• e martë, 31 mars 2026
MIA Flesh

12:00 / 30 mars / 2026

Shkup - Të mbijetuarit dhe të lënduarit nga zjarri përballen me pasoja të rënda psikologjike – thekson Prof. Dr. Sllavica Arsova, drejtoreshë e Klinikës Universitare të Psikiatrisë, në konferencën e dytë shkencore të Klinikës Universitare të Dermatologjisë, e cila u mbajt këtë fundjavë në Shkup. Këtë e tregoi hulumtimi i Klinikës Universitare të Psikiatrisë i kryer te 50 persona të lënduar në zjarrin tragjik në Koçan - të anketuar të cilët u trajtuan në kuadër të trajtimit të plagëve me PDL (pulsed dye laser) në Klinikën Universitare të Dermatologjisë. Rezultatet tregojnë se te një e treta e të anketuarve është regjistruar ankth, 27,5 për qind kanë simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD), ndërsa 21,6 për qind përballen me depresion”, thuhet në kumtesën e sotme të Klinikës së Psikiatrisë. Hulumtimi ishte zbatuar në periudhën nga janari deri në mars 2026 dhe do të hulumtohet edhe më shumë me qëllim, siç shtohet në kumtesë, të merren të dhëna shkencore të verifikuara për pasojat psikologjike nga njëra prej tragjedive më të r[nda në historinë më të re të Maqedonisë. 

Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski i shoqëruar nga një delegacion qeveritar sot po qëndron për vizitë politiko-ekonomike në Budapest të Hungarisë. Në kuadër të vizitës, Mickoski do të zhvillojë takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ku do të diskutohet për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe evropiane. Kryeministri do të mbajë fjalim në forumin e biznesit në Budapest të titulluar si “Dita e bashkëpunimit afarist ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ku do të vendosen kontakte të reja dhe do të shqyrtohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet kompanive hungareze dhe të vendit.

Shkup - Këshilli i Bankës Popullore në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar projeksionet më të fundit ekonomikë dhe ka vlerësuar se situata makroekonomike në vend mbetet e qëndrueshme dhe brenda pritshmërive. "Lëvizjet në treguesit kryesor makroekonomik për momentin janë brenda pritshmërive sipas projeksioneve më të fundit, por me rreziqe të theksuara për shkak të pasigurisë së intensitetit dhe kohëzgjatjes së konfliktit në Lindjen e Mesme. Zaten, që nga fillimi i vitit 2026, norma vjetore e inflacionit ka ndjekur një rrugë në rënie dhe në shkurt u ul në 2.9 për qind në përputhje me pritshmëritë, në kushte të ngadalësimit më të fortë të çmimeve në komponentën bazë", theksohet në kumtesën e Bankës Popullore.

Shkup - Uji në territorin e Shkupit është cilësor dhe i sigurt për t’u pirë, kumtuan në mëngjes nga Ndërmarrja Publike "Ujësjellësi dhe Kanalizimi"- Shkup. Ndërmarrja publike publikoi raportin javor për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm, të marrë nga analizat e kryera në Sektorin e Kontrollit Sanitar. "Sektori për Kontroll Sanitar në periudhën nga 23 deri më 27 mars mori 186 mostra për analiza fiziko-kimike për analiza mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 42 pika matëse në Qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve të analizave, të gjitha mostrat janë në përputhje me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm, informojnë nga Ndërmarrja Publike. 

Shkup - Mëngjesin e sotëm më ftohtë është në Kodrën e Diellit, -3 gradë, ndërsa maksimumi 9 gradë është matur në Gjevgjeli, informoi DPHM-ja. Në Kodrën e Diellit ka dhe 59 centimetra borë. Deri në orën 08:30 janë matur -2 gradë në Hnet e Mavrovës, -1 në Manastir dhe Pretor, 0 në Tetovë, Prilep, Ohër dhe Krushevë, 2 në Berovë, 4 në Kriva Pallankë dhe Vinicë, 5 në Kumanovë, 6 në Shtip, Veles dhe Strumicë, 7 në Shkup-Petrovec, Demir Kapi, si dhe 8 në Shkup-Zajçev Rid. 

