• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 14 janar/ 2024

Shkup  - Nga vetëpromovimi përmes dezinformimit deri te  komunikimi i dobët me qytetarët, politikanët vitin të kaluar në masë të madhe  i kanë përdorë rrjetet sociale, por siç theksojnë ekspertët  qëllimi i arritur ka dështuar.   Komunikologu  Sead Xhigali për MIA-n vlerëson se edhe pse politikanët vitin e kaluar kanë ruajtur ritmin dhe në masë të madhe i kanë përdorur rrjete sociale, shumica e tyre, edhe krahas asaj se nuk kanë krijuar vetë përmbajtjen e tyre, gjithashtu, nuk kanë komunikuar as me qytetarët. Rrjetet sociale janë rritur në një vegël të preferuar të politikanëve përmes së cilës vazhdimisht i ndajnë aktivitetet e tyre, mendimet ose ndërkaq kritikat ndaj  kundërshtarëve politikë.  Megjithat, profesoresha dhe eksperte e mediave Marina Tuneva thekson se edhe krahas rrjeteve sociale përdoren në mënyrë aktive, qasja e politikanëve në shtet nuk bazohet në një strategji komunikimi të menduar mirë. Komunikologu Bojan Kordalov pajtohet që politikanët të humbasin qëllimin e përdorimit të rrjeteve sociale.  

Shkup - Departamenti për Polici Kriminalistike - Sektori për Tregti të Palejuar me Drogë, Armë dhe Materie të Rrezikshme bashkë me SPB Shkup - Njësiti për Tregti të Palejuar me Drogë, NJAS Tigrat dhe Departamenti për Çrrënjosjen e Krimit të Organizuar dhe Serioz, pas urdhërave të prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kanë zbatuar hetim kriminalistik nga shtatori i vitit 2023 deri në janar 2024 për R.K. (45) nga Shkupi, i cili më parë ishte dënuar dhe kishte vuajtur dënimin me burg prej 15 viteve për shitje të drogës. Nga MPB sot njoftuan se gjatë hetimit janë siguruar dëshmi materiale dhe është konfirmuar se R.K. ka blerë kokainë, heroinë dhe mariuhanë dhe pastaj i ka paketuar dhe i ka shitur me çmim prej 3.000 denarë për pako kokainë, prej 600 deri 1.000 denarë për pako heroinë dhe 600 denarë për pako mariuhanë. Gjatë hetimit, theksohet në kumtesë, janë siguruar dëshmi se R.K. u ka shitur drogë shumë personave. 

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informon se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur gjithsej 1.894 thirrje në Numrin e vetëm për raste urgjente 112, prej të cilave thirrje "reale" ishin  35,06 për qind, ndërsa 64,94 për qind ishin për nevoja të tjera të qytetarëve që nuk ishin urgjente.  Në polici ishin dërguar 53,55 për qind, në Ndihmën Mjekësore Urgjente 37,23 për qind, te zjarrfikësit 6,49 për qind e thirrjeve reale në 112 në QMK. Sipas raporteve në QMK për zjarret e regjistruara, të dhënat tregojnë se edhe krahas temperaturave të ftohta, zjarre në vende të hapura ka ende, ndërsa një pjesë e zjarreve në vendbanime janë për shkak të oxhaqeve të djegura.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë në kushte dimërore, nëpër disa rrugë të lagështa.  Në disa akse rrugore të cilat kalojnë përgjatë grykave, njoftuan nga NP Rrugët e Maqedonisë, ka mundësi për paraqitje të rrëshqitjeve të imëta të dheut.  Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.   

Stamboll - Forcat Turke të Sigurisë neutralizuan edhe shtatë ekstremistë të Partisë Punëtore Kurde (PKK) në veri të Sirisë, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes.  Siç bëhet e ditur, "terroristët e PKK-së" ishin sulmuar nga forcat turke derisa planifikonin sulm ndaj ushtarëve turq. PKK ka degën e saj në Sirinë fqinje, dhe është e njohur si IPG.  Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja e shpallën PKK-në si organizatë terroriste

Kopenhagë - Mbretëresha daneze Margareta e Dytë, monarku më jetëgjatë në Evropë, do të abdikojë sot në ceremoni solemne dhe do t'ia dorëzojë kurorën djalit të saj Frederik, saktë 52 vjet pasi ajo ishte kurorëzuar vetë.  Margareta (83) e paralajmëroi abdikimin në fjalimin e saj të Vitit të Ri dhe e caktoi për më 14 janar, data kur ajo vetë e ndërmori kurorën pas vdekjes së babait të saj në vitin 1972.  Në Danimarkë gjatë 900 viteve të fundit asnjë monark vullnetarisht nuk ka hequr dorë nga kurora.  Në publik megjithatë spekulohej për mundësinë e një hapi të tillë për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore. Ajo i ishte nënshtruar një operacioni të rëndë në kurriz vitin e kaluar dhe në prill iu kthye detyrave zyrtare. 

