• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 10 nëntor/ 2024

Shkup - Sot në mëngjes Shkupi ishte në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë. Sipas listës së  IQAir ajri është i rrezikshëm për të marrë frymë, ndërsa indeksi i ndotjes është 153. Në listën e IQAir , Shkupi renditet si qyteti i gjashtë më i ndotur në botë pas Lahores në Pakistan, Nju Delhit në Indi, Bagdadit në Irak, Teheranit në Iran dhe Tashkentit në Uzbekistan.

Shkup -  Sot shënohet Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim. Përgëzoj të gjithë shkencëtarët dhe studiuesit, të cilët me arritjet dhe sukseset e tyre personale mundohen të ndihmojnë zhvillimin e vendit. Shkenca është një fushë të cilës Qeveria e re po i përkushtohet seriozisht. Për ne është e qartë se nuk ka alternativë tjetër për prosperitet kombëtar, përveç investimit në diturinë e qytetarëve dhe në shkencë, ka shkruar në Fejsbuk ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

 Shkup - SHA MEPSO sot ka bërë të ditur se i ndërpret të gjitha llojet e donacioneve dhe sponsorizimeve deri në fund të këtij viti. "Vendimi është marrë unanimisht, në seancën e Këshillit Drejtues të SHA MEPSO, të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm Burim Latifi. Konkluzioni i përbashkët është se shpenzimet mbi këtë bazë duhet të ndërpriten deri në vitin të ardhshëm të vitit 2025, kur ky proces do të vazhdojë të funksionojë, por në mënyrë transparente dhe me respektim të detajuar të kritereve të parashikuara për këtë qëllim", thuhet në kumtesën  e sotme nga SHA MEPSO.

Shkup - Mbrëmë në orën 23:50 në vendkalimin kufitar "Aeroporti Ndërkombëtar-Shkup", pasi i ishte ndaluar hyrja në vend, zyrtarët policorë të Departamentit të Policisë Kriminalistike privuan nga liria D.S.A.D. (34) nga Brazili, për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për kryerjen e veprës penale "Prodhimi dhe shitja e paautorizuar e drogave narkotike,  substancave psikotrope dhe prekursorëve". "Gjatë kontrollimit të shtetasit brazilian nga ana e zyrtarëve policorë të Departamentit të Policisë Kriminalistike – Departamentit për Trafikim ilegale me drogë, armë dhe substanca të rrezikshme dhe Stacionit policor për mbikëqyrje kufitare "Aeroporti ndërkombëtar – Shkup" në bashkëpunim me Drejtorinë doganore, gjatë të cilit është përdorur dhe një qen zyrtar nga ekipi mobil i Drejtorisë Doganore, në njërën nga dy valixhet e D.S.A.D. u gjetën dy kilogramë kokainë. Është zhvilluar një bisedë zyrtare me D.S.A.D., i cili ka pranuar se për transportin e drogës nga Sao Paulo deri në Shkup është angazhuar nga një shtetas i Maqedonisë për një kompensim prej 5.000 eurosh", njoftoi sot MPB.

Shkup - Ditët e fundit në vend ishin kryesisht me diell me mëngjese më të ftohtë. Në disa lugina ka pasur mjegull paradite ose vranësira të ulëta. Këto kushte atmosferike, me mungesë më të gjatë të reshjeve, sjellin ulje të lagështisë së tokës që mund të ndikojë negativisht në të gjitha kulturat bujqësore, thonë agrometeorologët. Sipas tyre, çdo kulturë në faza të ndryshme të zhvillimit ka nevojë për ujë. "Tek llojet e frutave, kjo periudhë, fillimi i nëntorit, është më e mira për mbjelljen e fidanëve. Gjatë mbjelljeve të vjeshtës dhe dimrit, është e nevojshme të mbulohet fidani me 30 centimetra tokë për të mbrojtur rrënjët nga ngrica. Vëmendje e madhe duhet t'i kushtohet edhe gjendjes shëndetësore të materialit fidanor, veçanërisht që ai të mos jetë i infektuar nga sëmundjet karantine dhe dëmtuesit. Duhet të jenë fidanë të zhvilluar mirë, të shëndetshëm, me cilësi të lartë të varieteteve dhe nënshtresave të kërkuara", theksojnë agrometeorologët nga DPHM.

