• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 24 tetor/ 2024

Shkup –Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova sot ka realizuar takim pune me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në të cilin ishin shkëmbyer mendime dhe informacione për procesin e integrimeve evropiane të vendit dhe perspektivat për progres, zbatimin e reformave dhe përfitimeve nga Plani i rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.  Duke u falënderuar për angazhimin e saj personal dhe angazhimeve lidhur me zgjerimin, siç bëri të ditur Kabineti i saj, presidentja Siljanovska Davkova ka theksuar se Plani i rritjes është mekanizëm i rëndësishëm me potencial të madh, i cili do t’i përshpejtojë reformat, do të kontribuojë për standardizim, rritje ekonomike dhe progres dhe do ta afrojë vendin drejt Bashkimit Evropian. 

Shkup - Ne kemi qëllim të qartë, i cili është të hapim klasterin e vlerave fondamentale sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi pothuajse atje, duhet të kalojnë ndryshimet kushtetuese që vendi juaj ka rënë dakord se do t'i bëjë. Me dialog të përbashkët, shpresoj që të gjitha forcat politike të bashkohen në vend dhe të bëjnë hapat e nevojshëm të përbashkët për përparim dhe kam besim, ashtu si ju, se mund t'i kapërcejmë pengesat që ekzistojnë, tha kryetarja e KE Ursula Fon der Lajen në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski. "I dashur Hristijan, të jeni të sigurt se zgjerimi do të mbetet prioriteti kryesor i Komisionit Evropian për pesë vitet e ardhshme. Tani kemi të gjitha mjetet dhe instrumentet që na duhen për ta bërë këtë të mundur", tha ajo.

Shkup – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov dhe drejtoresha e Zyrës së Këshillit Britanik për Ballkanin Perëndimor, Kler Sirs, sot nënshkruan Memorandum për mirëkuptim për periudhën 2024 – 2027, i cili është hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit në sferën e artit, kulturës dhe ekonomisë kreative, informojnë sot nga Ministria e Kulturës.  Me nënshkrimin e Memorandumit, thonë nga atje, riafirmohet partneriteti 30-vjeçar dhe miqësia mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa me këtë edhe mundësia për qasje më të madhe në programet e Këshillit Britanik në vendin tonë dhe fushatave të përforcuara për afirmimin e tyre. 

Shkup - Filloi Konferenca dyditore rajonale për të drejtat e autorit të aktorëve në vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor për anëtarësim në BE, ku fjalime kanë mbajtur ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, aktori dhe përfaqësuesi i Asociacionit për mbrojtjen e të drejtave autoriale dhe të ngjashme AZAS, Gorast Cvetkovski, si dhe Gregor Shtibernik, drejtor administrativ i Shoqatës për menaxhim kolektiv me të drejtat e autorit të autorëve, interpretuesve dhe producentëve të veprave audiovizuale nga Sllovenia AIPA. Siç u theksua në fillim të konferencës, që të sigurohet nivel i barabartë i mbrojtjes së të gjithë aktorëve dhe muzicientëve, si intepretues në Bashkimin Evropian, vendi në rrugën drejt anëtarësimit të plotëfuqishëm në BE do të duhet ta implementojë të drejtën evropiane për të drejtat e autorit.

Shkup - Në kuadër të Samitit të tretë parlamentar të Platformës ndërkombëtare të Krimesë në Rigë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi realizoi takim bilateral me kryetarin e Parlamentit të Estonisë, Lauri Husar. Siç informoi pres shërbimi i Kuvendit, në takim Gashi iu referua procesit të digjitalizimit si proces që është në përmirësim të vazhdueshëm në Kuvend, sfidave me të cilat përballemi në procesin e digjitalizimit të plotë të institucionit, si dhe proceseve aktuale dhe pajisjeve të TIK-së në Kuvend në drejtim të transparencës së institucionit, disponueshmërisë së informacioneve për qytetarët dhe institucionet.

Shkup - Pesëdhjetë raste të paraqitjeve në grup, për të sëmurit nga gripi dhe sëmundje të ngjashme me gripin, janë paraqitur gjatë javës së 42-të të vitit 2024, respektivisht nga 14 deri 20 tetor. Siç informojnë pasdite nga Instituti për shëndet publik (ISHP) për 61,3 për qind më tepër se në krahasim me javën paraprake. Personat e sëmurë janë regjistruar në Kumanovë - 18, Gostivar - 16, Sveti Nikollë - shtatë, Tetovë - pesë dhe Kavadar dhe Koçan - nga dy. Lidhur me moshën, prej 15 deri 64 vjeç janë regjistruar 38 persona, pesë mbi 65 vjeç, gjashtë fëmijë të moshës prej pesë deri 14 vjeç dhe një fëmijë nga grupi deri katër vjeç. Përmbyllur me javën e 42-të, janë evidentuar gjithsej 106 persona.

Shkup - Kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski e vlerësoi si të mirë lëvizjen e Beogradit që sipas paralajmërimeve do të sjellë autobusët "Solaris" në Shkup, por beson se nga ana tjetër flet për qasjen joserioze të kryetares së Shkupit dhe paaftësinë e saj për t'u përballur me sfidat. "Në Shkup ka një numër të madh të problemeve, një nga problemet më të mëdha lidhet me transportin e qytetit. Një golgotë të cilën qytetarët tanë e vuajnë më shumë se dy vjet e gjysmë - tre që kur Arsovska është në krye të Qytetit të Shkupit dhe mendoj se ajo duhet të ketë qasje më serioze në tejkalimin e problemit. Ky është një veprim i mirë i Beogradit që dëshiron të shtrijë dorën kur sheh se Qyteti i Shkupit është në kaos total, por flet për qasjen joserioze të kryetares dhe pamundësinë për t'u marrë me atë që është sfidë dhe për të zgjidhur problemin me transportin publik", deklaroi Gjorgjievski. 

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot në Rigë, realizoi takim me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj. Në takim, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, u diskutua për bashkëpunimin midis dy parlamenteve, duke përfshirë shkëmbimin e praktikave dhe vizitat në shërbim, si dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Gashi dhe Camaj shkëmbyen mendime për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke e theksuar rolin e parlamenteve në procesin e harmonizimit të legjislacionit me atë evropian.

Shkup - Në Shkup sot nëpunësit policor nga SBP Shkup, kanë privuar nga liria A.R. (29) nga fshati Haraçinë në lidhje me veprën penale e cila ndodhi më 14.10.2024 në territorin e Çairit, ku me armë zjarri është plagosur E.A. (35) nga Shkupi. MPB-ja kumtoi se pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve dhe ekzaminimeve nga ana e Departamentit për ekzaminime forenzike pranë MPB-së është vërtetuar se autor është A.R. dhe nga ana e Njësitit për kriminalitet të dhunshëm pranë SPB Shkup në koordinim me PTHP Shkup sot (24.10.2024) është ngritur kallëzim penal me procedurë të shpejtë kundër A.R. për vepër penale "vrasje", e dënueshme sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të KP të RMV-së.

Shkup - Korporata Financiare Ndërkombëtare pranë Bankës Botërore - IFC ka shprehur interes për zgjerimin e aktivitetit të saj në vendin tonë, veçanërisht në fushën e energjetikës dhe tranzicionit energjetik. Kjo u theksua në takimin e ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me nënkryetarin rajonal të IFC-së, Alfonso Garcia Mora në Uashington. “Investimet në sektorin energjetik dhe në pjesën e tranzicionit nga karburantet fosile drejt energjisë së pastër janë procese të domosdoshme, që kërkojnë reagim urgjent në nivel global. Si vend, Maqedonia është pjesë e këtyre proceseve dhe prioritet janë investimet në energjetikë dhe tranzicioni drejt shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Për këtë nevojiten investime të mëdha dhe përkrahje nga kreditorët dhe fondet ndërkombëtare, me fokus të veçantë mbi sektorin privat”, potencoi ministrja Dimitrieska Koçoska.

Shkup - Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi me ambasadorin e shtetit të Katarit në Shkup, Jasim bin Hamid al-Tani sot ranë dakord që në periudhën e ardhshme të punojnë së bashku në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe krijimin e partneriteteve biznesore që do të shënojë një trend pozitiv të bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe shtetit të Katarit. “Për ne si ministri e Ekonomisë dhe Punës, nën kompetenca të së cilës janë kushtet e punës së investitorëve të huaj është e një rëndësie të madhe që të punohet në përmirësimin e klimës së biznesit, e gjitha kjo në mënyrë që të kemi më shumë investime që do të nënkuptojnë më shumë punësim dhe rritje më të madhe ekonomike”, ka thënë ministri Durmishi në takim me ambasadorin e shtetit të Katarit.

Shkup - Në kuadër të Samitit të tretë parlamentar të Platformës ndërkombëtare të Krimesë në Rigë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi realizoi takim bilateral me nënkryetarin e parlamentit të Suedisë, Kenet Forslund. Siç bëjnë të ditur nga Kuvendi, Gashi ka falënderuar për mbështetjen rreth qëllimit tonë strategjik - anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe në këtë kontekst shprehu mirënjohjen e tij për Mbretërinë e Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë përmes projekteve të shumta zhvillimore në shumë sfera.

Shkup - Në SPB Shkup sot në orën 13:25, një qytetar ka denoncuar se derisa ka qenë duke peshkuar në liqenin e Smillkovës, ka parë tre persona duke dalë nga një makinë e tipit "pezho 106" dhe njëri prej tyre me armë zjarri ka qëlluar disa herë në ajër. Më pas, siç informojnë nga MPB, personat në fjalë kanë lëshuar vendin e ngjarjes. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Shkup - Në SPB Shkup dje në ora 10:00 u denoncua se në Institucionin ndërshkues - përmirësues - Burgu Idrizovë është gjetur i vdekur V.Gj. (45) nga Velesi, i cili ka vuajtur dënim me burg në këtë institucion. Mjeku nga Ndihma emergjente mjekësore ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i të vdekurit është dërguar në autopsi. Ekspertizë ka kryer ekip i SPB-së Shkup, informojnë nga MPB-ja.

Shtip - Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër aktin vandal të djegies së makinës së kolegut Bllagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe medias onlajn M-net nga Shtipi. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së kaluar ku makina e gazetarit dhe redaktorit të televizionit të Shtipit M-net është djegur nga autorë të panjohur në oborrin e shtëpisë së tij familjare. Me këtë, autorët kanë rrezikuar të shkaktojnë edhe më shumë dëme,  duke ekspozuar ndaj një rreziku të mundshëm edhe sigurinë e familjarëve të gazetarit dhe fqinjëve të tij.

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se pret që të njoftohet nga kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi se për çka është biseduar në Bruksel në takimin e sotëm të kryenegociatorëve me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në dialogun mes të dyja vendeve, Mirosllav Lajçak, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.  Shefi i Qeverisë së Kosovës në një deklaratë për mediat edhe një herë ka përsëritur kërkesat karshi Serbisë për sukses në dialog, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes themelore të arritur mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe dorëzimit të Millan Rajdojiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të javës së kaluar në Banjskë në veri të Kosovës. 

Tiranë - Seanca për dosjen "Partizan" ku akuzohen ish presidenti shqiptar dhe ish kryeministër Sali Berisha dhe dhëndri i ti Jamarber Maltezi është shtyrë për 25 nëntor.  Në sallën gjyqësore nuk është paraqitur Berisha i cili prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar është në arrest shtëpiak, por vetëm avokatët e tij.  “Seanca është caktuar para disa ditësh, por dosja ka 160 mijë faqe. Çështja nuk ka as dyshimin më të vogël të arsyeshëm, do të kërkojmë mbylljen e çështjes, pastaj vendimmarrja është e gjykatës“, u shpreh avokati Genc Gjokutaj.

Zagreb - Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, sot përsëriti se asnjë ushtar kroat në kuadër të aktiviteteve të NATO-s nuk do të dërgohet në Ukrainë, ndërsa paralajmëroi seancë të re të Komisionit parlamentar të mbrojtjes ku do të flasë një përfaqësues zyrtar i NATO-s. Plenkoviqi në konferencën për media tha se dy oficerë kroat do të marrin pjesë në misionin e NATO-s për mbështetje të Ukrainës në Visbaden, Gjermani, por nuk do të shkojnë në Ukrainë. "Më duket monotone ta përsërisë të njëjtën", deklaroi kryeministri.

