• e premte, 05 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 4 shtator/ 2025

Shkup - Imperativ i ynë është ta ruajmë Liqenin e Ohrit si resurs të vlefshëm jetësor. Mirëqenia e liqenit nuk është e garantuar vetvetiu, nëse shoqëria dhe institucionet nuk kujdesen për të, porositi presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova gjatë shënimit të sotëm të 90-vjetorit të themelimit të Entit hidrobiologjik në Ohër. "Duhet të kujdesemi dhe t'i ruajmë bukuritë dhe raritetet tona natyore. Ato janë të përhershme, ato janë tonat, por edhe trashëgimi botërore dhe i takojnë tërë njerëzimit, jo vetëm neve. Të bëjmë marrëveshje me natyrën, të bëjmë marrëveshje me Liqenin e Ohrit, e ndoshta të sjellim ligj për Ohrin, duke e trajtuar si suoerior ndaj nesh, më i vjetër dhe më i rëndësishëm. Ta ruajmë dhe mbrojmë, sepse përmes tij e mbrojmë veten. Të investojmë në ekologji", tha Siljanovska-Davkova.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot konfirmoi se po punohet në ndryshimet e Kodit Penal, për votimin e të cilave në Kuvend kaloi afati prej gjashtë muajsh që e caktoi Gjykata Kushtetuese. Mickoski, i pyetur nga gazetarët nëse ndryshimet në Kodin Penal u bënë pasi Kuvendi tregoi se Qeveria është kompetente t'i paraqesë ato, theksoi se "Qeveria e mëparshme, për të amnistuar veten për krimin që kreu, votoi në Kuvend duke keqpërdorur bashkërisht flamurin evropian".

Shkup - Me bruto prodhimin vendor (BPV) prej 3,4 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, Maqedonia ndan vendin e tretë me Kroacinë sipas rritjes së arritur ndër vendet evropiane dhe është përpara të gjitha vendeve të rajonit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.  Në pyetjen e gazetarëve, Mickoski sot tha se pritet që rritja e ekonomisë të kalojë mbi katër përqind deri në fund të vitit.

 Shkup - Kanali i Kuvendit informon se po fillon me transmetimin e një serie intervistash me deputetët të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, emisionin "Deputeti Juaj". Deputetët, siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit,  përmes prezantimit të tyre në emision, flasin për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, mjedisin nga i cili vijnë, fillimet e hyrjes së tyre në politikë, si dhe angazhimet e tyre të mëtejshme në punën e Kuvendit.

Shkup - Përmes masës për investime të gjelbra deri tani janë hapur pothuajse 400 vende të reja pune në sektorin privat, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, i cili së bashku me drejtorin e Agjencisë së Punësimit dhe përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së vizituan restorantin "Ksantika" si një nga shembujt e suksesshëm të investimeve të gjelbra. "Deri më tani, 228 kompani kanë investuar në zgjidhje të gjelbra - panele fotovoltaike, efikasitet energjetik dhe pajisje moderne. Kompanitë kanë investuar mbi 200 milionë denarë nga fondet e tyre, që është më shumë se mbështetja shtetërore. Kjo tregon se politika e qeverisë nuk është vetëm një subvencion, por një katalizator për kapitalin privat dhe një ekonomi të gjelbër", theksoi Durmishi.

 Shkup - Katërmbëdhjetë vëzhgues të misionit të ODIHR-it do t'i monitorojnë Zgjedhjet Lokale të vitit 2025. Kërkesat e tyre për akreditime për të vëzhguar Zgjedhjet Lokale u miratuan unanimisht nga anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme të 133-të. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se nesër zyrtarisht do të kenë takimin e parë me përfaqësuesit e misionit vëzhgues të ODIHR-it, me ç'rast zyrtarisht do të fillojnë punën e tyre.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, si dhe kandidat i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një deklaratë për mediat tha sot se nuk ka informacion nëse është përgjuar nga ana e Agjencisë së sigurisë kombëtare. "Nuk kam informacion. Nuk jam marrë me këtë informacion", ka thënë Mexhiti, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Gazi Babë.

Bruksel - Kontrolli bullgar i trafikut ajror konfirmoi se ka pasur radio pengesa në aeroplanin me të cilin kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, të dielën mbërriti në Plovdiv, deklaroi sot zëvendës-zëdhënësja kryesore e KE-së, Ariana Podesta. Deklarata e Podestës ishte përgjigje e pyetjes së gazetarëve për komentin e Komisionit Evropian mbi deklaratën e zv/kryeministrit dhe ministrit bullgar për Transport dhe Lidhje, Grozdan Karadjov, i cili tha se “nuk ka asnjë provë që konfirmojnë informacionet për ndërprerjen e sinjalit GPS që ka ndikuar në fluturimin” e aeroplanit.

Paris - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot deklaroi se lëshimet territoriale të Ukrainës do të çonin vetëm në përdorimin e territoreve të pushtuara nga presidenti rus Vladimir Putin si një trampolinë për ofensiva të reja. "Disa media pretendojnë se nëse ushtarët ukrainas tërhiqen nga rajonet lindore të vendit tonë, paqja mund të kthehet. Kjo nuk është e vërtetë. Putini ka pushtuar Krimenë për ta shfrytëzuar si trampolinë dhe të pushtojë jugun e vendit tonë. Kjo do të thotë se është përgatitur edhe për një ofensivë", tha Zelenski.

 Paris - Kancelari gjerman Fridrih Merci deklaroi se liderët evropianë e kanë vlerësuar gabim krizën ruso-ukrainase dhe liderin rus Vladimir Putinin.  "Të gjithë kemi bërë gabime në lidhje me Vladimir Putinin. E vërteta është se unë gjithmonë kam qenë skeptik. Por duhet ta kisha kuptuar kërcënimin më herët, shumë kohë para sulmit të tij ndaj Ukrainës - në vitin 2014, kur ai pushtoi Krimenë. Dhe ndoshta edhe në vitin 2008, kur ai sulmoi Gjeorgjinë", tha ai në një intervistë me Pari maç.

Romë - Dizajneri italian i modës, Xhorxho Armani është ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare, njoftoi sot shtëpia e modës në rrjetet sociale.  Ai punoi deri në ditët e tij të fundit dhe vdiq i rrethuar nga të afërmit e tij, thuhet në deklaratën e lëshuar, transmeton DPA.  Armani ishte një nga dizajnerët më me ndikim në botë në fushën e modës. 

 Islamabad - Disa ditë pas tërmetit shkatërrues në Afganistanin lindor, numri i të vdekurve vazhdon të rritet, me ç'rast autoritetet e talebanëve dhe të Gjysmëhënës së Kuqe Afgane që bënë të ditur se rreth 2.200 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 3.600 janë lënduar. Aksionet për shpëtim janë ende duke u zhvilluar, por shumë nga zonat e prekura janë vështirë të arritshme, duke e bërë të vështirë ofrimin e ndihmës emergjente dhe evakuimin e viktimave, bëjnë të ditur organizatat humanitare. 

Shkup - Moti nesër do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriorë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 8 deri 18, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 28 deri 36 gradë.  Në Shkup moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë veriore. Temperatura minimale do të ulet deri 15, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 35 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR