• e shtunë, 06 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 13 gusht/ 2025

Shkup- Sot, 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë, qëndrojmë këtu jo vetëm për të kujtuar një datë historike, por për të kujtuar një të vërtetë të thellë – se shtetin e kemi vetëm nëse e ruajmë së bashku, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme solemne me rastin e shënimit të 24 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë. Mickoski theksoi se vera e vitit 2001 ishte një nga më të vështirat në historinë tonë të kohëve të fundit, se atdheu ynë u trondit nga konflikti, nga frika, nga pasiguria. Kishte momente, shtoi ai, kur dukej se asgjë nuk do të mbetej e njëjtë, se rruga drejt rrënimit ishte e pashmangshme. Por, më pas, shtoi Kryeministri, me guxim, durim dhe vizion, zgjodhëm rrugën e paqes, dialogut, kompromisit dhe bashkësisë.

Shkup – Nuk ka demokraci të vërtetë pa besim dhe nuk ka shtet funksional pa barazi. Kjo është filozofia që e udhëheq Qeverinë tonë - ndërtimi i një shoqërie që e sheh diversitetin jo si pengesë, por si pasuri, jo si ndarje, por si mundësi. Prandaj, çdo vendim politik që marrim, çdo reformë që ndërmarrim, gjithashtu duhet të jetë në përputhje edhe me frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, porositi zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti në seancën solemne, me rastin e 24 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke theksuar se “fryma që duam të instalojmë në shoqërinë tonë është fryma e bashkëjetesës, respektit dhe shpresës së ndërsjellë për të ardhmen.” Marrëveshja Kornizë e Ohrit, tha Mexhiti në fjalën e tij, nuk është vetëm një kujtim, por "proces i gjallë që duhet të shndërrohet çdo ditë në ligje të dhe politika të drejta dhe institucione gjithëpërfshirëse që u shërbejnë qytetarëve me ndershmëri."

Shkup – Gjykata Kushtetuese informoi se është formuar lëndë në të cilën kontestohet Protokolli nga takimi i dytë i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë i miratuar më 17.07.2022 në Sofje, për të cilin vijon procedura paraprake në të cilën hetohen të dhënat dhe njoftimet e nevojshme për marrjen e vendimit.  Parashtrues i nismës është ish deputetja dhe kryetare e RDM Liljana Popovska, e cila bën të ditur se me Protokollin e kontestuar është shkelur Kushtetuta dhe thotë se ka formë dhe përmbajtje joadekuate, se del jashtë kornizave të aktit juridik i cili përgatit një nen të Marrëveshjes mes dy vendeve dhe prodhon veprime të dëmshme ndaj çështjeve të identitetit për popullin, gjuhën dhe shtetin maqedonas.  

Shkup- Për shkak të mos menaxhimit të punës së kryetarit të komunës Ramiz Merko dhe udhëheqësisë në komunën e Strugës, nuk po mbërrijnë bllok dotacionet për shkollat fillore, thekson ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.  E pyetur për koment pas publikimit të djeshëm nga komuna e Strugës se ua jep kompetencat per shkollat fillore në territorin e saj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin shkollor 2025/2026, Janevska sot në konferencë për shtyp tha se vendi është në proces të decentralizimit dhe se ekzistojnë ligje për këtë.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, sot vizituan rezervatin "Jasen", ku prej disa ditësh, punonjës të DMSH, pjesëtarë të njësive speciale të MPB dhe Ministrisë së Mbrojtjes po luftojnë me zjarrin. Mickoski, siç informon shërbimi për informim i Qeverisë, konstatoi se situata është nën kontroll dhe se vazhdon shuarja e zjarrit në rezervatin "Jasen".