Ankara – Një nga sulmuesit e armatosur i cili u vra në sulmin në kompaninë shtetërore turke të mbrojtjes TUSASH në afërsi të Ankarasë është identifikuar si pjesëtar i Partisë Punëtore Kurde (PPK), deklaroi sot një funksionar i qeverisë turke. Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja, në platformën sociale Iks njoftoi se identiteti i sulmuesit të dytë, i cili gjithashtu është likuiduar, ende po hetohet.  PPK, të cilën Ankaraja, BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë organizatë terroriste, nuk e mori përgjegjësinë për sulmin e djeshëm.

Bruksel - Shtatë anëtare të NATO-s janë kundër thirrjes për bashkimin e Ukrainës në Aleancë, transmeton portali politico.eu nga Brukseli, duke cituar katër persona nga NATO dhe SHBA, si dhe disa diplomatë. Gjermania dhe SHBA-ja janë vendet më të mëdha të cilët po hezitojnë nëse do t'i përgjigjen thirrjes së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për bashkimin e Ukrainës në NATO, shkruan "Politiko" dhe thekson se Hungaria dhe Sllovakia gjithashtu janë kundër këtij vendimi "sepse liderët e tyre marrin pro pozicionet ruse".

Moskë - Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, sot në Samitin e BRIKS-it në Kazanj bëri thirrje për paqe të menjëhershme në Rripin e Gazës, Ukrainë dhe Sudan. "Bota ka nevojë për paqe. Ne kemi nevojë për paqe në Ukrainë konform Kartës së KB-së, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Asamblesë së përgjithshme të KB-së", deklaroi ai para udhëheqësve të BRIKS-it. Pritet që Gutereshi të takohet sot me presidentin rus Vlladimir Putin. Pres shërbimi i Putinit theksoi se Rusia, si themeluese e KB-së angazhohet për forcimin e rolit të KB-së në politikën botërore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e barazisë së shteteve. Meqë ra fjala, sot Organizata e Kombeve të Bashkuara feston përvjetorin e themelimit më 24 tetor 1945.

Bruksel - Europol ka kryer një aksion që synon ushqimin dhe pijet nën standarde dhe të falsifikuara. U sekuestruan gjithsej 22.000 ton ushqime dhe 850.000 pije, kryesisht alkoolike. Janë sekuestruar 22.000 tonë ushqime të ripaketuara pas datës së skadimit dhe 850.000 pije, prej të cilave kryesisht alkoolike. Europol kumtoi se u shkatërruan 11 rrjete kriminale dhe u shkruan 104 urdhër arreste. Janë lëshuar 184 urdhra për kontrolle, ndërsa 278 persona janë denoncuar në organet gjyqësore. Vlera totale e produkteve të sekuestruara është mbi 91 milionë euro.

Uashington – Kandidatja për presidente të SHBA-së, Kamalla Haris, do ta mbajë fjalimin e saj të fundit të madh të fushatës për presidente në vendin Elipsa në Uashington, ku Donald Trampi më 6 janar të vitit 2021 foli para sulmit të dhunshëm të ithtarëve të tij në Kapitoll.  Harisi rregullisht në fjalimet e saj e kritikoi Trampin si “kërcënim për demokracinë”, veçanërisht në lidhje me ngjarjet nga 6 janari i vitit 2021, kur ithtarët e tij hynë dhunshëm në Kapitoll për shkak të akuzave të rreme për “zgjedhje të vjedhura”. Në sulm humbën jetën gjashtë persona, ndërsa më shumë se 174 policë ishin lënduar. 

Doha - Sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken sot paralajmëroi ndihmë të re prej 135 milionë dollarë për palestinezët dhe deklaroi se është jetike që kjo ndihmë të arrijë në Gazë. Blinken këtë e tha në Katar ku arriti sot si pjesë e vizitës së tij të 11-të në rajon që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës. SHBA-ja po bën presion ndaj Izraelit që të lejojë më shumë ndihma humanitare për të arritur në enklavën palestineze e cila është e shkatërruar nga lufta.

QËNDRONI TË LIDHUR