• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 11 mars/ 2024

Shkup- Përfaqësues të të rinjve të gjashtë partive parlamentare sot nënshkruan Manifestin studentor të cilin Asambleja studentore e Universitetit (ASU) E Universitetit të Shkupit e prezantoi të mërkurën. Manifesti është një thirrje në periudhën parazgjedhore për politika të përgjithshme për një të ardhme më të mirë për studentët dhe përmirësimin e arsimit të lartë dhe ndërgjegjësimin e opinionit për problemet me të cilat përballen studentët. Dokumenti, në të cilin tre synimet kryesore janë arsimi i lartë falas, ndërkombëtarizimi dhe digjitalizimi, është nënshkruar nga përfaqësuesit e rinisë së partive të përfaqësuara në Kuvend të cilët iu përgjigjën ftesës së ASU të USHCM- LSDM, VMRO-DPMNE, LDP, DOM, e Majta dhe Lëvizja Demokratike.

Shkup - Me Ligjin e ri për punonjësit në mbrojtje parashikohet punësimin pa shpallje publike të personave me aftësi të kufizuara, si dhe të familjarëve të cilët kanë një punonjës të vdekur në Ministrisë së Mbrojtjes dhe një pjesëtar të forcave të sigurisë, informoi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në konferencën e sotme me përfaqësues të mediave. Thotë se ligji i ri paraqet një valorizim të fuqishëm të punës dhe vendit të punonjësve në sistemin e mbrojtjes, si dhe që për herë të parë që nga pavarësia e shtetit, punonjësit e mbrojtjes, të cilët janë pjesë përbërëse e të gjithë sistemit, kanë një zgjidhje të veçantë ligjore. Theksoi se në Ministri është formuar një komision i përbërë nga anëtarë të Sindikatës dhe të Ministrisë, i cili do të monitorojë zbatimin e Ligjit të ri dhe të Marrëveshjes kolektive të miratuar.

Gjevgjeli - Pas zgjedhjeve, në mandatin tim të dytë, paga mesatare do të jetë 1000 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Pensionet do të vazhdojnë të rriten dhe jo vetëm që nuk do të kemi më asnjë pensionist nën kufirin e varfërisë, por pensionet do të jenë dinjitoze dhe shumë më të larta, tha sot kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me zëvendësministren plotësuese të Punës dhe Politika sociale, Jovanka Trençevska dhe drejtoreshën e DAP, Sanja Lukarevska, vizituan kompaninë "DIEM-GP" në Gjevgjeli. Siç tha Kovaçevski, kjo kompani nga industria përpunuese, produktet e së cilës janë të njohura në tregun e RMV-së dhe eksportohen në më shumë se 40 vende të botës, është dëshmi se ka një klimë të favorshme biznesi dhe se shteti është partner dhe përkrahës i besueshëm për kompanitë vendase.

Shkup - Rruga evropiane e Maqedonisë është e ardhmja e vendit dhe e qytetarëve të Maqedonisë dhe këtu nuk duhet patur dilemë, deklaroi sot lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke theksuar se Evropa duhet ta thotë se çka realisht planifikon me vendin tonë dhe jo të jemi peng të politikës ditore. Nëse partia e tij vjen në pushtet në zgjedhjet parlamentare, VMRO-DPMNE është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me cilindo që është i gatshëm të gjejë zgjidhje të përhershme për hyrjen e vendit në BE, pa pasur ndonjë pengesë shtesë në të ardhmen. VMRO-DPMNE, thotë Mickoski, dëshiron të flasë për kriteret reale të Kopenhagës të bazuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Shkup- Në VMRO-DPMNE dhe koalicion ende nuk dihet vetëm bartësi i listës për zgjedhjet parlamentare për njësinë e pestë zgjedhore. Lideri i partisë Hristian Mickoski siç dihet do të jetë bartës i listës në njësinë e parë zgjedhore, ndërsa siç konfirmoi sot, në Njësinë e dytë zgjedhore i pari në listë do të jetë nënkryetari i partisë Vllado Misajllovski, në të tretën Dragan Kovaçki, në të kartërtën nënkryetari Aleksandar Nikollovski, përderisa në Njësinë e gjashtë zgjedhore Dafina Stojanovska. Mickoski pret që së shpejti të finalizohen listat për deputetë për zgjedhjet e 8 majit.

Shkup – Në procedura gjyqësore për orë të papaguara jashtë orarit të punës të pjesëtarëve të Armatës, Ministria e Financave ka paguar shtatë milionë euro, tha ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në konferencën e sotme për shtyp. Petrovska në përgjigje për MIA-n thotë se Ligji për shërbimin në Armatë i përcakton saktë kompensimet që duhet të marrin pjesëtarët e ushtrisë, ku nuk përmendet shtesa për orët jashtë orarit të punës, për dallim nga Ligji për marrëdhënie pune, ku shtesa për orët jashtë orarit të punës përmendet.

