• e shtunë, 07 shtator 2024
MIA Flesh

12:00 / 6 shtator / 2024

Shkup - Licencat për termocentralet e reja fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme me fuqi totale të instaluar prej gati 250 MW janë lëshuar në tetë muajt e fundit (janar - gusht) tregojnëë të dhënat e Komisionit rregullator për energjetikë, për shërbimet e ujit dhe menaxhimin e mbeturinave komunale (KRRE).

Shkup - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Timço Mucunski, sot me ftesë të ministrit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë, Peter Sijarto, qëndron për vizitë pune në Budapest. Tema qendrore në bisedimet e ministrave, siç kumton MPJ-ja pritet të jenë miqësia tre dekadëshe dhe ecuria e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale mes dy vendeve, bashkëpunimi i shkëlqyer tregtar, perspektivat dhe sfidat e procesit të integrimit evropian të vendit tonë dhe në këtë kontekst, mbështetja e palëkundur dhe e vazhdueshme e Hungarisë në procesin e zgjerimit të BE-së, veçanërisht gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Shkup - Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në përputhje me përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, shpalli sot thirrje publike për ndarjen e mjeteve financiare për realizimin e programeve dhe projekteve nga shoqatat e konsumatorëve në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve për vitin 2024. Mjetet financiare nga ky Program janë të dedikuara për realizimin e programeve dhe projekteve nga shoqatat e konsumatorëve. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është më së voni deri më 20 shtator.

Shkup - Paraburgim prej 30 ditësh i caktoi Gjykata Themelore Penale - Shkup, një personit nga Shkupi, i dyshuar për tentim për përdhunim. "Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër një personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale - sulm seksual dhe përdhunim nga neni 186 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 - në tentativë – nga Kodi Penal, sqarohet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Shkup - Angazhimi në punë është mënyra më e mirë për të risocializuar të burgosurit, konsideron u.d drejtori i Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve, Aleksandar Pandov. Në intervistën për MIA-n ai tha se do të mundohet që ligjërisht të intervenojë në pjesën e angazhimit në punë të të burgosurve me qëllim që kjo të shfrytëzohet më shpesh. 

Shkup - Gjatë ditës së djeshme ka pasur gjithsej 34 zjarre në qiell të hapur, prej tyre gjashtë janë aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa pjesa tjetër janë shuar, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Prishtinë - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak sot pritet të udhëtojë në Prishtinë për një përpjekje të re për të rivendosur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Siç deklaroi Lajçak javën e kaluar, qëllimi i vizitës së tij është përgatitja e një takimi në nivel të negociatorëve kryesor midis dy vendeve në kuadër të dialogut që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Prishtinë - Ministri për bashkësi dhe kthimin në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, është shprehur kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në një pjesë jugore, të banuar me shumicë shqiptare dhe një pjesë veriore me shumicë serbe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Berlin – Kapiteni i Barcelonës, Mark-Andre ter Shtegen, për herë të parë pas 12 vitesh përsëri do të qëndrojë në portën e Gjermanisë në ndeshjen e së shtunës kundër Hungarisë në Ligën e kombeve në Dyseldorf. “Ky është një melhem për zemrën time”, tha Ter Shtegen të enjten, të cilin trajneri gjerman Julian Nagelsman e konfirmoi si portier numër një pas 12 vitesh pritje nën hijen e Manuel Noerit.

Bruksel - Vera e vitit 2024 është më e ngrohta në hemisferën veriore të regjistruar ndonjëherë. Temperatura mesatare globale nga qershori deri në gusht 2024 ishte rekord më e lartë 0.69 gradë Celsius më e lartë se mesatarja tre mujore e regjistruar midis vitit 1991 dhe vitit 2020, publikoi sot Shërbimi për ndryshime klimatike të Bashkimit Evropian Kopernik.

Atlanta - Autoritetet në shtetin federal të Xhorxhias sot arrestuan babanë e të dyshuarit për të shtënat në shkollën e mesme "Apalaçi", 14-vjeçarin Kolt Grej i cili vrau katër dhe plagosi nëntë të tjerë dhe ngritën aktakuzë kundër tij. "Në koordinim me Prokurorin e qarkut Bred Smit, Zyra shtetërore për hetimi të Xhorxhias arrestoi 54-vjeçarin Kolin Grej në lidhje me të shtënat në shkollën e mesme "Apalaçi". Kolin është babai i Kolt Grej”, njoftoi Zyra në rrjetin social “X.

Najrobi - Në zjarrin që shpërtheu në një konvikt të shkollës fillore në Keninë qendrore humbën jetën 17 nxënës, njoftoi sot zëdhënësja e policisë. Mediat lokale raportojnë se trupat u dogjën sa që nuk njiheshin. Presidenti Uiliam Ruto deklaroi se ka kërkuar nga autoritetet ta hetojnë incidentin dhe ftoi në përgjegjësi.

“Urdhëroj autoritetet kompetente që të hetojnë tërësisht këtë incident të tmerrshëm. Ata që janë përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi”, shkroi presidenti Ruto në profilin e tij X.

Port o Prens - Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken, e publikoi sot pakon e re të ndihmës humanitare në vlerë prej 45 milionë dollarësh për Haitin, duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të ndihmojnë në financimin e një force policore ndërkombëtare në vend, e cila ka qenë e shkatërruar nga dhuna e bandave.

Port o Prens - Sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken sot i bëri thirrje Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas që të finalizojnë marrëveshjen për armëpushim në Rripin e Gazës, duke shprehur besimin se 90 për qind e marrëveshjes tashmë është arritur. "Me të vërtetë, varet nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për çështjet e mbetura", deklaroi Blinken në një konferencë shtypi në Haiti, ku ai arriti për vizitë.

Stamboll - Agjencia Informative Mediatike - MIA vitin e ardhshëm do të jetë nikoqir i Asamblesë së 33-të të përgjithshme të Asociacionit të agjencive ballkanike të lajmeve - Evropa Juglindore (AABL- EJL), u vendos në Asamblenë e 32-të të përgjithshme të mbajtur në Stambolli nga 3 deri më 6 shtator, organizuar nga agjencia kombëtare turke e lajmeve Anadolia.

Ramallah - Forcat izraelite janë tërhequr nga Xhenini dhe kampi i refugjatëve me të njëjtin emër në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor pas një rrethimi 10-ditor, kumtuan mediat palestineze. Ushtarët izraelitë u larguan nga territori i qeverisë dhe spitali i qytetit në Xhenin, ku ata janë vendosur që nga fillimi i operacionit ushtarak në Bregun Perëndimor të pushtuar më 28 gusht.

Meksiko Siti - Kryebashkiaku i sapozgjedhur Anibal Roblero Kastilo është rrëmbyer në shtetin jugor meksikan të Çijapas vetëm disa javë para se të merrte funksionin, raporton DPA. Autoritetet mbrëmë kumtuan se kishin nisur hetimet për të zbuluar vendndodhjen e tij. Sipas raportimeve të mediave, persona të armatosur rrëmbyen Anibal Roblero Kastilon të martën para një kafeneje në Tustla Gutierez, kryeqyteti i Çijapasit.

Lisbonë – Kapiteni i reprezentacionit të Portugalisë, Kristiano Ronaldo është regjistruar në listën e golashënuesve pas fitores së mbrëmshme 2-1 ndaj Kroacisë në Ligën e kombeve, që është goli i tij i 900-të në karrierë në futbollin profesional. Sulmuesi 39-vjeçar ka festuar golin jubilar që shënoi në minutën e 34-të për epërsi 2-0.

QËNDRONI TË LIDHUR