Rosoman - Është privuar nga liria 27 vjeçari nga Rosomani i cili mëngjesin e sotëm me një mjet të mprehtë vrau nënën e tij, informon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). "Nëpunës policorë nga NJPB Kavadar e privuan nga liria I.R. (27) nga Rosomani. Në SPB Veles, ai vetë ka deklaruar se mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30, në shtëpinë familjare duke përdorur një mjet të mprehtë i ka shkaktuar plagë nga shpimi nënës së tij 54-vjeçare e cila ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së shpejtë të Kavadarit. Mbikëqyrje në vendin e ngjarjes janë duke e bërë prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike- Kavadar dhe një ekip hetimor nga NJPB Kavadar", thonë në MPB.

Rosoman - Një vrasje ka ndodhur në Rosoman, ku një djalë ka qëlluar me thikë nënën e tij. Këtë informacion e konfirmoi për MIA-n, mjeku Ratko Grkov, nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Kavadar, i cili ishte në vendin e ngjarjes në Rosoman. "Ekipi ynë u thirr dhe në vendngjarje konstatuam një therje me thikë në qafë. Nga lëndimi, gruaja ndërroi jetë në vend”, sqaroi Grkov për MIA-n.

Bruksel - Ministrat e Energjetikës të BE-së nesër do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm. Qëllimi i takimit është të shqyrtohen mundësitë për një qasje të koordinuar në kontekst të ngjarjeve në Lindjen e Mesme, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së. Takimi do të mbahet onlajn dhe nuk pritet të miratohen vendime të reja. Javën e kaluar, ministrat e Financave të vendeve të eurozonës u takuan gjithashtu onlajn. Pas takimit, komisioneri europian për çështje ekonomike, Valdis Dombrovskis, theksoi se ngjarjet në Lindjen e Mesme mund të çojnë në inflacion më të lartë dhe rritje më të ulët ekonomike në BE. Ai iu referua vlerësimeve preliminare, sipas të cilave këtë vit, rritja ekonomike në eurozonë mund të jetë 0,4 për qind më e ulët se parashikimet e Komisionit Europian në parashikimin ekonomik të vjeshtës,ndërsa inflacioni mund të rritet për një pikë përqindjeje mbi pritshmëritë. Nëse sfidat e sotme vazhdojnë në afat të gjatë, mund të ketë pasoja edhe më të mëdha, me ulje të rritjes për 0,6 për qind këtë dhe vitin e ardhshëm, sqaroi ai.

Londër - Ministrja britanike e Financave, Rejçel Rivs do t’i bëjë thirrje vendeve të Grupi G-7 të përshpejtojnë procesin e kalimit drejt përdorimit të energjisë së pastër, si masë për të mbrojtur ekonomitë kombëtare nga shoket e shkaktuara nga rritja e çmimeve të naftës dhe gazit. Sipas Ministrisë britanike të Financave, Rivs do të theksojë se rritja e çmimeve të energjencave shkon në favor të Rusisë dhe se ulja e varësisë nga karburantet fosile kufizon ndikimin e Moskës. Gazeta e Londrës "Guardian" shkruan se në takimin e ministrave të Financave dhe Energjetikës të Grupi G7, Rivs, së bashku me ministrin britanik të energjetikës Ed Miliband, do të theksojnë se siguria afatgjate energjetike është e mundur vetëm përmes burimeve të rinovueshme dhe energjisë bërthamore. Po ashtu, ata do t’i bëjnë thirrje partnerëve të përshpejtojnë investimet dhe të reduktojnë varësinë nga karburantet fosile.

Ankara - Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në mars të vitit 2022, armata turke ka kapur gjithsej 275 objekte të dyshimta në ujërat e Detit të Zi, duke përfshirë mina nënujore, dronë dhe dronë detarë. Në kumtesën me shkrim nga Ministria Turke e Mbrojtjes sqaron se që nga viti 2022, marina e ushtrisë turke ka kryer vazhdimisht misione zbulimi, mbikëqyrjeje dhe patrullimi për të zbuluar dhe neutralizuar objekte të dyshimta, në kuadër të detyrimeve të saj ndaj grupit detar të kundërmasave ndaj minave "MCM BLACK SEA", në të cilin marrin pjesë edhe Bullgaria dhe Rumania. 

Ankara - Një valë e re arrestimesh lidhur me dyshime për mashtrim dhe praktika korruptive në komunat e drejtuara nga Partia Republikane Popullore (CHP) opozitare në Turqi ka goditur vendin në ditët e fundit, njoftuan mediat turke. Punonjës të komunës Ankara Etimesgut dhe komunës Antalia e Madhe janë arrestuar. Në një operacion të veçantë këtë mëngjes, u arrestuan këshilltari kryesor i komunës Antalia e Madhe (jug i Turqisë), Xhem Oguz, si dhe një nga punonjësit e komunës, njofton TRT Haber. Arrestimet janë pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion në komunë, të udhëhequr nga Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Stambollit.

