• e shtunë, 07 shtator 2024
MIA Flesh

09:00 / 6 shtator / 2024

Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajnë dy komisione – Komisioni për financim dhe buxhet dhe Komisioni ligjvënës-juridik. Para anëtarëve të Komisionit për financim dhe buxhet ka mbetur vetëm edhe një pikë e rendit të ditës – Raporti vjetor për revizionet e kryera dhe për punën e Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2023.

Shkup - Sot në Kuvend do të mbahet pritje me rastin e Ditës së pavarësisë - 8 Shtatorit. Në pritjen e organizuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi pritet të marrin pjesë kreu shtetëror, ministra të Qeverisë, deputetë dhe personalitete tjera të jetës shoqërore.

Shkup - Tre firma deri tani kanë paraqitur interesim për tenderin për stacionin e kompresorit të Qendrës klinike “Nëna Terezë” në Shkup. Informacionin për MIA-n e ka konfirmuar Stojçe Nikollovski, person ekspert për vizita në terren, përgjegjës nga komisioni dhe udhëheqës i Sektorit për punë teknike në IP në sferën e shëndetësisë për nevojat e Institucioneve publike shëndetësore, Klinikave universitare, Institutit dhe Qendrës urgjente - Shkup.

Shkup - NELT dhe UNICEF në Maqedoninë e Veriut sot do të lidhin një partneritet të ri, me qëllim që nxënësve të shkollave profesionale t'u ofrohen mundësi për mësim praktik me fokus në forcimin e aftësive të gjelbra. Siç informojnë nga UNICEF-i, me nismën do të përmirësohet punësueshmëria e nxënësve të arsimit dhe aftësimit profesional dhe ata do të përgatiten më mirë për tregun e punës. Ky partneritet është pjesë e partneritetit global për forcimin e sistemeve arsimore në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje eHercegovinë, i cili do të shtrihet edhe në Angola në vitin 2026.

Shkup -  Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është shtuar. Në vendkalimet kufitare nga ana jonë, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me erë të dobët deri mesatare nga drejtimi jugor. Pasdite dhe në orët e mbrëmjes në më shumë vende do të ketë mot jostabil me reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe bubullima, në disa vende duke u shfaqur në formë stuhie me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima, erë e fuqishme dhe breshër. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 11 deri në 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 27 deri në 35 gradë Celsius.

Shkup – Sezoni i ri në Ligën e kombeve mbrëmë ka startuar me nëntë ndeshje në divizionet A, C dhe D. Raundi fillestar ka sjellë fitoren e parë në histori në një ndeshjeje zyrtare për reprezentacionin e San Marinos e cila në terrenin nikoqir mundi Lihtenshtajnin me rezultat 1-0 në kuadër të grupit 1 të Ligës D. Golin historik për San Marinon e shënoi Sensoli në minutën e 53-të.

Prishtinë - Lideri i opozitës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se policia e Kosovës është nën presion politik nga kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas Haradinajt, përdor ky institucion të sigurisë “për qëllime zgjedhore derisa është në pushtet”, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Fidani pritet të zhvillojë takime dypalëshe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Berlin - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Sholc, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë gjermane. Pa dhënë më shumë detaje, zëdhënësi deklaroi se të dy liderët do të zhvillojnë një takim dypalësh mëngjesin e sotëm në Gjermani, ku Zelenski do të arrijë në kuadër të vizitës së tij zyrtare.

Uashington - Hanter Bajden, djali i presidentit të SHBA-së Xho Bajden, është deklaruar fajtor për disa akuza federale për shmangien e pagesave tatimore dhe në këtë mënyrë ka shmangur gjykimin që pritej të hidhte dritë mbi marrëveshjet e tij rreth biznesit dhe stilin e tij të jetesës, njoftuan mbrëmë një pjesë e mediave amerikane.

QËNDRONI TË LIDHUR