• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 11 mars 2023

Shkup - Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stjuart Piç, në një intervistë për MIA-n tha se të gjithë politikanët e vendit duhet të mendojnë me kujdes se çfarë është në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarët që jetojnë në të dhe theksuan se është koha që të gjithë aktorët politikë të ndihmojnë në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për ndryshimet kushtetuese dhe faktin se shumica e nevojshme prej dy të tretave aktualisht nuk është siguruar, duke qenë se opozita është e vendosur të mos mbështesë ndryshimin e Kushtetutës dhe këmbëngul në qëndrimin e zgjedhjeve të parakohshme, ai tha se do të ishte e padrejtë ndaj popullit të këtij vendi të vonohej rruga evropiane për të cilën qeveri të ndryshme kanë punuar fort prej shumë vitesh.

Shkup- Tre vjet më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë e virusit korona pasi ai u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Vuhan në dhjetor të vitit 2019. Bota u përball me orë policore, mbajtjen e maskave mbrojtëse, kufizimet e ngjarjeve publike, testimin masiv për Kovid-19, mësimin onlajn dhe punë nga shtëpia. Përditshmëria e qytetarëve ka ndryshuar për 360 gradë. Dezinfektim në çdo hap, ndërsa virusi korona ka detyruar një pjesë të madhe të popullatës të vendosë socializimin në pauzë.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike në Shkup, sipas ligjit, nuk mund të veprojë për lëndë për furnizime publike, por atë kompetencë e ka PTHP për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, tha shefi i Prokurorisë Themelore Publike (PTHP) Shkup, Gavril Bubevski. I pyetur në lidhje me rastin me furnizimin publik për zgjedhjen e konsulentit, gjegjësisht mbikëqyrje të ndërtimit të autostradave nga korridoret 8 dhe 10d të cilët do t'i ndërtojë konsorciumi amerikan-turk "Behtel dhe Enka", në emisionin "360 gradë" në TV Alsat dhe konkretisht për instrumentin "pas zërave", i cili shumë shpesh përmendet në publik, Bubevski sqaron se ai është një nga tre instrumentet të cilët prokurorët i kanë në dispozicion për të filluar procedurë, por edhe se ai përdoret vetëm nëse institucionet më parë kanë dështuar. Lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi në fillim të kësaj jave në një lokal në Çarshinë e Vjetër, Bubevski tha se për momentin informacionet që kanë janë ato që i di publiku dhe se hetimi paraprak i PTHP-së nuk mund të kthehet në hetim përderisa nuk dihet identiteti i vrasësve. Për momentin, tha ai, nuk mund të thotë asgjë për motivet e vrasjes, përveç se siç thotë ai, duket qartë se bëhet fjalë për pozita në tregun e drogës.

Shkup - Asnjëhjerë nuk guxon të përsëritet e keqja e tmerrshme e 11 marsit të vitit 1943, kur filloi dëbimi i hebrenjve nga Maqedonia në kampet e vdekjes në Treblinkë, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në profilin e tij në Fejsbuk me rastin e shënimit të 80-vjetorit të dëbimit të hebrenjve nga Maqedonia në kampin e vdekjes në Treblinkë. "Jetët e shuara të 7.144 fëmijëve, grave dhe burrave hebrenj nga vendi ynë, mes humbjes tragjike të mbi gjashtë milionë hebrenjve që u vranë kriminalisht në kampet naziste në mbarë botën, do të mbeten përgjithmonë alarm për njerëzimin. Nuk guxojmë të lejojmë asnjë formë të intolerancës, antisemitizmit, fashizmit", thuhet në postimin në Fejsbuk.

Shkup - Vendosëm të bëhemi pjesë e shumicës parlamentare pasi kështu japim mundësi për t'u krijuar numrat e nevojshëm për kalimin e ndryshimeve kushtetuese. Kështu e arsyeton vendimin e kyçjes së ASH-së në Qeveri, sekretar organizativ i këtij subjekti dhe kryetar i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani. Ai në emisionin "Politica" në Tv Globi tha se vendimi është ndikuar që të bëhen pjesë e ekzekutivit edhe për të marrë përgjegjësi që vendi të ecë më shpejtë në rrugën evropiane.

Shkup - Drejtori i deritanishëm i Agjencisë për Menaxhim me Prona të Konfiskuara, Faton Asani nga LSDM njoftoi në Fejsbuk se dje ka bërë pranim-dorëzim të funksionit Driton Nebiut nga ASH-ja, i cili vjen në vendin e tij si njeri i parë i kësaj Agjencie. Ai në postimin e tij, mes tjerash, thotë se shpreson se Nebiu do të vazhdojë me intensitet të njëjtë punën dhe do të rradhisë suksese sepse po le një ekip të shkëlqyer të të punësuarve, me vlerësimin se pas një mandati të kaluar, Agjencia Shtetërore për Konfiskim i ka realizuar numrat dhe normat e pritura. Drejtori i ri Nebiu, në Fejsbuk shkroi se "nderi për të drejtuar një Institucion sikur Agjencinë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, aq sa është me përgjegjësi padyshim është edhe fisnike nga vet fakti se e njejta paraqet një hallkë në sistemin përmes të cilit popullit si një pronar real i kthehet ajo që i takon e që ndokush ka dashur që me të njejtën të pasurohet në dëmin e tyre".

Shkup - Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në një postim në Fejsbuk e konfirmoi informacionin për takimin e tij me ish kryeministrin dhe ish liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. Sipas tij, nuk ka asgjë misterioze në takimin, dhe theksoi se sipas tij pyetja e vërtetë është, siç tha ai, "pse e ndjekin shërbimet e LSDM-BDI-së".

Shkup - Rritja e eksportit dhe rritja e numrit të vendeve të punës në Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale - ZZHTI vazhdon edhe në shkurt, Siç informojnë nga ZZHTI, analiza e rregullt mujore tregon se kompanitë në ZZHTI në shkurt kanë realizuar eksport prej mbi 330 milionë euro që është për 20 për qind më shumë se janari i këtij viti. Në krahasim me muajin e dytë të viteve të kaluara, eksporti tani është më i lartë për 26 për qind në krahasim me vitin 2021, gjegjësisht 53 për qind në krahasim me vitin 2020, ndërsa është në nivelin e njëjtë me shkurtin e vitit të kalur.

Shkup - SHA EMV dje prodhoi 15.120 megavat orë energji elektrike, e cila është e dedikuara për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, si dhe për nevojat për furnizime shtesë për shkolla, industrinë ushqimore dhe subjekte të tjera vitale shtetërore. Gjatë kësaj, siç informojnë nga Qeveria, në termocentrale janë prodhuar 10.564, ndërsa në hidrocentrale dhe në Parkun me erë Bogdanci 4.556 megavat orë energji elektrike.

Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me shi të dobët lokal. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në pjesët perëndimore erë e përforcuar nga drejtimi perëndimor, e cila pasdite në pjesët veriore do ta ndryshojë drejtimin në verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri 8 gradë, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 13 deri 19 gradë. Në Shkup, mot i ndryshueshëm me vranësira me shi të përkohshëm. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie deri 7 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 17 gradë.

Podgoricë - Ambasada e SHBA-së në Podgoricë shprehu shqetësim për shkak të përpjekjeve të shumicës së vjetër parlamentare për formimin e qeverisë së re dhe vlerësoi se Mali i Zi ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Gjatë ditëve të kaluara mediat njoftuan se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po bën përpjekje që ta rikonstruojë qeverinë për të cilën parlamenti votoi mosbesimin në gusht. 

Pekin - Parlamenti kinez sot e zgjodhi Li Çiang kryeministër në votimin që në praktikë ishte formalitet, informuan mediat perëndimore. Li është njeri i afërt dhe i besueshëm i presidentit Si Xhinping, i vili dje u rizgjodh për mandatin e tretë. Kongresi popullor kombëtar kinez në masë të madhe vetëm i miraton vendimet e Partisë Komuniste në pushtet. Parlamenti njëdhomësh dje njëzëri e rizgjodhi 69-vjeçarin Si Xhinping president. Në zgjedhjen e sotme të Li Kiang për kryeministër kishte tri vota kundër dhe tetë të përmbajtur.  Në Parlamentin kinez ka 2.980 deputetë. 

Jerusalem - Mbrëmë është vrarë një palestinez 16-vjeçar i cili gjoja ka hedhur koktej molotovi ndaj një pike kontrolli në Bregun Perëndimor, njoftoi armata izaelite dhe autoritetet shëndetësore palestineze. Ministria e Shëndetësisë e autoriteteve palestineze njoftoi se djali, Amir Mamun Odeh, ishte qëlluar në gjoks në periferinë e qytetit të okupuar Kalkilia në Bregun Perëndimor. 

QËNDRONI TË LIDHUR