Kiev - Ukraina është dhe do të mbetet prioritet për Francën, porositi mbrëmë ministri i ri francez i Punëve të Jashtme, Stefan Sezhurne në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij ukrainas Dmitro Kuleba.  Sezhurne theksoi se Ukraina është destinacioni i tij i parë jashtë vendit pas emërimit të tij në rikonstruimin e Qeverisë franceze këtë javë.  "Ukraina është dhe do të mbetet prioritet i Francës. Mbrojtja e parimeve themelore e të drejtës ndërkombëtare zhvillohet në Ukrainë", tha Sezhurne në konferencë për media. 

Rejkjavik - Filloi shpërthimi i ri i vullkanit në pjesën jugperëndimore të Islandës, në afërsi të qyteti Grindavik, njoftoi Shërbimi meteorologjik në atë vend, në gadishullin e të cilit Rejkjanes ka pesë shpërthime vullkani nga viti 2021, njoftoi servisi publik i Islandës RUV. Popullsia e Grindavikut prej rreth 4.000 banorësh ishte evakuuar më parë për shkak të aktivitetit të konsiderueshëm sizmik dhe magmatik , ndërsa mbrojtja civile ngriti nivelin e rrezikut në zonë. Në afërsi të Grindavikut ka edhe atraksion turistik, banjë gjeotermale "Blu Lagun" (Blue Lagoon),  ku gjithashtu është evakuuar hoteli. 

Davos - Elita botërore e biznesit dhe shefat e shteteve nga dhjetëra vende të botës janë tubuar sot në qytetin turistik zviceran Davos për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti i cili fillon nesër dhe vazhdon deri të premten më 19 janar, bën të ditur Si-En-En. Forumi i këtij viti mbahet me temën "Kthimi i besimit" dhe do të prekë një sërë temash që lidhen me përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike dhe shqetësimet rreth tregtisë globale që lidhen me Lindjen e Mesme. Inflacioni dhe rritja ekonomike, lufta në Ukrainë, ndryshimet teknologjike dhe fragmentimi global janë poashtu në agjendën e këtij aktiviteti. Ndër figurat kryesore politike që pritet të marrin pjesë në Davos janë kryeministri kinez Li Çijang dhe presidenti francez Emanuel Makron ku që të dy do të kenë fjalime speciale. Makron është i vetmi shef shteti i G7 që merr pjesë në forumin e Davosit. Vitin e kaluar nga G7 në këtë forum ka marrë pjesë vetëm kancelari gjerman Olaf Sholc.

Bruksel- Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian si dhe zgjedhjeve nacionale në nivele të ndryshme në disa vende anëtare të BE-së, në Union ekziston frika se fermerët e pakënaqur të cilët kanë dalë në grevë në disa vende evropiane, mund të instrumentalizohen nga ana e partive populiste djathtiste. Sipas analistëve në kushte të tilla të pakënaqësisë, fermerët të cilët zakonisht konsiderohen si pjesë më konservatore e elektoratit, lehtë mund t'i orientojnë votat e tyre drejt ekstremit të djathtë.

Uashington - Liderët e Kongresit amerikan arritën marrëveshje për draft-ligjin për financim afatshkurt prej dy kësteve që të sigurohet financim i qeverisë deri në mars, tha një burim i informuar mirë për Si-En-En. Me draft-ligjin e ri parashihet financim i Qeverisë deri 1 dhe 8 mars.  Marrëveshja ishte arritur pak para afatit të parë për financim më 19 janar.  Afati i dytë për financim qeveritar ishte 2 shkurti.  Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve sot do të mbajnë konferencë onllajn që të bisedojnë për vazhdimin e financimit të qeverisë, deklaroi burimi për Si-En-En. 

Sidnej - Qindra zjarrfikës australian sot po luftojnë me zjarrin në afërsi të Pertit, kryeqyteti i Australisë Perëndimore, ndërsa autoritetet i bëjnë thirrje popullatës që të largohet nga zonat e rrezikshme.  Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës deklaroi se me zjarrin luftojnë 240 zjarrfikës, si dhe se situata është në nivelin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe shkallë më të lartë të alarmimit për rrezik. Në zjarrin, i cili shpërtheu dje u dogjën rreth 417 hektarë në zona të egra, të pabanuara, ndërsa Zyra Meteorologjike sot dha alarm për "rrezik ekstrem nga zjarri" për disa pjesë të Australisë Perëndimore. 

De Moj - Bota asnjëherë nuk ka qenë më afër shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore, deklaroi ish presidenti amerikan Donald Tramp duke folur para mbështetësve të tij në Ajova.  "Mendoj se asnjëherë nuk kemi qenë në rrezik aq të madh nga lufta e tretë botërore siç jemi tani. Dhe siç them në këtë fjalim, do të parandaloj luftën e tretë botërore, i njoh të gjithë ata njerëz", tha Trampi. Sipas politikanit, SHBA-ja nën udhëheqjen e trashëgimtarit të tij Xhozef Bajden është bërë "shtet i dobët dhe joefikas" mendimi i të cilit nuk meret parasysh në skenën botërore. 

Tokio - Aeroplani "Boing 737" i linjës ajrore japoneze ANA (All Nippon Airways) dje është kthyer në aeroportin e qytetit Saporo pasi gjatë fluturimit është plasaritur një dritare në kabinën e pilotit, bëri të ditur rrjeti televiziv britanik Bi-Bi-Si. Aeroplani fluturonte për në Tojama. Plasaritja u paraqit në shtresën e jashtme të dritareve që rrethojnë kabinën. Incidenti nuk ishte serioz, por nëse nuk zgjidhej, mund të ishte ‘shumë rrezik’”, deklaroi një ekspert anonim i aviacionit duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar. Një zëdhënës anonim i linjës ajrore japoneze deklaroi se çarja u zbulua gjatë kohës së fluturimit mbi qytetin Hakodate.

Phenian - Ministrja koreanoveriore e Punëve të Brendshme, Çoe Son Hui do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Federatën Ruse prej nesër deri më 17 janar, me ftesë të ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, informon sot agjencia koreanoveriore e lajmeve.  Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zaharova e konfirmoi ardhjen e delegacionit koreanoverior me të cilin do të bisedojë shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.  "E presim delegacionin koreanoverior në Moskë. Janë planifikuar bisedime me Sergej Lavrovin", tha Zaharova. 

Pekin - Kina sot i dënoi deklaratat e përfaqësuesve zyrtarë amerikanë, britanikë dhe japonezë të cilët e uruan presidentin e sapozgjedhur të Tajvanit dhe i paralajmëroi ato vende se e mbështesin Partinë Progresive Demokratike.  Ministria kineze e Punëve të Jashtme njoftoi se deklarata e Departamentit të Shtetit amerikan për zgjedhjet në Tajvan seriozisht e dëmton parimin një Kinë dhe tri kumtesat e përbashkëta ndërmjet Kinës dhe SHBA-së dhe dërgon, siç është bërë e ditur, "sinjal serioz të gabuar për forcat separatiste për pavarësi të Tajvanit". 

Tel Aviv - Ronen Bar, shef i shërbimit izraelit të sigurisë Shin Bet do të tërhiqet në fund të luftës në Gazë për shkak të lëshimeve të inteligjencës para sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, deklaroi paraardhësi i tij në këtë pozicion Jakov Peri. “Kam folur drejtpërdrejt me të për atë që pritet dhe nuk kam asnjë dyshim se ai do të jetë ndër të parët që do të dorëzojë çelësat. Qëllimi i tij është të largohet nga pozicioni”, ka thënë Peri. Bar mori përgjegjësinë personale më 15 tetor, duke deklaruar se nuk ka pasur paralajmërime të mëparshme të inteligjencës për sulme në vendbanimet kufitare në jug të Izraelit.

Islamabad - Gjykata Supreme e Pakistanit ia ndaloi partisë së ish kryeministrit Imran Kan që të marrë pjesë në zgjedhje dhe vendimi është goditje e rëndë për partinë e cila ende është e popullarizuar në mesin e popullit.  Në vendimin e publikuar rreth mesnatës, Gjykata Supreme ia ndaloi partinsë së Kanit që të përdorë simbolin e partisë - shkopin e kriketit, në fletët e votimit për dështimin në mbajtjen e zgjedhjeve të detyrueshme të brendshme partiake. Vendimi nënkupton që qindra kandidatë nga Tehrik-e-Insaaf (PTI) pakistanez do të garojnë në zgjedhje si të pavarur dhe do t'u jepen simbole të ndryshme zgjedhore.

QËNDRONI TË LIDHUR