• e shtunë, 06 dhjetor 2025
MIA Flesh

15:00/ 2 gusht/ 2025

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në emër të deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dërgoi urime më të sinqerta për festën e 2 Gushtit – Ditës së Republikës. "Kjo ditë simbolizon përpjekjet historike për një shoqëri të lirë, të barabartë dhe demokratike, vlera që sot janë themel i bashkëjetesës dhe institucioneve tona. Kjo datë nuk është vetëm historia e shtetit, por edhe një përgjegjësi për ta ruajtur dhe avancuar më tej vizionin për një shtet modern, të orientuar drejt paqes, progresit dhe integrimit euroatlantik. Uroj që kjo ditë të shërbejë për të reflektuar për rrugën e përbashkët që kemi ndërtuar si shtet dhe si shoqëri, si dhe për të inkurajuar më tej mirëkuptimin, bashkëveprimin dhe përkushtimin për të mirën e vendit, pavarësisht dallimeve etnike, fetare, e politike", qëndron në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Shkup – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova me rastin e 2 Gushtit, Ilindeni – Dita e Republikës, u dërgoi urim qytetarëve me porosi se Ilindeni i vitit 1903 dhe ai i KAÇKM-së nga viti 1944 janë thelbi i historisë maqedonase, zemra e republikës maqedonase, shpirti i shtetësisë maqedonase.  “Ilindeni është thelbi i historisë maqedonase, Ilindeni është zemra e republikës maqedonase, Ilindeni është shpirti i shtetësisë maqedonase, Ilindeni është një ditë e vështirë dhe e mrekullueshme, një ditë trishtimi dhe gëzimi të pamasë, por edhe një ditë dhimbjeje dhe krenarie! 2 Gushti është dita e dy Ilindenëve: ai i Krushevës që lindi idenë e Republikës dhe ai i KAÇKM-së që e solli atë në jetë. I pari ishte një shkëndijë, i dyti një flakë, i pari ishte një britmë çlirimtare dhe një epope heroike, i dyti ishte një konstituim shtetëror pas fitores”, thotë Siljanovska-Davkova.

Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski dërgoi urim deri te qytetarët e rastin e 2 Gushtit - Ditës së Republikës, Ilindeni. "Ilindeni është themeli mbi të cilin u ndërtua shtetësia bashkëkohore e Maqedonisë. Ilindeni është e vërteta për Maqedoninë, e cila jeton. Kjo nuk është vetëm histori - ky është identitet i gjallë, përkujtues i synimit për liri, drejtësi dhe shtet të vetin. Në këtë ditë kujtojmë guximin dhe sakrifikimin e atyre që e kanë filluar luftën tonë për pavarësi dhe dinjitet", thuhet në urimin e kryeministrit Mickoski. Ky synim sot u realizua, por jo edhe përfundua, thuhet në urimin.

Shkup– Kryetari i LSDM-së, Venko Filpçe sot nga Krusheva dërgoi urime me rastin e 2 Gushtit, Ditës së Republikës – Ilindeni.  “Ju uroj festën e Ilindenit nga Krusheva historike dhe e guximshme, ku filloi revolucioni, ku filloi lufta e madhe, epopeja për një shtet të lirë dhe të pavarur. Sot i festojmë të dy Ilindenët, atë të vitit 1903 dhe atë të vitit 1944 dhe KAÇKM-në. Së pari duhet të kujtojmë dhe t'u bëjmë nderime të gjitha viktimave që, me gjakun e tyre, me sakrificën e tyre, ndërtuan themelet e shtetit tonë modern. Ata e filluan luftën që nga një vend i varfër, gjysmëfeudal dhe i pazhvilluar, tani të jetojmë në një shtet modern dhe të zhvilluar”, thotë Filipçe. Por, shton ai, sot vazhdon lufta për integrimin e vendit në BE, për çka, thotë, nevojitet shumë punë, por edhe bashkim. 

Shkup– Kryeministri Hristian Mickoski, sot nga Shkupi e uroi festën 2 Gushti – Ilindeni, Dita e Republikës. “Kjo ditë le të na kujtojë sakrificën që kanë bërë gjeneratat që gjenerata jonë të kenë atë që kemi sot - që është një shtet i lirë dhe i pavarur i Maqedonisë. Le të na kujtojë sakrifica e tyre se çfarë shteti duhet t'u lëmë gjeneratave që vijnë pas nesh. Një shtet në të cilin do të kemi qytetarë të lumtur, një shtet që do të jetë i begatë. Një shtet që do të jetë atdhe për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike. Le të bashkojë kjo ditë, kjo është një ditë për bashkim. Le të festohet, madje do të thoja që le të jetë dita jonë e përjetshme. Le ta nderojmë me dinjitet, Shën Ilia na ndihmoftë”, tha Mickoski në deklaratë për mediat.

Shkup– Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, sot, në kuadër të shënimit të 2 Gushtit, Ilindeni – Dita e Republikës, në Krushevë, vendosi lule në varrin e presidentit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev dhe në monumentin e heronjve në lokalitetin “Sliva”. Siç bënë të ditur nga kabineti i presidentes, Siljanovska – Davkova mori pjesë edhe në ngjarjen përkujtimore në tempullin “Shën Nikolla”. Delegacione nga Kabineti i presidentes sot vendosën lule para Qendrës Përkujtimore të KAÇKM-së në Pelincë, para monumentit të Nikolla Karevit në Shkup, si dhe para monumentit të KAÇKM-së dhe të kryetarit të Presidiumit, Metodia Andonov – Çento. Një delegacion nga Kabineti mori pjesë edhe në shënimin e Ilindenit në Smilevë. 

Shkup– Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dërgoi urime me rastin e shënimit të 2 Gushtit – Ilindeni, Dita e Republikës.  “Lavdi heronjve të betejës së Slivës që dhanë jetën për lirinë e Maqedonisë dhe lavdi heronjve të Ilindenit dhe të mëdhenjve të epopesë së Ilindenit. Shumë heronj dhanë jetën për lirinë e Maqedonisë. Lavdi e përjetshme!”, thekson Nikolloski, i cili sot ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Krushevë.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski me rastin e festës së Ilindenit dërgoi urime deri te pjesëtarët e Armatës, të punësarit në Ministri dhe deri te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai në urim thotë se "kjo është dita kur kujtojmë revolucionarët e shumtë dhe luftëtarët për Maqedoni të pavarur, të cilët me sakrifikimin e tyre kanë shkruar faqe në historinë e Maqedonisë". "Kjo është dita e Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së parë në Ballkan, por edhe e KAÇKM-së dhe Luftës Nacional-çlirimtare. Kjo ditë është dritë e luftës sonë për vendin tonë, sinonim i ekzistencës sonë! Ditë që është simbol i fitores sonë të madhe!", thotë ministri i Mbrojtjes.

Kumanovë – Edhe këtë vit, me krenari dhe dinjitet i nderojmë luftëtarët e Maqedonisë së lirë dhe të pavarur, heronjtë e dy Ilindenëve të cilit u sakrifikuan, që sot të mund të jemi vetvetja, tu premtojmë se gjeneratat e tashme nuk do ta harrojnë betimin të cilin e lanë dhe t’i drejtojmë shikimet tona, aspiratat nga e kaluara e përbashkët drejt të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët, theksoi nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska para Qendrës Përkujtimore KAÇKM nga Pelinca, në shënimin e 81-vjetorit të mbledhjes së parë të KAÇKM. Duke folur për dy Ilindenët, Bendevska tha se sot e jetojmë ëndrrën e luftëtarëve të Ilindenit të vitit 1903 dhe të KAÇKM 1944, duke theksuar se janë themeli në të cilin bazohet shteti i Maqedonisë së Veriut. Duke folur për të kaluarën, Bendevska tha se me Ilindenin e vitit 1903 është krijuar Republika e parë e Ballkanit, 41 vjet më vonë, vazhduesit e ëndrrës së ilindenasve, e vunë themelin e shtetit të pavarur të Maqedonisë, ndërsa në Ilindenin e tretë 8 shtator 1991 u përmbyll angazhimi për shtet të pavarur. 

Manastir - Sot nuk jemi këtu që të përkujtohemi në të kaluarën si diçka të humbur, por të inspirohemi prej saj. Ta shndërrojmë sakrifikimin e paraardhësve tanë në fuqi që na çon përpara. Sot nga Tërnova, dërgojmë porosi të vetbesimit, se jemi të bashkuar, se mundemi, se dëshirojmë. Jo që të jemi kundër dikujt, për që të jemi për vete, për Maqedoninë, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski në takimin tradicional me rastin e Ilindenit, që mbahet në fshatin Tërnovë. Në tubimin popullor, në kishën Shën Mëria, ministri Toshkovski tha se shteti nuk është krijesë e rastësishme, por rezultat i luftës shekullore.

Shkup - Dy shtëpi u dogjën plotësisht në një zjarr të raportuar herët sot në mëngjes në Lisiçe, ndërsa një person është transportuar në Qendrën Klinike për shkak të lëndimeve, njoftoi sot pasdite Ministria e Punëve të Brendshme. "Sot rreth orës 01:30, në SPB Shkup është denoncuar se ka shpërthyer një zjarr në një shtëpi në rrugën 'Gjorgje Andreeviq-Kun' në lagjen Lisiçe të Shkupit. Nga zjarri janë djegur plotësisht dy shtëpi, në pronësi të S.S. (61) dhe D.Gj. (30), ndërsa pjesërisht është përfshirë nga zjarri edhe çatia e shtëpisë së S.G. (57). Zjarri është shuar nga Brigada e zjarrfikësve e Shkupit. S.S. ka pësuar lëndime dhe me autoambulancë është transportuar në Kompleksin e Klinikave 'Nëna Terezë' për dhënien e ndihmës mjekësore", sqaruan nga MPB. 

Shkup - Nga Kompleksi i Klinikave “Nëna Terezë” në orën 1:20 është raportuar se për të marrë ndihmë mjekësore nga INK Burgu i Idrizovës ishte sjellë i burgosuri S.D., por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai ka ndërruar jetë në ora 03:07. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi sot se për rastin është njoftuar prokurori publik, me urdhër të të cilit trupi i të ndjerit është dorëzuar për autopsi.

Prishtinë - Prishtina mbrëmë u shndërrua në kryeqendrën e muzikës botërore, kur ylli me famë planetare, Dua Lipa, dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në hapjen e edicionit të pestë të festivalit “Sunny Hill”. Ky festival, i cili mbahet më 1, 2 dhe 3 gusht, organizohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa dhe vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon. Mega ylli Dua Lipa, e cila prej vitesh dominon skenën muzikore globale, në Prishtinë solli një shfaqje energjike, duke interpretuar këngë nga albumi i saj më i fundit "Radical Optimism", si dhe disa nga hitet më të mëdha të dy albumeve të saj paraprake. Performanca e saj u shoqërua me koreografi të fuqishme dhe një skenografi moderne që krijuan një përvojë vizuale dhe muzikore të paharrueshme për publikun.

Moskë – Të paktën tre persona ishin vrarë gjatë natës në sulmet me dronë ukrainas në jug të Rusisë, njoftuan autoritetet lokale.  Sulmet ndodhën në rajonet Rostov dhe Penza, si dhe në Samara, e cila është larg vijës së frontit.  Ushtria ruse njoftoi se gjatë natës ka kapur 112 dronë ukrainas.  Në Ukrainë një person humbi jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar në granatimin rus sot në mëngjes në qytetin Herson, njoftoi Administrata Ushtarake e Hersonit në Telegram. 

Kiev- Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 45 nga gjithsej 53 dronë, të cilat i ka shfrytëzuar Rusia për sulme ndaj Ukrainës, njoftuan forcat e armatosura ukrainase në Telegram. Sulmi filloi dje rreth orës 18. Rusia ka lansuar 53 dronë, duke përfshirë 45 dronë "Shahed", si dhe disa dronë-mashtrues. Ato janë dërguar në Milerovo, Kursk dhe Bërjanks në Rusi, si dhe nga vendi Gvardejskoe në Krime, e anektuar nga Rusia. Tetë dronë super të shpejtë janë dërguar nga Bërjanks. Forcat ukrainase e rezistuan sulmin me aksione të koordinuara të aviacionit ushtarak, njësive raketore kundërajrore, forcave për luftim elektronik dhe grupeve mobile zjarrfikëse.

Njukasëll - Menaxhmenti i Njukasëll e ka refuzuar ofertën e parë të Liverpullit për sulmuesin Aleksandar Isak, njoftoi "Sky Sports". Sipas mediumit britanik, Liverpulli ka ofruar 110 milionë funta për lojtarin plus bonuse, me çka kontrata mund të rritet në 120 milionë funta. Menaxheri i Njukasëll, Edi Hau, konfirmoi se klubi e ka refuzuar ofertën e Liverpullit. Isak nuk udhëtoi me klubin në turnenë parasezonale dhe po stërvitet individualisht në bazën e Real Sosiedad në Spanjë.

Londër - Futbollisti i Totenhemit, Son Hjun-Min konfirmoi se dëshiron të largohet nga klubi këtë verë. "Kërkova leje për t'u larguar nga Totenhemi. Vendimi është marrë, kam bërë gjithçka që kam mundur këtu dhe tani më duhet një sfidë e re. Ky është vendimi më i vështirë në jetën time. Erdha në Londrën veriore si fëmijë dhe po largohem si njeri i ri. Falënderit të gjithë tifozëve të Sparsave, të cilët më dhanë aq shumë dashuri", deklaroi Son për "football.london". Koreani iu bashkua Totenhemit nga Baer Leverkuzen në vitin 2015. Ai ka luajtur 454 ndeshje për klubin anglez, duke shënuar 173 gola dhe 101 asistime.

QËNDRONI TË LIDHUR