Shkup - Përsëri keqpërdoret emri i SHA "Posta e Maqedonisë së Veriut" me porosi të cilat i marrin këto ditë qytetarët me përmbajtje të rreme, informojnë nga kompania në një publikim në ueb faqe. Me porositë qytetarët njoftohen për dërgesat e arritura dhe u bëhet thirrje që ta konfirmojnë adresën e tyre në një vegëz të ofruar.  SHA "Posta e Maqedonisë së Veriut" potencon se nuk qëndron pas njoftimeve. Emri i Postës nacionale më parë ishte keqpërdorur në fushata mashtruese në janar dhe shkurt të këtij viti.

Shkup - Sektori i Punëve të Brendshme Shkup-Njësiti për Tregti të Palejueshme me Drogë dhe Armë parashtroi kallëzim penal kundër nëpunësit policor Z.C. dhe kundër personit juridik-agjenci për sigurim, të së cilës i njëjti është pronar dhe drejtues, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “përpunim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti me armë dhe materie shpërthyese” e dënueshme sipas nenit 396 të Kodit Penal, njoftuan sot nga MPB. Poashtu, Departamenti për Kontrollë të Brendshme, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së parashtroi propozim për inicimin e procedurës për shkelje më të rëndë të disiplinës dhe rendit të punës sipas nenit 210 të Marrëveshjes kolektive dhe në pajtim me nenin 214 të Marrëveshjes kolektive të MPB-së është sjellur vendim për largimin e Z.C. nga vendi i punës deri në sjelljen e vendimit në procedurën disiplinore.

Shkup - Në panel-diskutimin e sotëm në Kuvend, të iniciuar nga Fondacioni "Romët për Demokraci", u shkëmbyen përvoja dhe mendime për ecurinë e grave rome jo vetëm në komunitetin shoqëror, por edhe në institucionet publike dhe në politikë. Të pranishmit theksuan se me iniciativën e titulluar “Mirë për gratë rome, mirë për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ndër të tjera ofrohet edhe zëri për barazi, gjithëpërfshirje dhe forcimin e vullnetit politik për kapacitetin e grave rome dhe kontributin e tyre në progresin e vendit.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, sot mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Klinika për Sëmundjet e Syve me rastin e Ditës Botërore të Glaukomës. Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, Në disa qytete të ndryshme të vendit (Manastir, Tetovë, Kumanovë dhe Shtip), matjet e presionit të syrit organizohen nga okulistë profesionistë dhe infermierë të trajnuar, me qëllim të ndërgjegjësimit për zbulimin në kohë të glaukomës. Në prononcim për mediat, Demiri theksoi se glaukoma është një sëmundje e rëndë okulistike që nëse nuk trajtohet mund të çojë në verbim dhe shkaku më i shpeshtë është rritja e presionit të syve.

Shkup - Ueb-faqja e Operatorit të Sistemit Elektrotransmetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut SHA MEPSO pas sulmit kibernetik të javës së kaluar, sot përsëri është në funksion.  Nga MEPSO në datën 7 të këtij muaji informuan se ishin cak i një sulmi kibernetik, por se pas integritetit të plotë të rrjetit elektro-energjetik dhe furnizimit me energji elektrike nuk janë të rrezikuar.  Incidenti, siç bënë të ditur, ishte denoncuar te të gjitha institucionet kompetente në bazë të rekomandimeve dhe rregullave për siguri kibernetike, ndërsa shërbimet profesionale i kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbutjen e efekteve nga sulmi dhe në bashkëpunim me ekspertë nga kjo sferë kanë punuar në normalizimin e punës së përditshme të kompanisë. 

Tiranë - Kryeministri shqiptar Edi Rama për herë të parë reagoi pasi Fredi Belerit, pjesëtar i minoritet grel, gjykata i shqiptoi dënim me burg me kohëzgjatje prej dy viteve, në çka ashpër reagoi Ministria greke e Punëve të Jashtme. "Kjo është punë që i takon drejtësisë. Më së miri është që sistemi gjyqësor shqiptar të mbetet i pavarur për të gjitha çështjet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Zotëriu është shtetas i Shqipërisë dhe ligji është i njëjtë për të gjithë. Lidhur me mundësinë për organizimin e zgjedhjeve të reja, duhet të pritet vendimi i Gjykatës së specializuar të Apelit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhje të reja nuk shpall kryeministri, por shefi i shtetit", deklaroi Rama, njoftuan mediat shqiptare.