Shkup - Temperatura më e ulët prej minus gjashtë gradë mëngjesin e sotëm është matur në Berovë, ndërsa më e lartë prej 3 gradë Celsius në Veles dhe Vinicë. DPHM informon se -5 gradë celsius janë matur në Manastir, -3 në Strumicë, -2 në Demir Kapi dhe Tetovë, -1 në Shkup-Petrovec, Hanet e Mavrovës dhe Shtip, 0 në Prilep dhe Kodrën e Diellit, 1 në Kriva Pallankë, Kavadar dhe Shkup-Zajçev Rid, dhe 2 në Pretor, Ohër dhe Krushevë.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe më ftohtë me periudha të diellit. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -5 deri në 4 gradë, ndërsa maksimalja nga 9 deri në 14 gradë. Në Shkup mot me vranësira të ndryshueshme dhe më ftohtë me periudha me diell. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie në -1 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 12 gradë.

Athinë - Lideri i ndërruar i partisë opozitare greke Syriza, Stefanos Kaselakis, ka njoftuar se po largohet nga ajo parti për të formuar partinë e tij. Kaselakis, një biznesmen i cili kryesisht jetonte në SHBA dhe hyri në politikë vitin e kaluar, u largua nga Syriza pasi Kongresi i partisë refuzoi të merrte në konsideratë kandidaturën e tij për lider, raportoi "Gardian". Ai tha të premten se po largohej nga Syriza pasi në kongresin dyditor të partisë u refuzua  kërkesa për të shqyrtuar kandidaturën e tij për lider në zgjedhjet e brendshme të partisë që do të mbahen më vonë këtë muaj.

Berlin - Fridrih Merc, lideri i Demokristianëve të opozitës gjermane, tha se si kancelar gjerman do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me presidentin e sapozgjedhur Donald Tramp që do ta vendoste Gjermaninë në një pozitë më të barabartë. Supozohet se Merc ka shanse më të mëdha ta trashëgojë kancelarin Olaf Sholc në zgjedhjet e parakohshme që priten në fillim të vitit të ardhshëm, pasi të mërkurën u shpërnda koalicioni tripartiak "koalicioni semafor" i kancelarit Sholc.

Londër - Forcat ruse gjatë muajit të kaluar në luftërat në Ukrainë kanë mesatarisht 1.500 vdekje dhe lëndime në ditë, tha shefi i Shtabit Ushtarak britanik, Toni Radakin. Radakin për Bi-Bi-Si sot tha se populli rus po paguan një "çmim të jashtëzakonshëm" për pushtimin e presidentit rus Vladimir Putin, duke përmendur tetorin si muajin më të keq për sa i përket viktimave ruse që nga fillimi i konfliktit në shkurt të vitit 2022. "Rusia do të pësojë 700,000 të vrarë ose të plagosur – dhimbje dhe vuajtje të mëdha që populli rus duhet të durojë për shkak të ambicieve të Putinit", tha ai.

Valencia - Më shumë se 100.000 njerëz protestuan mbrëmë në Valencia, në lindje të Spanjës, për reagimin e ngadaltë të autoriteteve rajonale gjatë përmbytjeve shkatërruese ku humbën jetën më shumë se 220 njerëz dhe çuan në përleshje me policinë, raportojnë mediat spanjolle. Agjencia spanjolle e lajmeve Efe, duke cituar burime zyrtare të qeverisë, raportoi se 130,000 njerëz dolën në rrugët e Valencias mbrëmë për të protestuar, duke akuzuar autoritetet lokale për lëshimin e paralajmërimeve për përmbytjet shumë vonë.

Uashington - Parashikimet tregojnë se Donald Trampi ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe shtetin amerikan të Arizonës, që do të thotë se fitoi të shtatë shtetet suing. Bi-Bi-Si raporton se pas katër ditësh numërimi, Arizona është shteti i fundit amerikan që shpall rezultatin, Trampi tani ka 312 vota elektorale dhe rivalja demokrate Kamala Harris ka 226. Që një kandidat presidencial të zgjidhet dhe të ketë mundësinë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, atij i nevojiten 270 nga gjithsej 538 vota elektorale.

Uashington - Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp tha dje se ish kandidates republikane për presidente dhe ish ambasadore amerikane në KB, Niki Hejli dhe ish sekretarit të shtetit, Majk Pompeo, nuk do t'i ofrohet një pozicion në administratën e tij. "Nuk do ta ftoj ish ambasadoren Niki Hejli dhe ish sekretarin e shtetit Majk Pompeo që t'i bashkohen administratës që po formohet aktualisht," postoi Trampi në rrjetin e tij social "Truth Social". "Unë e kam vlerësuar shumë punën me ta dhe do të doja t'i falënderoja për shërbimin e tyre ndaj vendit tonë," shtoi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së.

Uashington - Ekipi i tranzicionit i presidentit të sapozgjedhur, Donald Tramp, njoftoi mbrëmë se operativi republikan, i cili përshkroi konturet e mundshme të një plani paqeje të mbështetur nga SHBA-ja për Ukrainën, nuk foli në emër të presidentit të zgjedhur. Brajan Lanza, një strateg i vjetër i Partisë Republikane, tha për Bi-Bi-Si se administrata e Trampit do të kërkojë nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski një "vizion më realist të paqes". Ai deklaroi se prioriteti i administratës së re amerikane në Ukrainë do të jetë vendosja e paqes, jo kthimi i territorit të humbur ukrainas, përfshirë edhe Krimenë.

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë më shumë se 500 raketa interceptues në Ukrainë në javët e ardhshme, duke përshpejtuar shpërndarjen e ndihmës ushtarake që Uashingtoni po i jep vendit të shkatërruar nga lufta, raportoi Uolstrit zhurnal. Duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të Pentagonit, gazeta tha se para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, të cilat u fituan nga ish presidenti republikan Donald Tramp, administrata amerikane u përpoq të siguronte pjesën tjetër të ndihmës së saj për Ukrainën deri në prill.

Gazë - Mbrojtja civile palestineze në Gaza sot njoftoi se 30 persona, mes të cilëve 13 fëmijë, u vranë në dy sulme ajrore izraelite ndaj dy shtëpive në Rripin e Gazës. Në sulmin e parë në një shtëpi familjare në Xhabalia, në veri të Gazës, humbën jetën të paktën 25 persona, nga të cilët 13 fëmijë. Mbi 30 persona u plagosën herët në mëngjes, njoftoi Mbrojtja Civile.

 Gazë - Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po zbtojnë operacion për spastrim etnik në pjesën veriore të Rripit të Gazës, shkruan sot gazeta izraelite "Haarec". Sipas gazetës, palestinezët që mbetën në zonë gjatë ofensivës së re izraelite aktualisht janë duke u evakuuar me forcë. "Në atë zonë po ndërtohen rrugë të gjera dhe po përfundon ndarja e komuniteteve (palestineze) në brezin verior nga qendra e qytetit të Gazës", shkruan gazeta izraelite.

 Bejrut - Ministria libaneze e Shëndetësisë  sot bëri të ditur se të pakt;n 20 persona kanë humbur jetën në një sulm izraelit në qytetin shiit Almati, në lagjen me shumicë të krishterë Xhbeil, në veri të Bejrutit. "Në sulmin izraelit humbën jetën 20 persona, duke përfshirë tre fëmijë, ndërsa gjashtë janë u plagosur", raportuan agjencitë botërore për numrin e ri të të vdekurve në sulm, pasi më parë u raportua për 12 persona të vdekur. Ndërkohë, kërkimet për të mbijetuar në rrënoja po vazhdon.

 Kabul - Afganistani do të marrë pjesë në Konferencën e 29-të të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP29) në Baku të Azerbajxhanit, njoftoi sot Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit të vendit (NEPA). Siç raportoi DPA, ky është një zhvillim i rëndësishëm për Afganistanin, pasi do të jetë hera e parë që një delegacion afgan do të ftohet në një samit të COP pas kthimit të talibanëve në pushtet në gusht të vitit 2021.

Havana - Qeveria kubaneze njoftoi se ka arrestuar disa persona të cilët organizonin protesta pasi uragani e la ishullin pa energji elektrike për herë të dytë në disa javë të fundit. Në Kuba, e cila ende është nën sundimin komunist, protestat në rrugë janë të rralla. Prokuroria njoftoi se personat e arrestuar në Havana dhe provincat qendrore janë akuzuar për sulm, trazira publike dhe dëmtim të pronës. Ishulli i Karaibeve me 10 milionë banorë mbeti pa energji elektrike të mërkurën pasi uragani Rafael goditi pjesën perëndimore.

 

QËNDRONI TË LIDHUR