• e enjte, 04 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 24 tetor/ 2025

Shkup– Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska sot mori pjesë në një nga forumet më me ndikim global “Dialogu global i Berlinit 2025” i cili këtë vit mbahet nën moton “Shifting Power, Shaping Prosperity”. Forumi është i fokusuar në mënyrën se si realiteti i ri multipolar mund të krijojë zhvillim të qëndrueshëm global, kumtoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Bozhinovska në fjalimin e saj theksoi se koncepti i sigurisë energjetike po ndryshon rrënjësisht sot – nga një fokus në sasinë dhe burimin e energjisë, në sisteme elastike dhe të gjelbra që sigurojnë stabilitet afatgjatë.

Tetovë - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në selinë partiake e ka mbajtur seancën e 24-të të Kryesisë qendrore, pas çka kryetari Ali Ahmeti ka mbajtur konferencë për shtyp, ku u përqëndrua në procesin zgjedhor, për të cilin tha se ka kaluar në përgjithësi mirë. Ai tha se koalicioni AKI, të cilin e udhëheq BDI-ja, ka fituar 114.076 vota dhe me këtë 159 këshilltarë, ndërsa koalicioni "VLEN" ka fituar 91 vota me 122 këshilltarë. "Në këtë proces, si dhe në ato që i kemi lënë pas nesh, si parlamentare, ashtu edhe presidenciale, kemi sindrom të Gazimestanit, humbësit dalin fitues. 'VLEN' edhe në dy ciklet paraprake, parlamentare dhe presidenciale nga humbës dolën fitues. Kush është fitues, ai që ka 159 këshilltarë, apo ai me 122. Por, ky është realiteti, merren me atë që sikur të kishin fituar në zgjedhje. Jo vetëm në këto, por edhe në ato paraprake", tha Ahmeti. Për partitë tjera politike ai konsideron se kanë udhëhequr fushatë me karakter nacionalist.

Tetovë - Disa nga liderët dhe strukturat drejtuese të partive që përbëjnë koalicionin "Vlen" sot në sheshin e qytetit në Tetovë kishin takim me aktivistët dhe qytetarët me qëllim që simbolikisht të shënojnë vazhdimin e fushatës në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve loakle. Pas ngjarjes, para gazetarëve u drejtua vetëm kryetari i lëvizjes Besa dhe kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, Bilal Kasami.  "Ne vërtetuam se kishim zgjedhjen më të mirë për qytetarët tanë sepse kandidatët tanë morën mbështetjen e votuesve, si dhe programin që përgatitëm për secilën komunë veç e veç. Doli të ishte më i pranueshmi dhe realist për zgjidhjen e problemeve të bashkëqytetarëve tanë. Gjithashtu, në raundin e dytë, do të vazhdojmë edhe më fuqishëm t'i afrohemi secilit votues dhe të dëshmojmë se fitorja në raundin e dytë do të jetë edhe më bindëse dhe të dëshmojmë se populli do të vlerësojë se cili nga kandidatët do të jetë më i miri për zgjidhjen e problemeve të tyre dhe cili program është më i miri për ta, e jo për tema që nuk janë reale në rastin konkret të zgjedhjeve që janë në nivel lokal", tha Kasami.

Shkup – Gjendja epidemiologjike në Shkup është e qëndrueshme, por rekomandohet mbajtja e higjienës personale gjatë prekjes së mbeturinave siç janë dorezat, maskat, pastrimi i duarve, dezinfektimi, asgjësimi i vetëdijshëm i mbeturinave në kontejnerë dhe shmangie të deponive të jashtëligjshme si dhe mbylljen e kapakëve të shportave dhe shmangie e kontaktit fizik me mbeturinat. Ky është rekomandimi i Institutit të Shëndetit Publik i cili është pjesë e grupit ndërinstitucional të punës për përballje me gjendjen aktuale me mbeturinat në Shkup. Në grup janë përfshirë Instituti i Shëndetit Publik, MPB, Inspektorati Komunal Shtetëror, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor dhe ISHSSH. 

Shkup - Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndajdeklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka përdorur metaforën “VLEN-i është shoqata e Gazimestanit”, deklaratë të cilën Ibrahimi e cilëson fyese dhe denigruese ndaj shqiptarëve. Në reagimin e tij, Ibrahimi thekson se kjo metaforë nënkupton etiketimin e votuesve të koalicionit VLEN si “serbë të Kosovës”, duke theksuar se kjo është ofendim i rëndë, sidomos për gjeneratat e reja që ndoshta nuk e njohin konotacionin historik të kësaj shprehjeje. “Ne, për të mirën e tij, ia kemi thënë se është koha të tërhiqet, por ai nuk kupton. Ia humbi zgjedhjet AKI-së duke quajtur shqiptarët ‘zagarë’, kurse tani edhe më rëndë – 100 e sa mijë shqiptarët që votuan për VLEN-in i quan ‘serbë të Gazimestanit’”, shkruan Ibrahimi.

Shkup - Konkluza kryesore nga mbledhja e sotme e Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim ishte e qartë dhe unanime: Të shkohet menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare! Ky konstatim është i përbashkët edhe i të gjithë partnerëve brenda Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, të cilët vlerësojnë se pas tre palë zgjedhjesh radhazi, presidenciale, parlamentare dhe lokale, vullneti i qytetarëve është i qartë, i pandryshuar dhe në mbështetje të AKI-së. Për më pak se një vit e gjysmë, qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut i kanë dhënë tre herë radhazi besimin e tyre Aleancës Kombëtare për Integrim, duke e bërë atë fituesen e padiskutueshme në rrafshin kombëtar.

Shkup -Pas pesë ditësh, Ali Ahmetit më në fund ia treguan përgjigjen e “referendumit”. Dhe ja, doli e tha se paskan fituar në zgjedhjet komunale. Kjo është absurde. Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë shumë më të mëdha se “fitorja” në Pllasnicë dhe Likovë. Ne menduam se Ali Ahmeti dhe BDI janë vetëdijësuar nga përgjigja e “referendumit”, mirëpo ata vazhdojnë zgjedhjet lokale t’i përjetojnë si parlamentare, sepse për ta postet ministrore janë vegla e vetme për të mbijetuar në politikë. Për 20 vjet, politika e Ali Ahmetit është ndërtuar mbi dy shtylla: pushtet dhe… pushtet.

Shkup- Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga VMRO-DPMNE, Orce Gjorgievski sot inspektoi aktivitetet ndërtimore në rrugën "Zhil Vern" në komunën e Kisella Vodës. "Sot inspektova aktivitetet ndërtimore që po zhvillohen në rrugën "Zhil Vern" në Kisella Vodë, një projekt që përfshin rikonstruimin e plotë të rrugës dhe trotuareve në një sipërfaqe prej rreth 1.300 metra katrorë. Kjo rrugë po merr një pamje krejtësisht të re. Pas instalimit të kanalizimit të ri atmosferik me asfalt të ri dhe trotuare të rregulluara, po e përfundojmë rinovimin e plotë të infrastrukturës”, shkruan Gjorgjievski në Fejsbuk. Mjetet për zbatimin e projektit janë siguruar përmes investimeve kapitale për të cilat komuna e Kisella Vodës aplikoi në Qeveri.

Kumanovë- Është gjetur gruaja, bashkëshorti i së cilës raportoi se është larguar nga shtëpia e tyre, kumtoi sot SPB Kumanovë. Gruaja realizoi hyrje në vend në vendkalimin kufitar Bllacë e Poshtme. "Më 23 tetor të këtij viti në orën 15:40 në SPB Kumanovë, B.S. nga Kumanova ka raportuar se bashkëshortja e tij V.S. (38), për cilën personi i mëparshëm ka raportuar se është larguar nga shtëpia, kishte qenë te prindërit e saj në Republikën e Shqipërisë. Në orën 18:35 në vendkalimin kufitar Bllacë e poshtme, V.S. ka hyrë në vend, kumtoi SPB Kumanovë.

Zagreb – Parlamenti i Kroacisë me 84 vota “për”, 30 “të përmbajtura” dhe 11 “kundër” sot i votoi ndryshimet e Ligjit për mbrojtje dhe shërbim në forcat e armatosura, me çka është mundësuar rikthimi i shërbimit të detyruar ushtarak nga fillimi i vitit të ardhshëm.  Shërbimi i detyruar ushtarak në Kroaci ishte shfuqizuar në vitin 2008, ndërsa prej atëherë shërbehej vetëm vullnetarisht, por kishte interesim të ulët.  Ndryshimet e ligjit parashohin se shërbimi i detyruar ushtarak të zgjasë dy muaj, ndërsa atyre që kryejnë shërbimin shteti do tu paguajë pagë neto mujore prej 1.100 eurosh dhe shërbimi do të konsiderohet si stazh.  Shërbimi ushtarak do të jetë i detyruar për burrat prej 19 deri 30 vjet. Gratë janë të liruara nga shërbimi i detyruar ushtarak, por mund të aplikojnë për shërbim vullnetar. 

Berlin - Vizita e planifikuar e shefit të diplomacisë gjermane Johan Vadefull në Kinë u anulua, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme. "E anulojmë takimin deri te njoftimi i mëtejmë", potencoi zëdhënësja, duke shtuar se nuk është e mundur të organizohen mjaftë takime në Kinë që të arsyetohet udhëtimi. Ajo refuzoi të saktësojë cila nga palët e ka anuluar takimin.

Londër – Kryeministri britanik Kir Starmer sot gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski dhe para mbledhjes së aleatëve të Ukrainës në Londër bëri thirrje “të bëhet më shumë që të fuqizohen mjetet ukrainase për sulme me rreze të gjatë veprimi”.  “Mendoj se mund të bëjmë më shumë për mjetet, veçanërisht për mjetet me rreze të gjatë veprimi", tha Kir Starmer para mbledhjes së të ashtuquajturit ‘Koalicioni i të përgatiturve’ nga 26 vende kryesisht evropiane të cilat e mbështesin Kievin.  “Dhe gjithsesi, këtu është edhe puna jetike e ‘Koalicionit të të përgatiturve’ për garancitë e sigurisë të cilat duhet t’i jepen Kievit”, shtoi ai.  Zelenski dhe Starmeri biseduan pasi mbreti britanik Çarlls III përsëri e priti presidentin ukrainas, që është takimi i tyre i tretë në Britaninë e Madhe që nga fillimi i vitit. 

Bruksel- Kryeministri hungarez Viktor Orban sot deklaroi se samiti i paqes në Budapest është ende në rendin e ditës. "Amerikanët dhe rusët po negociojnë dhe mund të arrijnë marrëveshje në çdo kohë. Meqenëse mund të thirret një konferece paqeje në rast të një marrëveshjeje, Hungaria është në pritje", tha Orban në samitin njëditor të BE-së në Bruksel", transmetoi MTI.  Ai përsëriti se Hungaria ka përvojë ga luftërat botërore, kështu që nuk dëshiron luftë dhe nuk dëshiron të ndërhyjë në luftën ruso-ukrainase. 

Jerusalem– Forcat ndërkombëtare të sigurisë që do të vendosen në Rripin e Gazës sipas kushteve të marrëveshjes së armëpushimit do të duhet të përbëhen nga vende ndaj të cilave Izraeli “nuk do të ketë vërejtje”, deklaroi sot sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio, i cili është për vizitë në Izrael.  Ai shtoi se qeverisja e ardhshme me Rripin e Gazës nuk është finalizuar ende midis Izraelit dhe vendeve partnere, por theksoi se ajo nuk mund të përfshijë Hamasin. Rubio theksoi gjithashtu se ende nuk është përcaktuar çdo rol i mundshëm për Autoritetin Palestinez në qeverisjen e ardhshme me enklavën palestineze.

Barcelonë - Lajme jo të mira për Barcelonën dhe trajnerin Hansi Flik në prag të "El Klasikos", derbin me Realin e Madridit të dielën. Pas stërvitjes së sotme, mediumet spanjolle njoftojnë se braziliani Rafinja nuk do të jetë në dispozicion. Ai për shkak të lëndimit jashtë fushave është rreth një muaj dhe pritej kthimi i tij për "El Klasikon". Pritjet ishin që Rafinja nga dita e enjte të jetë në dispozicion, por sulmuesi 28-vjeçar në stërvitje ndjeu dhembje dhe u largua nga stërvitja. Trajneri Flik nuk mund të konsiderojë për ndeshjen të dielën tek Ter Shtegen, Gavi, Dani Olmo dhe Levanovski. Nuk dihet nëse Flik do të jetë në stol pas dënimit prej një ndeshje dhe ankesës së refuzuar të Barcelonës. Në mungesë eventuale të tij, ekipin do ta udhëheq një nga asistentët, Tiago Alkantara. 

QËNDRONI TË LIDHUR