i cili gëzon besimin e Trampit, të luajë një rol ndërmjetësues dhe të sigurojë që Evropa të përfshihet në procesin e paqes.

 Peshavar - Ekipet e shpëtimit që tre ditë kërkojnë të paktën 150 persona të zhdukur në Pakistanin verior, ku në shirat monsune kanë humbur jetën 350 persona, bëri të ditur sot shërbimi për gjendje të jashtëzakonshme i Pakistanit. Vetëm në distriktin Buner, "të paktën 150 persona me siguri janë bllokuar nën rrënojat e shtëpive të tyre ose të rrëmbyer nga uji", deklaroi një zyrtar i shërbimit për gjendje të jashtëzakonshme.

Tel Aviv - Mijëra izraelitë mbrëmë dolën në rrugët e qytetit Tel Aviv, duke kërkuar ndërprerje të luftës në Gaza dhe marrëveshje për lirimin  e pengjeve që i mban grupi palestinez "Hamas", transmeton DPA. Sipas raportuesit të agjencisë gazetareske gjermane, disa mijëra njerëz iu përgjigjën thirrje së Forumit të familjeve të pengjeve.

 Tel Aviv - Protestat e izraelitëve që kërkojnë përfundimin e luftës në Rripin e Gazës dhe negociatat për lirimin e pengjeve po forcojnë pozicionin e Hamasit, deklaroi sot kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. "Ata që sot bëjnë thirrje për t'i dhënë fund luftës pa mposhtur Hamasin jo vetëm që po forcojnë pozicionin e Hamasit dhe po vonojnë lirimin e pengjeve tona, por gjithashtu po sigurojnë që tmerret e 7 tetorit të përsëriten vazhdimisht dhe se do të na duhet të bëjmë një luftë të pafundme", tha Netanjahu gjatë një takimi javor të kabinetit të tij ushtarak.

Kartum - Të paktën 31 persona humbën jetën, ndërsa 13 janë lënduar në një sulm të Forcave Paraushtarake për Mbështetje të Shpejtë (FMSH) ndaj kampit të refugjatëve në rajonin Darfuri Verior, raportoi DPA duke iu referuar organizatës "Rrjeti i mjekëve të Sudanit".

 Uashington - Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marko Rubio, deklaroi se samiti i  presidentëve të Rusisë dhe ShBA-së, Vladimir Putin dhe Donald Tramp, i mbajtur më 15 gusht në Alaskë, ishte "shumë i mirë dhe produktiv". Në pyetjen e gazetarëve rusë, ai u përgjigj shkurt: "Shumë mirë. Ishte shumë produktive".

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Pasdite do të ketë paraqitje lokale të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior, informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 10 deri në 19 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 28 deri në 35 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR