
18:00 / 25 prill / 2025
Shkup - Një person është plagosur pas të shtënave me armë zjarri në rrugën "Vojdan Çernodrinski" në zonën e Bit Pazarit, kumtuan nga Ministria e Punëve të Brendshme. "Sot (25.04.2025) rreth orës 14:00 në SPB Shkup është raportuar se në rrugën 'Vojdan Çernodrinski' në zonën e Bit Pazarit ka pasur të shtëna me armë zjarri. Nëpunësit policorë nga Stacioni policor i Bit pazarit kanë dalur në vendin e ngjarjes, të cilët kanë konstatuar se bëhet fjalë për një shkëmbim zjarri të armatosur, pas çka një person ka mbetur i plagosur dhe është transferuar në Qendrën Emergjente pranë kompleksit klinikë 'Nënë Tereza'", theksohet në kumtesën e MPB-së.
Shkup - Ligji i ri për energjetikë që kaloi leximin e parë në Kuvend është një dokument që do të formësojë sektorin energjetik të Maqedonisë në dekadat e ardhshme, tha sot Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska. "Nuk morëm vërejtje për ligjin e ri për energjetikë, por do të ketë shumë përfitime nga ligji që duhej të miratohej në fund të vitit 2023. Ne punuam shumë dhe e hartuam këtë ligj, i cili ka 317 nene. Me të do të formohen komunitete energjetike përmes të cilave qytetarët do të jenë në gjendje të instalojnë panele solare dhe të kujdesen për faturat e energjisë elektrike", deklaroi Bozhinovska pas takimit të sotëm me gazetarët në Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Shkup - Marrja në pyetje e personave të dëmtuar në hetimin për zjarrin tragjik që ndodhi në diskoteken "Puls" në Koçan është planifikuar të fillojë në fillim të majit, kumtoi Prokuroria Publike. Ata informuan se për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve dhe të prekurve, do të vijojë njoftim shtesë me detaje mbi orarin dhe dinamikën e marrjes në pyetje. Ekipi i prokurorisë që punon në rastin, siç thonë nga PP-ja, po ndërmerr intensivisht veprime urgjente, të cilat aktualisht përfshijnë seanca dëgjimore dhe koordinim të mendimeve të ekspertëve të nevojshëm për të siguruar prova për procedurën penale.
Shkup - Ne kemi vendosur qëllim që të bëhemi vendi i 28-të i BE-së deri në fund të vitit 2028. Disa do të thoshin se kjo është ambicioze, por unë do të thosha se po i dërgojmë mesazh të fortë Brukselit dhe qytetarëve tanë se jemi gati për këtë. Shoqëria e Malit të Zi ishte e bashkuar rreth interesit kombëtar dhe kështu arritëm qëllimin tonë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviç në konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunski. "Nuk mund të flasim për sigurinë dhe prosperitetin e tërë Ballkanit Perëndimor, pa perspektivën evropiane dhe euroatlantike të rajonit. Çdo sukses i çdo vendi, çdo hap, çdo kapitull i hapur, çdo klaster i hapur, është një hap tjetër më afër Brukselit dhe drejt historisë evropiane. Nga ana tjetër, Mali i Zi aktualisht ka epitetin e liderit, por ne besojmë se suksesi ynë është edhe suksesi i Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor", tha ai.
Shkup - Kemi dialog dhe komunikim me Sofjen dhe nuk do të lejojmë që kjo të ndalet sepse nëse mungon iniciativa dhe dialogu nga ana jonë, atëherë ne do të jemi edhe bashkëpjesëmarrës në një proces të bllokimit të integrimit evropian, që është në kundërshtim me qëllimin e shtetit, e ky është zhbllokimi sa më i shpejt i bisedimeve. Përkushtimi ynë ndaj integrimit evropian duhet të pushojë së maturi sipas kapacitetit të koncesioneve të çdo qeverie në këtë shtet në raport me çështjet kombëtare. Këtë e deklaroi kreu i diplomacisë Timço Mucunski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën për media me homologun e tij malazez Ervin Ibrahimoviq
Shkup - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot ka realizuar takim me delegacionin e Komisionit për respektimin e obligimeve dhe zotimeve nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës - Komisioni Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në përbërje të delegacionit janë Sibel Arslan, nga Zvicra - Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve, Zhozef O-Rajlli nga Irlanda, Grupi i Partisë Popullore Evropiane, dhe Agnjeshka Shklana, sekretare e Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Siç bënë të ditur nga KSHZ, përfaqësuesit e delegacionit u njoftuan për aktivitetet e vazhdueshme dhe përgatitjet e KSHZ-së për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale në vitin 2025.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim lamtumire me Sheik Jasim Bin Hamad Al-Tani, ushtrues detyre në Ambasadën e Shtetit të Katarit. Siç informuan nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në takim mori pjesë edhe deputeti Salim Sulejmani, kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentet e Lindjes së Afërt dhe Gjirit Arabik. Kryetari Gashi shprehu mirënjohje të sinqertë për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e rëndësishëm të Sheikut Al-Thani në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shtetit të Katarit gjatë mandatit të tij.
Shkup – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit informon se në kuadër të kompetencave të tij, vazhdon të funksionojë rregullisht në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave. “Si institucion mbetemi transparentë dhe të hapur për publikun dhe për bashkëpunim me organet kompetente”, thuhet në kumtesën dërguar mediave nga Antikorrupsioni, në lidhje me ngjarjet aktuale.
Shkup - Nëpunësit policorë sot e privuan nga liria J.O. (34) nga Shkupi për shkak se rreth orës 11.30 në rr. “Xhon Kenedi” në Shkup, duke drejtuar motoçikletën ,,piaxho’’ me targa të Shkupit, ka goditur një vajzë 10-vjeçare. Me automjetin e Ndihmës së shpejtë mjekësore, e mitura është dërguar në kompleksin e klinikave "Nëna Tereza" në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik dhe pas dokumentimit të rastit, kundër J.O. do të parashtrohet kallëzim përkatës", kumtuan nga MPB-ja.
Shkup – Kryetarja aktuale e KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska, e cila është e dyshuar për zbulim të sekreteve zyrtare në rastin “Aditiv” nuk guxon të ketë kontakt me lëndë, postë dhe dokumente të tjera lidhur me punën e Antikorrupsionit, ndërsa njëherësh nuk mund të votojë dhe të shpërndajë lëndë. Dimitrovska, dje ishte nxjerrë para Gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, i cili duke vendosur sipas propozimit të Prokurorisë, i përcaktoi masa të kujdesit dhe ndalesë për ndërmarrjen e aktiviteteve të punës.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska nesër do të marrë pjesë në meshën mortore të Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut, e cila do të mbahet para bazilikës Shën Pjetri në Vatikan. Siç kumtoi Kabineti i Siljanovska-Davkova, me meshën do të kryesojë kardinali Xhovani Batista Re, dekan në Kolexhin e kardinalëve. Në përcjelljen e fundit të Papës në sheshin Shën Pjetri u paralajmërua prania e shumë liderëve botërorë - presidentëve dhe kryeministrave, anëtarëve të familjeve mbretërore, udhëheqësve fetarë dhe rreth 200.000 besimtarëve.
Prishtinë - Parlamenti i Kosovës nuk ka arritur as për herë të gjashtë të zgjedhë kryetarin e saj, duke vazhduar bllokadën institucionale pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt, njoftojnë mediat lokale. Lëvizja "Vetëvendosje" e kryeministrit të deritanishëm Albin Kurti, e cila fitoi në zgjedhjet e 9 shkurtit, përsëri e propozoi ministren e deritanishme të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Kryetare të Kuvendit, por, ashtu si në votimet e mëparshme, ajo mori 57 vota nga 61 të nevojshme në parlamentin me 120 deputetë. "Kundër" votuan 47 deputetë, ndërsa tre abstenuan.
Budvë - Kur rrezikohet siguria, asgjë nuk është më e rëndësishme, deklaroi sot zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska në një takim me të rinjtë në Budvë, Mal të Zi. "NATO mbetet aleancë mbrojtëse, por historia, që nga kohërat e lashta tregon se nëse duam të shmangim luftën, duhet të jemi të përgatitur për të", tha Shekerinska. Ajo shtoi se duke treguar forcë, unitet dhe vendosmëri për të mbrojtur çdo aleat, Aleanca do të arrijë pikërisht këtë – të parandalojë konflikte.
Romë - Zëdhënësja e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen, deklaroi se është e mundur të ketë një takim me presidentin amerikan, Donald Tramp përderisa ai është në Romën për funeralin e Papa Françeskut, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA. "Po shqyrtojmë mundësinë e një takimi, megjithëse përm momentin asgjë nuk është konfirmuar", deklaroi zëdhënësja Paula Pinjo. Ajo shtoi se qëllimi kryesor i udhëtimit të Fon der Lajen në Romë është funerali i Papa Françeskut, jo një bisedë për tregtinë dhe tarifat.
Bruksel – Këshilli i BE-së sot mori vendim për ndarjen e 15 milionë euro ndihmë shtesë në kuadër të Instrumentit Paqësor Evropian (IPE) për fuqizim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe aftësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gatishmërisë së saj operative, informon korrespodenti i MIA-s nga Brukseli. “Sot u pajtuam që t’i sigurojmë Maqedonisë së Veriut mbështetje shtesë nga BE-ja në vlerë prej 15 milionë euro për Armatën e saj”, deklaroi në lidhje me vendimin përfaqësuesja e lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Kaja Kallas.
Kiev - Delegacioni i Kievit, i cili mori pjesë në një takim me aleatët në Londër këtë javë, i konfirmoi qëndrimet e tij parimore mbi negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke përfshirë një refuzim kategorik për t'i lëshuar Rusisë cilindo territor ukrainas, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punve të Jashtme të Ukrainës. Georgi Tiki në konferencë për shtyp deklaroi se delegacioni ukrainas, gjithashtu, përjashtoi mundësinë që cilido vend të ketë të drejtën e vetos mbi pjesëmarrjen e ardhshme të Ukrainës në aleanca. Tiki shtoi se Kievi nuk do të lejojë vendosjen e kufizimeve ndaj forcave të tij të armatosura.
Teheran – Ministri iranian i punëve të jashtme, Abas Aragçi, nesër do të udhëtojë në Maskat që të marrë pjesë në rrethin e tretë të bisedimeve indirekte bërthamore me SHBA-në, njoftuan mediat iraniane. Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të punëve të jashtme, Esmail Bagai, deklaroi se Teherani dhe Uashingtoni janë pajtuar që të mbajnë takime paralele në nivel teknik dhe të ekspertëve në praninë e negociuesve të lartë nga Irani dhe SHBA-ja. Ai theksoi se progresi në bisedime varet nga vullneti i mirë, serioziteti dhe realizmi i palës së kundërt.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot deklaroi se negociatata paqesore ruso-ukrainase "po përparojnë, shpresojmë, por situata është shumë e brishtë". "Asgjë nga këto nuk duhet të kishte ndodhur", tha Trampi dhe përsëri fajësoi ish presidentin amerikan, Xho Bajden për konfliktin e inicuar nga presidenti rus, Vlladimir Putin. Ditët e fundit, Trampi ka folur me optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, edhe pse Ukraina kundërshton çdo mundësi për të njohur territorin e saj si rus, pas çka sipas të gjitha gjasave do të jetë pjesë e propozimit paqesor të presidentit amerikan.
Kito - Tërmet i fuqishëm me intensitet prej 6,3 ballë sipas shkallës së Rihterit sot e ka goditur rajonin në afërsi të bregut të Ekuadorit, njoftoi Qendra sizmologjike evropiane-mesdhetare (QZEM). Tërmeti ka ndodhur në thellësi prej 23 kilometrave, njoftoi QZEM. Epiqendra e tërmetit ka qenë në 21 kilometra në verilindje nga qyteti bregdetar, Esmeraldas.
Moskë - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin sot ka pritur përfaqësuesin e posaçëm të presidentit amerikan, Stiv Uitkof, deklaroi zëdhënës i Kremlinit për gazetarët, në takimin e tyre të katërt që nga fillimi i vitit. Ky është takimi i dytë midis Putinit dhe Uitkofit në dy javët e fundit dhe i katërti që nga fillimi i vitit. I fundit u mbajt në Shën Petersburg më 11 prill dhe zgjati më shumë se katër orë, ndërsa në rendin e ditës ishte Ukraina. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov sqaroi se problemi ka shumë aspekte, duke shtuar se "thelbi është shumë kompleks, kështu që bisedimet zakonisht janë mjaft të gjata".