Shkup- Një zjarr me përmasa të mëdha ka shpërthyer në afërsi të fshatit Oktisi të Strugës, në vendin e quajtur Oktishka Krasta, i cili paraqet një kërcënim potencial për pronën e qytetarëve, kumtoi Qendra për menaxhim me kriza (QMK). Siç kumtuan nga atje, në terren janë të pranishëm ekipet e NJTZ Strugë dhe një pjesë e popullsisë lokale, por sipas vlerësimit të komandantit të NJTZ Strugë, zjarri është përhapur në një terren specifik dhe të paaritshëm, gjë që pamundëson shuarjen nga toka.  Për këtë arsye, shtojnë nga QMK-ja, është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme nga ajri. 

Shkup- Në kuadër të aktiviteteve që lidhen me zgjedhjet lokale, mbrëmë përfundoi afati tre-ditor për paraqitjen e mediave të shkruara dhe elektronike (portaleve të internetit), nëse ato sigurojnë reklamim politik të paguar për pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore. Afati për dorëzimin e listave të çmimeve në KSHZ për zgjedhjet është deri nesër në mesnatë. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se në ditët në vijim do të publikojnë numrin e mediave që kanë paraqitur dokumente për t'u regjistruar në Regjistër, pasi dokumentet po kontrollohen dhe disa prej tyre janë dërguar edhe me email dhe janë dorëzuar në arkivin e tyre. Transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet e internetit) që nuk regjistrohen në KSHZ nuk do të kenë të drejtë të përdorin mjete financiare për reklama politike të paguara, të siguruara nga Buxheti i Shtetit.

Gostivar- Në kuadër të iniciativës "Kabinet mobil", ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot zhvilloi takim me qytetarët dhe punonjësit e Spitalit të përgjithshëm "Ferid Murad" në Gostivar. Ministri Aliu vizitën e shfrytëzoi për të mësuar rreth nevojave të institucionit më të madh shëndetësor në komunën e Gostivarit. Pas takimit me punonjësit, ai konstatoi se nevojat dhe problemet e spitalit të Gostivarit janë të ngjashme me ato të institucioneve të tjera shëndetësore publike dhe kritikoi punën e deritanishme në këtë sektor

Dellçevë- Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski sot inspektoi rindërtimin dhe rinovimin e Qendrës së re të shërbimeve në Dellçevë e cila ndodhet në lokacionin e njohur në qendër të qytetit. Ministria, tha ai, mbetet e përkushtuar për t'i sjellë shërbimet elektronike më afër çdo qytetari, veçanërisht te ata që nuk kanë aftësi digjitale ose qasje në kompjuterë dhe internet. "Qëllimi ynë është që çdo qytetar të ketë mundësi të ketë qasje lehtësisht në shërbimet e Portalit të Ministrisë së Transformimit Digjital. Qendra në Dellçevë do të jetë vend ku qytetarët do të marrin mbështetje dhe njohuri se si t'u qasen shërbimeve të nevojshme", ka thënë Andonovski. Ai theksoi se hapja e Qendrës pritet në shtator, ndërsa qytetarët do të jenë në gjendje të përdorin të gjitha shërbimet që u nevojiten, direkt në një vend.

Kumanovë - Zjarrfikësit nga Kumanova pothuajse pesë orë kanë intervenuar në zjarrin afër Qendrës transitore Tabanoc. Nga NjTKZ Kumanovë informojnë se nuk janë përfshirë objekte dhe se në shuarjen e zjarrit kanë intervenuar tre automjete me nëntë zjarrfikës."Denoncimi është bërë në orën 19:25 në zonën e fshatit Tabanoc rreth qendrës së emigrantëve. Zjarri ka qenë në një sipërfaqe më të madhe, janë përfshirë pyll i ulët dhe bar i thatë. Sipas vlerësimeve fillestare rreth 50 hektarë. Nuk janë prekur ndërtesa. Në shuarjen e zjarrit kanë intervenuar tre ekipe dhe nëntë zjarrfikës deri në orën 00:15", deklaroi komandanti i NjTKZ, Dejan Ilievski.

Tiranë - Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi sot të mos e ndryshojë masën e sigurisë ndaj Ilir Metës,duke e lënë atë në “arrest në burg”. Gjykatësi i Posaçëm Erjon Çela ka vendosur që ish-presidenti i Shqipërisë dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë në opozitë të mbetet në paraburgim në burgun "313" në Tiranë. Meta kërkoi të lirohej nga burgu me argumentin se "nuk ka më rrezik nga falsifikimi i provave", sepse hetimet kundër tij janë mbyllur dhe çështja është dërguar në gjyq. Kërkesa e tij erdhi pasi, më datën 5 të këtij muaji, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e njoftoi zyrtarisht Ilir Metën për mbylljen e hetimeve dhe transferimin e çështjes në gjykatë.

Stamboll – Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamogllu, i cili është në paraburgim tashmë pesë muaj pas akuzave për korrupsion, deklaroi në një intervistë për “Blumberg” se është i hapur të mbështesë kandidat alternativ opozitar nëse bllokohet kandidatura e tij për kryetar.  “Madje edhe nëse zyrtarisht më ndalohet, opozita demokratike duhet të mbetet e bashkuar”, porositi Imamogllu përmes përgjigjeve me shkrim të dorëzuara nga këshilltarët e tij.  Ai shfaqi shpresë se do të mund të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2028, por edhe se është i gatshëm për betejë të gjatë juridike. Sipas “Blumberg”, në mesin e kandidatëve potencialë opozitarë janë lideri i Partisë Popullore Republikane, Jozgur Jozel, dhe kryetari i Ankarasë, Mansur Jashari. 

Berlin - Liderët evropianë shprehën kënaqësinë për bisedimet e sotme me presidentin amerikan Donald Tramp para samitit të tij me presidentin rus Vlladimir Putin, duke thënë se ata ndajnë kryesisht qëllimet për takimin e së premtes i cili fillon me arritjen e një armëpushimi në Ukrainë. Kancelari gjerman Fridrih Merc dhe presidenti i Francës Emanuel Makron përcollën qëndrimin e përbashkët se vendimet për Ukrainën nuk mund të merren pa Ukrainën, duke theksuar se ajo duhet të përfshihet në çdo vendim përfundimtar. Ata gjithashtu mbështetën idenë për një samit të mundshëm trepalësh në të ardhmen me Trampin dhe Putinin. Makroni deklaroi se Trampi do t'i kërkojë Kremlinit ndërprerjen e zjarrit gjatë takimit me Putinin.

Bruksel – Evropa dhe SHBA-ja janë “të bashkuara në përpjekjet për dhënien fund të kësaj lufte të tmerrshme” në Ukrainë, njoftoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, pas bisedës së “shkëlqyer” me presidentin amerikan Donald Tramp dhe liderëve evropianë.  “E vlerësoj lidershipin e Trampit dhe koordinimin e ngushtë me aleatët. Topi tani është në oborrin e Putinit”, publikoi Rute në X, para takimit të Trampit në Alaskë të premten me presidentin rus Vladimir Putin.

Bruksel- Shefja e BE-së, Ursula fon der Lajen e ka përshëndetur "bisedën e realizuar" me Donald Trampin dhe liderët e Ukrainës dhe vendeve evropiane, dy ditë para takimit të presidentit amerikan me presidentin rus Vlladimir Putin. "Sot, Evropa, SHBA-ja dhe NATO kanë përforcuar qëndrimin e përbashkët për Ukrainën. Do të mbetemi në koordinim të ngushtë. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ne, paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", publikoi Fon der Lajen në Iks. 

Uashington- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp do ta përdorë temën e sanksioneve si mjet negociues në takimin e tij të ardhshëm me presidentin rus Vlladimir Putin në Alaskë, deklaroi ministri i Financave amerikane, Skot Besent. "Sanksionet mund të forcohen, mund të lehtësohen dhe mund të kenë afate kohore. Të gjitha opsionet janë në tryezë", tha Besent për televizionin "Blumberg". Ai shtoi se është e rëndësishme që edhe aleatët evropianë të përfshihen në zbatimin e sanksioneve, me qëllim rritjen e fuqisë negociuese të Perëndimit.

QËNDRONI TË LIDHUR