Tiranë - Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke komentuar deklaratën e Zyrës së NATO-s në Bruksel se “Prioriteti i Aleancës në Shqipëri është kalimi nga prodhimi i ngadalshëm në atë të lartë të municionit, për nevojat e luftës në Ukrainë” vlerëson se Shqipëria nuk ka kapacitete për një gjë të tillë. “Në përgjithësi, kjo është një kërkesë e hershme e NATO-s, për shkak se Ukraina ka konsumuar shumë nga armatimet e vendeve të NATO-s. Nga studimet e bëra, është bërë e dukshme për nevojën që kanë vendet anëtare të NATO-s për të pasur një bazë armatimi dhe municioni dhe kohës së prodhimit të këtij municioni që minimalisht kërkon 2 deri në 3 vite dhe diskutimi apo kërkesa e Zelenksit e bën akoma dhe më interesante", deklaroi ai për Ora Njuz.

Beograd - Koalicioni "Serbia kundër dhunës" (SPN) ka përgatitur një dokument të detajuar në bazë të propozimeve të ProGlas dhe sektorit civil lidhur me kushtet zgjedhore, i cili përfshin themelimin e një komisioni të pavarur dhe si zgjidhje afatgjatë, qeveri kalimtare sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, deklaroi sot në emër të këtij koalicioni Radomir Lazoviq në një konferencë për media në sallën e Kuvendit popullor, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. Ai kërkoi nga Kuvendi që të formojë një Komision të posaçëm për organizimin e zgjedhjeve, ku do të përfshihen përfaqësues të qeverisë, opozitës dhe sektorit civil, me kompetenca mbikëqyrëse dhe ekzekutive.

Nikozi - Anija “Open Arms” me ndihma humanitare për Gazën, e cila duhej të nisej dje nga Qiproja, ende është e ankoruar në portin e Larnakës dhe sipas mediave qipriote, vonesa është për arsye teknike, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Sipas informacioneve të agjencisë qipriote të lajmeve, arsyeja është se platforma mbi të cilën do të dërgohet ndihma humanitare, prej rreth 150 tonësh, përfshirë ushqimin, nuk është gati në Gaza. Plani fillestar ishte që anija të lundronte dje pasdite, më pas u shty për mëngjesin e sotëm dhe pritet që gjatë ditës të niset për në Gaza dhe siç tha të shtunën presidenti i Qipros, Nikos Hristoduloidis, për arsye sigurie, ata nuk mund ta bëjnë publike orën specifike se kur do të lundrojë anija nga Larnaka.

Bruksel - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel prej sot e deri më 15 mars do të qëndrojë për vizitë në Nju-Jork dhe Uashington, që do të përfaqësojë mundësi për vërtetim të forcës dhe dimanikës të partneritetit të BE-së me KB-në, si dhe për fuqizim të marrëdhënieve të Unionit me SHBA-në. Siç bëri të ditur Komisioni Evropian, sonte Boreli në Nju-Jork do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh me të cilin do të bisedojë për situatën në Lindjen e Afërt, veçanërisht për situatën humanitare në Gazë dhe për përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për ndërprerje të konfliktit. Është paraparë që Boreli dhe Gutereshi të flasin edhe për ngjarjet më të reja në lidhje me agresionin rus ndaj Ukrainës dhe çështje të tjera gjeopolitike. Boreli nesër do ta mbajë fjalimin e tij vjetor para Këshillit të Sigurisë së KB-së kushtuar bashkëpunimit mes Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Londër - Çmimet e bitkoinit sot janë rritur në nivelin e ri historik më të lartë, duke e kaluar kufirin prej 72.200 dollarëve, pasi rregullatori financiar britanik kumtoi se do t'u mundësojë bursave të atjeshme të trgetojnë me prodhime lidhur me kriptovalutat për herë të parë. Sipas të dhënave të ueb faqes për kripto këmbim Binance, çmimi i bitkoinit sot në ora 12:50 shkurt arriti vlerën prej 72,214,7 dollarë. Rregullatori britanik publikoi në kumtesë se nuk do t'i kundërshtohet kërkesave nga bursat e njohura investuese në Britaninë e Madhe për tregtim me letrat e huasë me vlerë (ETN), të cilat e ndjekin çmimin e kriptovalutave, njofton Si-En-Bi-Si.

Paris - Të paktën katër persona e kanë humbur jetën në përmbytjet në Francën juglindore, sipas të dhënave të reja të autoriteteve lokale, pasi edhe një njeri është gjetur i vdekur. Trupi është gjetur në rrethinën e Dionsit, fshat në veri të qytetit Nim, ku janë zhdukur tre persona - babai dhe dy fëmijët e tij, kumtoi prefektura e departamentit Gard. Nëna 40-vjeçare është shpëtuar para se automobili i tyre të dalë nga ura. Dy fëmijët, të moshës 4 dhe 13 vjeç, ende po llogariten të zhdukur, si dhe një burrë në disktriktin Ardesh. Stuhia Monika ka shkaktuar erë të fuqishme dhe të reshura të mëdha të shiut në disa vende evropiane gjatë fundjavës.

Romë - Policia italiane ka arrestuar tre palestinezë në Italinë qendrore për të cilët autoritetet thonë se planifikonin të kryenin sulme në një vend të paspecifikuar, thuhet në një komunikatë të policisë. Theksohet se tre burrat, të cilët jetojnë në Akuila, rreth 120 kilometra në verilindje të Romës, kanë formuar një celulë të lidhur me Brigadat e martirëve Al-Aksa, një grup i armatosur i lidhur me lëvizjen Fatah të presidentit palestinez Mahmud Abas, i cili konsiderohet një grup terrorist në Izrael, BE dhe SHBA. Policia njoftoi se tre palestinezët akuzohen për komplot kriminal për të kryer terrorizëm ose për të përmbysur rendin demokratik, i cili sipas ligjit italian parashikon një dënim me burg deri në 15 vjet.

Bruksel - Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar sot se prioritet kryesor i Brukselit është zbatimi i obligimeve që Prishtina dhe Beogradi i kanë pranuar si pjesë e dialogut. “Të dyja palët nuk kanë bërë shumë për zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut dhe prioriteti ynë kryesor është të fillojmë përmbushjen e obligimeve që kanë marrë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel. Ai shtoi se BE-ja nuk mund të hyjë në detaje dhe të komentojë procedurat dhe hapat e ndërmarrë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të rënë dakord nga Prishtina dhe Beogradi  më 18 mars 2023.

Manila - Sekretarja amerikane e Tregtisë, Xhina Raimondo, deklaroi sot se qeveria amerikane është duke e vlerësuar vazhdimisht nevojën për zgjerimin e kontrolleve të eksportit për të parandaluar Kinën që të blejë çipa të avancuar kompjuterikë dhe pajisje prodhuese që mund të përdoren për forcimin e ushtrisë.  Kontrollet e eksportit amerikan u prezantuan për herë të parë në vitin 2022 për të parandaluar përdorimin e çipave për aplikime ushtarake, të cilat përfshijnë zhvillimin e raketave hipersonike dhe inteligjencës artificiale. Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Tregtisë zgjeroi kontrollet e eksportit, duke shkaktuar një protestë nga Ministria e Tregtisë e Kinës, e cila tha se vendimi shkel rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe "kërcënon seriozisht stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit industrial".

Tel-Aviv - Ofensiva izraelite në Rafah nuk është ende afër, deklaruan sot zyrtarët izraelitë, transmeton CNN. Ushtria ende nuk ka përgatitur forcat e nevojshme për ofensivën dhe nuk kanë përfunduar planet për evakuimin e civilëve nga ai qytet në pjesën jugore tëGgazës. Dhe derisa forcat mund të përgatiten në afat të shkurtër, evakuimi i civilëve do të zgjasë të paktën dy javë, thanë zyrtarët e paidentifikuar.

Nju-Jork - Në raportin e Komisionit të pavarur hetimor ndërkombëtar të OKB-së për Sirinë, i publikuar sot, thuhet se edhe pas pesë vitesh nga disfata e Shtetit Islamik (SHI) në atë vend, pothuajse 30.000 fëmijë të militantëve dhe ndihmësit e tyre të kombësive të ndryshme janë viktima të abuzimit në kampe, burgje dhe qendra rehabilitimi në verilindje të Sirisë. Në raportin e komisionit theksohet se shumica e këtyre fëmijëve u sollën në pjesë të Sirisë dhe Irakut nga prindërit e tyre pasi SHI shpalli kalifat atje në 2014. OKB-ja u bëri thirrje vendeve nga erdhën fëmijët që t'i kthejnë dhe t'i integrojnë në shoqëritë e tyre.

Romë - Ekipi italian i futbollit, Leçe e shkarkoi trajnerin Roberto D'Aversa, i cili të dielën e qëlloi me kokë lojtarin e Veronas, Tomas Anri. "Pas ngjarjeve në fund të ndeshjes Leçe - Verona, klubi publikoi se e ka shkarkuar nga detyra trajnerin D'Aversa", thuhet në kumtesën e shkurtë të klubit. Leçe të dielën humbi si vendas nga Verona me rezultatin 1:0, ndërsa gjatë zënkës, e cila ndodhi pasi gjyqtari kryesor fishkëlloi për fund të ndeshjes, Roberto D'Aversa iu afrua Anrisë në rrugën drejt zhveshtores dhe e qëlloi me kokë

QËNDRONI TË LIDHUR