• e shtunë, 19 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

15:00/2 prill/2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është i gatshëm për takim me liderin e LSDM-së opozitare, Venko Filipçe nëse, siç deklaroi sot, me të vërtetë ka plan dhe dëshirë të ndihmojë. Pas thirrjes së sotme nga Filipçe për dialog politik dhe social, Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, tha se është në dispozicion në çdo kohë dhe do të koordinojë orarin për të dëgjuar planin e Filipçes dhe për të parë nëse në atë plan ndonjë gjë mund të zgjidhet. "Unë në një deklaratë time thash se kjo është temë serioze dhe për tema serioze ulet dhe bisedohet. Për mua është pak e vrazhdë të flasë përmes mediave, thashë se derisa ka plan siç paralajmëruan, jam i gatshëm ta presë në takim kryetarin e LSDM-së ta shpjegojë planin, ta dëgjojmë planin pasi janë kohëra serioze, unë jam njeri serioz, punët serioze janë në pyetje dhe më së paku që duhet bërë është estradë në skenën publike.  

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se koalicioni qeveritar është stabil, ndërsa grindja publike mes deputetit të VMRO-DPME-së, Antonio Milloshoski dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov nga partneri i koalicionit ZNAM, sipas tij, do të ndalet, siç thotë, në këto dy qëndrime personale. Mickoski, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve për zënkat mes Milloshoskit dhe Filkovit, tha se të gjithë kanë të drejtë në një ditë të keqe. "Koalicioni qeveritar është i stabil. Deputeti Antonio Milloshoski është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të partisë, ai është pjesë e perimetrit tim më të afërt. Unë bashkëpunimin me Antonio Milloshoskin e vlerësoj në nivelin më të lartë, ai është vlerë e shtuar si brenda grupit parlamentar ashtu edhe brenda partisë.  

Shkup - Kompania kanadeze "Magna Mehatroniks" sot hapi fabrikën në Zonën Zhvillimore Teknologjike dhe Industriale në Shtip. Investimi në kapacitetin e ri, me një sipërfaqe prej 18,200 metrash katrorë, kap vlerën e 40 milionë eurove dhe duhet të hapë mbi 600 vende pune deri në vitin 2027. Objekti i ri është fabrika e dytë e Magna-s në vend. Kryeministri Hristijan Mickoski, në ceremoninë në prani të Magna Mehatroniks, vlerësoi se investimi do të jetë përshpejtues i fuqishëm i zhvillimit ekonomik dhe ndryshimeve pozitive në vend.

Shkup - Jetojmë në demokraci dhe çdokush ka të drejtë të dalë në rrugë dhe të protestojë për të treguar revoltën e tij, por sindikatave tanimë u ka skaduar mandati dhe më nuk janë përfaqësues, theksoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. "Si Qeveri e kemi formuar komisionion, i cili duhet të përcaktojë përfaqësimin e sindikatave dhe ky komision tashmë është duke punuar. Sapo të përcaktohet se cila sindikatë është përfaqësuese, do të konvokoj seancën e Këshillit Ekonomik Social (KES). Pikërisht aty sindikatat duhet t'i shprehin kërkesat e tyre, e jo në rrugë", deklaroi Durmishi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve para fillimit të konferencës "Reforma e Ligjit për Marrëdhënet e Punës - sfidat dhe drejtimet" dhe shtoi se pret "sa më shpejtë komisioni ta kryejë punën".  Si Qeveri, theksoi, që nga fillimi treguam se i respektojmë dhe se jemi për dialog social. 

Shkup - Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mbajti fjalën hyrëse në konferencën “Reforma e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës – sfidat dhe drejtimet”, e cila u zhvillua sot në Aleksandar Pallas në Shkup. Konferenca, siç njofton Ministria e Ekonomisë dhe Punës, mblodhi përfaqësues të sindikatave, punëdhënësve, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve të fushës për të diskutuar drejtimet e mundshme të reformës së ligjit për marrëdhëniet e punës. Durmishi theksoi se reforma nuk është vetëm një proces teknik, por një vendim për drejtimin që duhet të marrë tregu i punës në vendin tonë.

Shkup - Gjatë javës së ardhshme para anëtarëve të Qeverisë do të prezantohet draft-versioni i ndryshimeve në Ligjin për veprimtari hotelierike, paralajmëroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve para fillimit të konferencës “Reforma e Ligjit për marrëdhënie pune – sfida dhe drejtime”. I pyetur se pse në këto nëntë muaji që kur është ministër nuk e ka bërë rishikimin e licencave dhe nëse përveç përgjegjësisë morale ndjen ndonjë përgjegjësi tjetër për tragjedinë e Koçanit, ai tha se në konferencën për shtyp për tragjedinë e Koçanit tha gjithçka që duhej të thoshte.

Shkup - Lideri i LSDM-së Venko Filipçe sot në konferencë për shtyp ka propozuar një koncept për një dialog të ri shoqëror dhe politik. Pas tragjedisë në Koçan, tha Filipçe, qytetarët reaguan me revoltë dhe hidhërim, sistemi nuk funksionon siç duhet, e për këtë faj, siç tha, kemi të gjitha partitë politike. Lidhur me takimin e liderëve, tha se sot apo nesër do të kërkojë takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, në pajtim me agjendat. “Bëjë thirrje për një një formë të dialogut politik dhe shoqëror, që do të mundësojë përcaktimin e një strategjie afatgjatë për zhvillimin e vendit. Nevojitet të ndërtohet një sistem që do të funksionojë në dekadat e ardhshme, pavarësisht se cila parti është në pushtet, me udhëzime të qarta në fushat kyçe të jetës shoqërore”, tha Filipçe.

Shkup - Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, tha se LSDM i përkrah kërkesat e punëtorëve për pagë minimale, por nuk qëndron prapa protestave të sindikatave. Ai i bëri apel Qeverisë që të plotësojë kërkesat e punëtorëve."I bëj thirrje qeverisë që të plotësojë kërkesat e punëtorëve, pagat janë të ulëta, çmimet janë jashtë kontrollit, njerëzit thjesht nuk mund të mbijetojnë. Është racionale dhe reale të kërkohet që paga minimale të jetë 30.000 denarë. Ka një mënyrë për të vendosur, është e vërtetë se ka një metodologji, por ligji gjithmonë mund të ndryshohet me ndërhyrje politike me qëllim për të përmbushur kërkesat”, tha Filipçe.

Shkup - Këshilli i Prokurorëve Publikë ka dhënë mendim negativ për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror Ljupço Kocevski. Për pranimin e propozimit votuan tre anëtarë, ndërsa gjashtë anëtarë votuan kundër. Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska, tha se duke qenë se Këshilli vendimet i merr me shumicë votash, shumica ka dhënë mendim negativ. Për pranimin e propozimit të Qeverisë për shkarkimin e Kocevskit votuan Keti Petkova, Ardian Demiri dhe Marjana Ilievska. Këshilli i prokurorëve publikë paraprakisht e përjashtoi opinionin nga pika për shqyrtimin e propozimit për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror Ljupço Kocevski. Anëtarët e Këshillit njëzëri e mbështetën propozimin e anëtares Zorica Pavloviq, e cila duke u bazuar në nenin 10 të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë, kërkoi që opinioni të përjashtohet për, siç tha ajo, ndjeshmërinë e procesit dhe mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të prokurorit publik.

Shkup - Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes me dëshminë e të pandehurit Vlatko Keshishev. Paraprakisht, me kërkesë të avokatit Igor Efremov, mbrojtës i Keshishevit, gjykata vendosi që i akuzuari Ljupço Palevski të largohet nga salla e gjyqit. Kërkesa u sqarua me dyshimin se prania e Palevskit mund të ndikonte në vërtetësinë e deklaratës së Keshishev. Si provë është theksuar rasti me deklaratën që Keshishev e ka dorëzuar në gjykatë në nëntor të vitit të kaluar, në të cilën ai ka deklaruar se Palevski nuk ka lidhje me rastin, e më pas e ka mohuar duke shpjeguar se Palevski e ka detyruar ta shkruajë atë.

Shkup - Anëtarët e organeve më të larta të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë kërkuan nga Qeveria tërheqjen e vendimit për rritjen e pagës minimale për 1.800 denarë dhe uljen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar në nivelin e pagës minimale. Ata gjithashtu kërkuan nga LSM të ndalojë sulmet ndaj sindikatave. "Sot jemi këtu për t'ju dërguar një mesazh përfundimtar - vendimet nuk mund të merren për ne, pa ne. Dy vjet më parë, LSM organizoi një grevë të përgjithshme në të gjithë sektorin publik. Jemi një hap larg një greve të përgjithshme në të gjithë vendin. Sot ju kërkojmë të jeni njerëzit që ju kemi zgjedhur të jeni. Mos e trajtoni punëtorin si qytetar të rendit të tretë dhe të jeni në nivelin e detyrës. Sot jemi këtu para Qeverisë si punëdhënësi më i madh për të kërkuar që të respektohen marrëveshjet kolektive dhe të rriten pagat në sektorin publik", tha kryetari i LSM, Sllobodan Trendafilov.

Shkup – Gati gjysma e gjykatave në shtet vitin e kaluar ishin joazhure, gjegjësisht nga 34 gjykata azhure ishin 18, ndërsa jo azhure ishin 16 prej të cilëve tre janë të Apelit, 12 themelore dhe Gjykata e Lartë Administrative. Kjo ishte bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor në të cilën u shqyrtua raporti për punën e gjykatave për vitin 2024.  Sipas raportueses Pavlina Cërvenkovska, gjykatat në shtet vitin e kaluar e kanë filluar me 131.005 lëndë të pazgjidhura, ndërsa kanë pranuar për punë 569.958 lëndë të reja, gjegjësisht gjithsej për punë kemi 700.739 lëndë. Nga ata arritën të zgjidhnin 566.010, ndërsa nuk kanë zgjidhur 134.729 lëndë. 

Shkup - Shpallet konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror "Nënë Tereza" për vitin 2025, kumtoi sot Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Konkursi do të zgjasë deri më 30 prill të këtij viti, ndërsa është i publikuar edhe në faqen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Çmimi shtetëror u ndahet individëve, grupeve të krijuesve, ekipeve, institucioneve, shoqërive tregtare dhe shoqatave të qytetarëve nga vendi.

Shkup - Nëpunës policorë dje kanë privuar nga liria tre persona nga rrethi i Kriva Pallankës për shkak të kryerjes së veprës penale vrasje, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme. "Dje në orën 18.25, nëpunësit policorë nga NJPB Kriva Pallankë i privuan nga liria Z.F. (24), S. F. (19) dhe S.F.(44) nga fshati Lluke, rrethi i Kriva Pallankës . Ata dyshohen se e kanë vrarë L.S. (84) nga fshati Lluke, i cili më 29.03.2025 u raportua i zhdukur. Trupi i L.S. u gjet i varrosur në afërsi të shtëpisë së tij në f.Lluke, ndërsa ekspertizën e kreu ekipi i SPB Kumanovë", njoftojnë nga MPB-ja.

Shkup - Nëpunës policorë mbrëmë në orën 23:20 kanë privuar nga liria A.M. (37) nga Kumanova. nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor në në SPB Kumanovë e kanë privuar nga liria A.M. (37) nga Kumanova. Gjatë kontrollit të  është konstatuar se ai ka drejtuar automjetin e pasagjerëve "reno’" nën ndikimin e alkoolit, gjegjësisht i ishin matur 1,68 promilë. Siç kumton MPB-ja, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal sipas nenit 297a të Kodit Penal – “Drejtimi i automjetit në mënyrë të pandërgjegjshme”.

Tetovë – Nisma “Tetova do park” e cila propozoi formimin e sipërfaqes së parkut në pjesën e hapësirës së ish “Monopolit” me ndryshimin e Planit të Përgjithshëm dhe të Detajuar Urbanistik për qëllimin D- parqe dhe gjelbërime, alarmon se tani Komuna e bën ndryshimin, por vendin për industri e parashikon për ndërtimin e banesave.  “Komuna në atë kohë nuk ka dëgjuar, nuk ka pasur vullnet dhe ka dhënë arsyetime të ndryshme kontradiktore dhe të pabaza për mospranimin e propozimit tonë. Në fund të vitit 2024, Këshilli i Komunës së Tetovës ndryshoi Planet e Përgjithshme dhe të Detajuara Urbanistike për zonën ‘Monopol’ të Tetovës, jo për të parashikuar park, por për të mundësuar ndërtimin e objekteve banesore për rreth 2.000 banesa. Menjëherë më pas, toka shtetërore u tjetërsua, pra iu shit individëve për 7.000 euro qesharake. Bilall Kasami nuk jep argument se pse shumica në Këshillin e Komunës i ka ndryshuar planet dhe si ai e ka lejuar”, thonë nga “Tetova do park”.

Gostivar - Me rastin e 2 Prillit – Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, vizitoi qendrën "Blue Puzzle". "Në këtë ditë të veçantë, vizituam Qendrën për Autizëm ‘Blue Puzzle’, ku patëm një bisedë të këndshme me Valonin, i cili udhëheq këtë qendër. Komuna e Gostivarit, në shenjë mbështetjeje, dhuron mjete didaktike në vlerë prej 60.000 denarësh," u shpreh kryetari Limani. Ai gjithashtu, siç theksohet në kumtesë, theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke nënvizuar respektin, pranimin dhe përfshirjen e personave me autizëm si pjesë e pandashme e shoqërisë sonë.

Shtip - Pesë kompani të huaja janë të interesuara që të investojnë dhe të hapin fabrika në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) Shtip, informoi sot kryeministri Hristian Mickoski, në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas hapjes zyrtare të fabrikës "Magna mehatroniks" në ZZHTI në Shtip."Ka disa kompani të cilat janë të interesuara të investojnë këtu në Shtip, gjegjësisht në këtë ZZHTI këtu. Unë pres nëse jo të gjithë, pjesa më e madhe prej tyre të marrin vendim që këtë vit, me çka në mënyrë dramatike do të përmirësohet standardi i shipjanëve, por edhe i të gjithë atyre që gravitojnë rreth Shtipit", deklaroi krymeinistri Mickoski.

Prishtinë - Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar kyeministrin e Kosovës Albin Kurtin me 250 euro pasi nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale (PSRK) për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, raportojnë mediat kosovare. Më 4 mars, Gjykata e Prishtinës lëshoi urdhër që Kurti të paraqitet para Prokurorisë dhe të dëshmojë për rastin me rezervat shtetërore, por ai nuk e ka respektuar vendimin e gjykatës. Prokuroria tre herë e ka thirrë Kurtin të japë deklaratë, por ai nuk ka reaguar, ndaj iu drejtua Gjykatës. 

Tiranë - Flota detare shqiptare do të ketë së shpejti një super anije, me çka do të disponojë me tre luftanije të reja, deklaroi kryeministri Edi Rama, duke cekur arritjet në sektorin e mbrojtjes. "Sot kemi një bazë taktike të NATO-s, me një flotë helikopterësh, ndërsa së shpejti me një luftanije të madhe, përveç atyre të vogla. Do të ketë tre luftanije të reja. Ky është vetëm fillimi i transformimit. Industria ushtarake filloi të vendos themelet. Do të rindërtojmë shkollën e aviacionit. Kemi lidhur marrëveshje me një partner shumë të fuqishëm ndërkombëtar", tha Rama, pa dhënë hollësira.

Zagreb – Deri më 31 mars, nga Radio-Televizioni Kroat (HRT) u larguan 333 të punësuar të cilët nënshkruan ndërprerje të ndërsjellë të kontratave për punësim në bazë të Vendimit për kushtet dhe vlerën e kompensimit, të cilën në janar e solli drejtori i përgjithshëm Robert Shveb, ndërsa u zbatua deri në ditën e fundit të marsit.  Njësinë afariste programore e lëshuan numri më i madh i të punësuarve në HRT – 123, pastaj atë teknologjike, ku 122 të punësuar e kanë pranuar ndërprerjen e ofruar të kontratave për punësim me kompensim financiar. Me vendimet për kushtet dhe vlerën e kompensimit, që në fillim të janarit e mori drejtori i përgjithshëm Robert Shveb, janë konfirmuar kushtet dhe vlera e kompensimit për të punësuarit në HRT, në rast të “shfuqizimit të marrëveshjeve për punësim në periudhën deri më 31 mars të vitit 2025, me qëllim optimizimin e punës në HRT”. 

Bruksel - Në selinë e aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel nesër fillon takimi dyditor i ministrave të jashtëm të NATO-s, i cili do të përqëndrohet në rritjen e shpenzimeve për mbrojtje të aleatëve dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. "Ministrat e Punëve të Jashtme të 32 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe për vazhdimin e përgatitjeve për samitin e liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet në Hagë në fund të qershorit", deklaroi një funksionar anonim i Aleancës së Atlantikut të Veriut në deklaratë të dhënë para gazetarëve në Bruksel. Pritet që ministrat të diskutojnë për atë se si të ruajnë vrullin në rritjen e shpenzimeve në mbrojtje dhe mënyrat për të rivendosur prodhimin industrial në sektorin e mbrojtjes, shtoi përfaqësuesi i NATO-s.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makroni sot deklaroi se gjyqësori është i pavarur dhe se të gjithë qytetarët kanë të drejtë ankese, transmeton BFM TV. Makroni kujtoi tre fakte që lidhen me vendimin për liderin e partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, Marin Le Pen, deklaroi zëdhënësja e qeverisë Sofi Prima pas përfundimit të Këshillit të Ministrave. Makroni vuri në dukje se gjyqësori është i pavarur, pastaj se kërcënimet e bëra ndaj gjyqtarëve që dhanë aktvendim kundër Le Penit janë absolutisht të papranueshme dhe, se më në fund, të gjithë kanë të drejtën e ankimit dhe se ligji është i njëjtë për të gjithë.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski deklaroi se Rusia shkatërroi kapacitete energjetike të Ukrainës në rajonet Sumi dhe Dnjepropetrovsk. Droni goditi në trafostacion në pjesën verilindore të rajonit Sumi, ndërsa gjatë granatimeve të artilerisë, u goditën kabllot elektrike në rajonin Dnjepropetrovsk, për të cilin shkak pothuaj 4.000 njerëz mbetën pa energji elektrike, publikoi Zelenski në rrjetin social "Iks".

Kiev – Më shumë se 8.000 ish të burgosur – burra dhe gra u përfshinë në radhët e forcave të armatosura të Ukrainës, ndërsa për momentin po shqyrtohen edhe rreth 900 aplikime, deklaroi për Ukrinform, Jehven Horobec, shef i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve pranë Ministrisë së Drejtësisë. Pasi më 8 maj të vitit 2024 Parlamenti ukrainas miratoi ligj me të cilin lejohet lirimi i parakohshëm i të burgosurve në këmbim për pjesëmarrje në mbrojtjen e Ukrainës, vullnetarët e parë iu bashkëngjitën njësive ushtarake në gusht të vitit 2024. 

Tel Aviv - Një sulmin ajror izraelit në veri të Gazës thuhet se ka goditur një spital të drejtuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA). Të paktën 19 persona humbën jetën, duke përfshirë nëntë të mitur dhe të tjerë u plagosën në sulmin në Xhabalia, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se pretendimi ishte nën hetim. Agjencia, gjithashtu, raportoi afër spitalit ka pasur persona të zhvendosur brenda spitalit dhe se në ndërtesë  ka shpërthyer zjarr.

Nepxhidou - Numri i viktimave nga tërmeti i fortë në Mianmar është rritur në 2.886, sipas Juntës ushtarake në pushtet, ku më shumë se 4.600 persona janë lënduar, ndërsa rreht 370 ende konsiderohen si të zhdukur pas pesë ditësh. Kreu i Juntës, Min Aung Hlaing sot deklaroi se shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë nën rrënoja po zvogëlohen.  Një njëzet e gjashtë vjeçar është gjetur i gjallë në rrënojat e një hoteli në kryeqytetin Nepxhidou, ndërsa në rikuperimin e tij thuhet se janë përfshirë ekipet turke të shpëtimit. Dje një grua ishte nxjerrë nga rrënojat pas më shumë se 90 orë. 

QËNDRONI TË LIDHUR