MIA Flesh
- Shkup - Sot, vendi shënon 84 vjet nga fillimi i kryengritjes popullore që filloi në vitin 1941 në Prilep dhe Kumanovë. Kjo shënoi fillimin e kryengritjes kundër fashizmit dhe luftës për çlirimin e popullit maqedonas. Këtë vit, festa do të shënohet me një akademi ceremoniale në Prilep dhe me ndarjen e çmimit me të njëjtin emër në Shkup.
- Post By Sara Ademi
- 14:55, 11 tetor, 2025
15:00/ 11 tetor/ 2025
Shkup - Sot, vendi shënon 84 vjet nga fillimi i kryengritjes popullore që filloi në vitin 1941 në Prilep dhe Kumanovë. Kjo shënoi fillimin e kryengritjes kundër fashizmit dhe luftës për çlirimin e popullit maqedonas. Këtë vit, festa do të shënohet me një akademi ceremoniale në Prilep dhe me ndarjen e çmimit me të njëjtin emër në Shkup.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dërgoi një mesazh urimi me rastin e 11 tetorit, duke bërë thirrje për unitet dhe bashkim. "Jetojmë në një kohë të vështirë luftërash dhe kërcënimesh ushtarake, të turpshme për shekullin e 21-të. Jemi të ngarkuar me probleme thelbësore në realizimin e ligjit, drejtësisë, humanitetit dhe solidaritetit. Përballemi me sfida të reja, të pazakonta për demokracinë. Kërkohet që të kemi pjekuri, mençuri dhe guxim të Ilindenit edhe në marrjen e vendimeve kyçe. Duhet të jemi përsëri të bashkuar dhe kohezivë, nëse duam të ruajmë atë që trashëguam nga ata që u nisën në një marshim kryengritës, të udhëhequr nga një vizion i qartë, të gatshëm të sakrifikohen në misionin çlirimtar!, thotë Siljanovska-Davkova.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u takua në Venecia me Mark Kuls, kryetar i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Siç informojnë nga kabineti i presidentes, si një nga organet më të rëndësishme të Këshillit të Evropës, i cili bashkon autoritetet lokale nga 46 shtete anëtare, Kongresi synon forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe demokracisë.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u takua në Venecia me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alen Berse, në prag të festimit të 35-vjetorit të Komisionit të Venedikut. Siç informojnë nga Kabineti i presidentes, në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi situatën aktuale në kontinentin evropian. Bashkëbiseduesit ranë dakord se, si institucioni më i vjetër dhe më përfaqësues evropian, Këshilli i Evropës ka legjitimitetin për t'u angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat gjeopolitike bashkëkohore. Në këtë kontekst, sekretari i përgjithshëm Berse tha se në një kohë të militarizimit në rritje të kontinentit dhe regresit të demokracisë, është e nevojshme të forcohen institucionet demokratike.
Shkup - Nevojitet një mobilizim i thellë i të gjitha strukturave në shoqëri për të rifilluar sistemin e dëmtuar dhe jofunksional, të ngarkuar me shumë lëshime, kompromise të paarsyeshme, abuzime dhe zhgënjime. Jo vetëm mobilizimi i elitave politike, por një mobilizim i thellë i të gjitha strukturave në shoqëri. Nevojitet një dialog përmbajtësor me të gjithë faktorët shoqërorë të rëndësishëm për shtetin, tha kryeministri Hristijan Mickoski në kremtimin qendror të Ditës së Kryengritjes Popullore - 11 Tetor.
Shkup - Me rastin e kremtimit të Ditës së Kryengritjes Popullore - 11 Tetori, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, së bashku me ministrin e Transformimit Dixhital Stefan Andonovski, vendosën një kurorë me lule në Varrezat Partizane në Butel para memorialit të heronjve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste.
Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, dërgoi një mesazh urimi me rastin e 11 Tetorit - Ditës së Kryengritjes Popullore, duke theksuar se festa përfaqëson një pikë kthese historike dhe një simbol të luftës kundër fashizmit dhe dëshirës për liri dhe dinjitet të popullit maqedonas. "Në këtë ditë, kujtojmë dhe shprehim respektin më të lartë për të gjithë luftëtarët e guximshëm që sakrificën e tyre e ndërtuan në themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë. Kryengritja e vitit 1941 nuk ishte vetëm një përballje ushtarake, por edhe një detyrim moral - një luftë e organizuar, e guximshme dhe e drejtë për të drejtat e njeriut, barazi dhe vetëvendosje. Ishte momenti kur populli maqedonas, së bashku me të gjitha komunitetet që jetojnë në këto zona, zgjodhën të ardhmen e një shteti të pavarur dhe demokratik", thotë ai.
Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski kryesoi delegacionin qeveritar i cili, me rastin e 11 Tetorit, vendosi lule para monumenteve të Metodija Andonov Çento, Kuzman Josifovski Pitu, monumentit të Gruas Luftëtare dhe para Tumës së të Pamposhturve. "Kjo ditë duhet të na kujtojë edhe pse e festojmë. Nuk duhet të harrojmë pse u ngrit kryengritja, kundër kujt u ngrit dhe kundër ideologjisë së kujt u ngrit kryengritja. Është e qartë se Maqedonia ishte nën pushtim, jo nën administrim, është e qartë se kishte një Luftë të fortë Çlirimtare Popullore, jo një luftë ideologjike midis të majtëve dhe të djathtëve dhe midis komunistëve dhe monarkistëve, por një luftë të qartë kombëtare të popullit maqedonas për çlirimin e popullit. Nuk është rastësi që çetat partizane mbanin emrat e luftëtarëve të Ilindenit dhe figurave më të larta të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase, kështu që 11 Tetori është vazhdim i 2 Gushtit, nëse nuk do të ekzistonte 2 Gushti, nuk do të ekzistonte 11 Tetori, dhe nëse nuk do të ekzistonte 11 Tetori, nuk do të ekzistonte 8 Shtatori 1991", tha Nikollovski.
Shkup - Fushata zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 po intensifikohet përpara heshtjes që fillon të premten, më 17 tetor në mesnatë dhe votimit më 19 tetor. Partitë politike dhe koalicionet po mbajnë tubime, takime me qytetarët dhe janë aktive edhe në rrjetet sociale. Në 80-të komunat dhe veçanërisht në Qytetin e Shkupit janë të dukshme edhe pankarta të mëdha me kandidatë për kryetarë komunash. Kandidatët e pavarur po e zbatojnë fushatën, përgjithësisht, me konferenca për shtyp, takime me qytetarët dhe veçanërisht në rrjetet sociale.
Shkup - Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, sot për nder të 11 Tetorit - Ditës së Kryengritjes Popullore, realizoi takim me përfaqësuesit e Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇAM-së. Duke uruar festën e madhe maqedonase, ai theksoi amanetin e luftës dhe theksoi rëndësinë dhe kontributin e LNÇ-së dhe Lidhjes së Luftëtarëve në vendosjen e themeleve të shtetit tonë.
Shkup - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerëson se Oda e Mjekëve duhet të reagojë dhe të vlerësojë nëse një mjek në gjendjen në të cilën u kap drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, mund të trajtojë pacientë. Sipas Filipçes, është mirë që Kuzmanovski është shkarkuar menjëherë nga puna, por pret edhe reagim nga Oda e Mjekëve.
Shkup - Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në konferencën e sotme për shtyp prezantoi njërën nga shtatë shtyllat e programit të tij zgjedhor - "Shkupi - qytet i shtresave, qytet i kulturës". Shkupi është një qytet me histori, karakter dhe shpirt. Një qytet që është goditur shumë herë, por gjithmonë ka arritur të ngrihet, të ripërtërihet dhe të ecë përpara. Dhe gjithmonë, ishte kultura ajo që e ruajti shpirtin e saj. Sot, kur flasim për të ardhmen e Shkupit, nuk flasim vetëm për rrugët dhe infrastrukturën. Po flasim për atë se çfarë lloj qyteti duam të ndërtojmë, një qytet që zhvillohet, por nuk e humb shpirtin e tij. Prandaj, sot ju paraqes një nga shtatë shtyllat mbi të cilat bazohet programi im. Ai titullohet "Shkupi - një qytet shtresash, një qytet kulture". Strategjia kulturore për Shkupin e njeh shtresëzimin e qytetit si asetin e tij më të madh. Kjo është arsyeja pse ajo bazohet në tre drejtime kryesore: rivitalizimin e hapësirave publike, zhvillimin e infrastrukturës kulturore dhe mbështetjen sistematike të zhvillimit kulturor. Shkupi është një qytet që tregon historinë e tij përmes Skupit, Çarshisë, Kalasë dhe Akuaduktit, theksoi ai.
Shkup - Në Kuvend sot do të ndahet çmimi shtetëror "11 Tetori" për vitin 2025 për njohjen më të lartë për arritje jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe aktivitete të tjera nga interesi publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Çmimi për arritje jetësore në fushën e kulturës dhe artit do t'i jepet: Teuta Ajdini Jegenit, aktore; Letka Dimovskës, dirigjente e korit; Ivo Jankoskit, producent, promotor i artit maqedonas; ndërsa në fushën e shkencës dhe arsimit - Prof. Dr. Konstantin Dimitrovit, inxhinier mekanik dhe akademikut Gligor Jovanovski, kimist.
Kiev - Dy të punësuar në një kompani energjitike humbën jetën në një sulm me dron rus në rajonin Çernihiv të Ukrainës veriore, bënë të ditur sot autoritetet e mbrojtjes civile. Sipas një postimi në "Telegram", dronët goditën automjetet e shërbimit të kompanisë në zonën Semenivka, e cila ndodhet pranë kufirit me Rusinë. Një burrë vdiq nga plagët e marra në vendngjarje, ndërsa i dyti vdiq në spital. Janë plagosur edhe katër të punësuar të tjerë.
Paris - Presidenti francez Emanuel Makron e ka riemëruar Sebastian Lekornu si kryeministër dhe e ka ngarkuar atë me formimin e një qeverie të re, njoftoi zyra e Makronit. Emërimi i ri vjen pasi Lekornu dha dorëheqjen nga posti i tij në fillim të kësaj jave. Detyra e tij e menjëhershme do të jetë paraqitja e buxhetit në Parlament të hënën.
Romë - Me fillimin e armëpushimit në Rripin e Gazës, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara me seli në Romë i ka bërë thirrje qeverisë izraelite që të lejojë urgjentisht ndihmën humanitare të hyjë në territorin e rrethuar, raporton DPA. "Ky është një moment vendimtar për popullin e Gazës", tha Martin Frik, përfaqësues i WFP-së për Gjermaninë, Austrinë dhe Lihtenshtajnin, në një intervistë me grupin mediatik gjerman RND.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp pret që pengjet që i mban lëvizja palestineze Hamas në Gaza "të kthehen" në shtëpi të hënën. Presidenti amerikan para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë theksoi se, përveç pengjeve të gjallë, Izraelit do t'i kthehen të paktën 28 trupa të pengjeve të vdekur.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi sot se SHBA-ja do të vendosë tarifa të reja shtesë prej 100 për qind për importin nga Kina, si dhe kufizime në eksportin e produkteve teknologjike. "Kemi mësuar se Kina ka mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht agresiv ndaj tregtisë dhe i ka dërguar një letër shumë armiqësore botës, duke njoftuar se duke filluar nga 1 nëntori 2025, do të vendosë kontrolle të gjera të eksportit për pothuajse të gjitha produktet që prodhon - dhe disa që as nuk i prodhon", shkroi Trampi në platformën Truth Soushël.
Meksiko Siti - Të paktën 23 persona humbën jetën në Meksikë pasi reshjet e rrëmbyeshme përfshinë pjesën më të madhe të vendit nga e enjtja e tutje, kumtuan autoritetet lokale. Sipas Agjencisë Kombëtare për Mbrojtje Civile, reshje të rrëmbyeshme janë vërejtur në 31 nga 32 shtete meksikane, veçanërisht në Verakruz, Keretaro, Idalgo dhe San Luis Potosi. Në shtetin Idalgo kanë humbur jetën 16 persona, ndërsa rreth mijëra shtëpi janë përmbytur. Në shtetin Puebla janë raportuar pesë viktima, 11 të zhdukur dhe 80.000 persona të goditur. Në Keretaro ka humbur jetën një fëmijë, ndërsa në Verakruz - një polic.
Uashington - Autoritetet amerikane kanë njoftuar se 19 persona kanë vdekur ose janë të zhdukur pas një shpërthimi shkatërrues në një fabrikë eksplozivësh në shtetin e Tenesit. Sherifi i Qarkut Hamfris, Kris Dejvis, tha se "po kërkojmë 19 persona". Ai nuk specifikoi se sa prej tyre u konfirmuan të vdekur, por konfirmoi se kishte edhe të lënduar. Shkaku i shpërthimit në fabrikë, e cila ndodhet në perëndim të Neshvillit, nuk është përcaktuar ende. Hetimi mund të zgjasë disa ditë.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore erë e përforcuar veriore. Në rajonet verilindore do të ketë kushte për shi lokal. Temepratura minimale do të jetë në interval prej 4 deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 11 deri në 21 gradë Celsius. Në Shkup do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Do të fryjë erë mesatare, përkohësisht e përforcuar veriore. Temepratura minimale do të bie në 11 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 19 gradë Celsius.