Kuvajt – Një punëtor nga India u vra në një sulm iranian ndaj Kuvajtit, njoftoi sot Ministria e Energjetikës së Kuvajtit. Në publikimin në X theksohet se punëtori nga India u vra në sulm iranian ndaj një stacioni për energji elektrike dhe shkripëzimi. Theksohet se sulmi ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm të objektit, si dhe se ekipet teknike punojnë që të sigurojnë vazhdimësi të shërbimeve jetike.

Bejrut - Një paqeruajtës indonezian i Kombeve të Bashkuara është vra, ndërsa një tjetër u plagos rëndë kur një raketë shpërtheu në një pozicion të KB-së në Libanin jugor të dielën, kumtoi organizata. "Askush nuk duhet ta humbasë jetën duke i shërbyer kauzës së paqes", publikoi Forca e Përkohshme e KB-së në Liban (UNIFIL) në X herët këtë mëngjes. "Nuk e dimë origjinën e raketës. Kemi nisur një hetim për të përcaktuar të gjitha rrethanat", shtuan ata. "Sulmet e qëllimshme ndaj paqeruajtësve janë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit dhe mund të përbëjnë krime lufte", kumtoi misioni.

Teheran - Garda revolucionare iraniane sot konfirmoi se komandanti i marinës iraniane, Alireza Tangsiri, u vra në një sulm ajror izraelit që u krye të enjten e kaluar. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Izrael Kac, që të enjten deklaroi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e kanë likuiduar Tangsirin, "personin përgjegjës direkt për operacione terroriste me vendosje minash dhe bllokimin e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar". Kac gjithashtu theksoi se sulmi ishte një "mesazh" për Gardën revolucionare iraniane se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do t’i "ndjekin dhe eliminojnë" një nga një.

Tel Aviv - Armata izraelite ka pezulluar një batalion të tërë rezervistësh pasi ushtarët sulmuan gazetarët e rrjetit televiziv amerikan Si-en-en në Bregun Perëndimor të pushtuar. Batalioni rezervë, i cili i përbërë nga qindra rezervistë të cilët shërbyen në batalionin ultra-ortodoks Neca Jehuda, do të tërhiqet menjëherë nga Bregu Perëndimor dhe do të transferohet në stërvitje deri në njoftim të mëtejshëm. "Batalioni do të kalojë nëpër një proces që synon përforcimin e themeleve të tij profesionale dhe etike", kumtoi armata sot në "Telegram".

Islamabad – Afganistani dhe Pakistani shkëmbyen dje zjarr të fuqishëm, me çka humbi jetën të paktën një person në Afganistan dhe ishin plagosur 16, kryesisht gra dhe fëmijë, deklaroi sot Hamdulla Fitrat, zëvendës i zëdhënësit të administratës së talebanëve në Kabul.  Konflikti i rinisur në zonën kufitare të të dyja vendeve ndodhi në kohën kur në Pakistan u mbajt mbledhje e delegacioneve të forcave rajonale, në të cilën u bisedua për qetësim të situatës në luftën në Iran dhe Lindjen e Mesme, me paralajmërim se Islamabadi mund të jetë nikoqir i bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit si ndërmjetësues. Përfaqësuesit pakistanezë të sigurisë deklaruan se vendi reagon vetëm në granatimin e fuqishëm nga Afganistani dhe se nuk ka pasur lokacione civile që ishin cak i tyre. 

Moskë – Cisterna ruse “Anatoli Kolodkin” që bartë ngarkesë humanitare prej 100.000 tonë naftë ka arrit në Kubë, informoi sot Ministria ruse e Transportit. Anija po pret të shkarkohet në portin e Manasasit. SHBA lejoi cisternën ruse të naftës t’i afrohet Kubës, ndërsa Roja bregdetare amerikane nuk mori urdhër ta ndalojë anijen, megjithëse ka anije në rajon të afta për një operacion të tillë. Me këtë është shmangur konfrontim i mundshëm i drejtpërdrejtë me Rusinë pranë bregdetit amerikan. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi mbrëmë se nuk ka “asnjë problem” me cisternën ruse të naftës pranë brigjeve të Kubës.

Moskë - Në një sulm me dron ukrainas, një person humbi jetën dhe u shkaktua zjarr në qytetin jugor rus Taganrog, në rajonin e Rostovit. Rajoni i prekur nga rënia e mbetjeve u evakuua për shkak të sulmit, deklaroi guvernatori rajonal Jurij Slusar. Pak më vonë, prefektja e qytetit, Svetlana Kambulova, deklaroi se tetë persona u lënduan në sulm. "Tragjedia kryesore sonte është vdekja e një civili. Tetë banorë të tjerë të qytetit kanë kërkuar ndihmë mjekësore", shkroi Kambulova në Telegram.

Uashington – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i paralajmëruan mbrëmë qytetarët e tyre që menjëherë të largohen nga Iraku për shkak të rreziqeve të rritura të sigurisë, duke përfshirë edhe sulmet e mundshme nga ana e Iranit dhe grupeve militante proiraniane ndaj caqeve që kanë lidhje me SHBA-në, duke përfshirë edhe universitetet amerikane në Bagdad dhe në vende të tjera në vend. Sipas kumtesës nga Ambasada e SHBA-së në Irak, grupet proiraniane tashmë kryen sulme të shumta ndaj qytetarëve amerikanë dhe caqeve që kanë lidhje me SHBA-në përgjatë Irakut, duke përfshirë edhe rajonin Kurdistani Irak, si dhe institucionet irakiane dhe objektet civile. 

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp po shqyrton një mision ushtarak në Iran për të sekuestruar gati 400 kilogramë uranium shumë të pasuruar - transmeton "Uollstrit xhurnall". Gazeta citoi dje zyrtarë amerikanë të kenë thënë se Trampi hëpërhë po vlerëson se sa e rrezikshme do të ishte kjo për trupat tokësore të nevojshme për operacionin, transmeton DPA. Trampi është përgjithësisht i hapur ndaj idesë, bën të ditur gazeta, sepse një operacion i tillë ushtarak mund të ndihmojë në arritjen e qëllimit të tij kryesor - parandalimin e Iranit që ndonjëherë të prodhojë armë bërthamore.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Trаmp deklaroi mbrëmë se nuk ka "asnjë problem" me atë që një cisternë ruse për nafte pranë brigjeve të Kubës po dërgon ndihma në ishull për shkak të bllokadës amerikane të naftës. "Kemi një cisternë atje. Nuk kemi problem që dikush të marrë një cisternë nafte, sepse i duhet... duhet të mbijetojë", u tha Trampi gazetarëve në bordin e aeroplanit "er fors uan" ndërsa udhëtonte nga Florida në Uashington. Në pyetjen nëse një raport i "Nju Jork Tajms" se cisternës do t'i lejohet të arrijë në Kubë është e saktë, Trampi me përgjigje: "Nëse ndonjë vend dëshiron të dërgojë naftë në Kubë tani, nuk kam asnjë problem me këtë, qoftë Rusia apo jo".

Uashington - Një aeroplan civil i pa autorizuar ka hyrë në një zonë përkohësisht të ndaluar për fluturim rreth pronës "Mar-a-Lago" të presidentit amerikan Donald Tramp në Florida. Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) njoftoi se aeroplani ishte kapur nga aeroplanët luftarakë "F-16". Ata kanë lëshuar raketa sinjalizuese për të tërhequr vëmendjen e pilotit dhe për të vendosur komunikim, pas së cilës mjeti fluturues është nxjerrë në mënyrë të sigurt jashtë hapësirës ajrore të ndaluar. Në njoftimin e ushtrisë nuk theksohet sa aeroplan kanë qenë të përfshirë në ndërhyrje, as se çfarë lloji ishte aeroplani civil.

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, sot deklaroi se SHBA-ja beson se kanë arritur ndryshimin e regjimit në Iran. Trampi u tha gazetarëve në aeroplanin presidencial se regjimi në Iran është "shkatërruar" dhe "shkatërruar", transmeton Bi-B-si. "Tashmë kemi pasur ndryshim regjimi, nëse e shikoni, sepse një regjim është shkatërruar, të gjithë janë të vdekur", deklaroi Trampi. Ai shtoi se anëtarët e radhës të regjimit iranian janë "kryesisht të vdekur" ndërsa se SHBA-ja "po merren me një regjim të tretë që është i ndryshëm nga kushdo që dikush është përballur ndonjëherë më parë".

QËNDRONI TË LIDHUR