• e hënë, 09 shkurt 2026
MIA Flesh

15:00/ 8 shkurt/ 2026

Shkup– Është arritur marrëveshje, rreth 11 000 administratorë do të kenë rritje të pagave prej gati 40 për qind deri në vitin 2028, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski pas takimit me sindikatat përfaqësuese në Qeveri.  “Kjo është një pako më e gjerë që do të përfshijë, së bashku me të punësuarit në gjykata dhe prokurori, rreth 11 000 të punësuar, dhe me këtë, Qeveria, si punëdhënësi më i madh, praktikisht krijon marrëveshje me kolegët e saj, dhe ajo marrëveshje është e vlefshme deri në vitin 2028. Paraprakisht kemi pasur marrëveshje të tilla edhe me të punësuarit në arsim, shëndetësi dhe institucione të tjera, kështu që kur të finalizohet e gjithë kjo, ne, si Qeveri, si punëdhënësi më i madh, praktikisht kemi rregulluar marrëdhëniet tona me kolegët tanë në kuadër të institucioneve. Ky është moment historik, sepse nuk ka ndodhur kurrë më parë që të kemi pasur plan të tillë për rritjen e pagave dhe harmonizimin e tyre në mënyrë që të arrihet nivel i denjë”, theksoi Mickoski.

Shkup– Institucionet do të fillojnë procedurë për konfiskimin e objektit të ndërtuar jashtëligjshëm në aeroportin sportiv Stenkovec, njoftoi në Fejsbuk zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.  Kjo, siç thotë Nikolloski, është porosi e qartë se nuk do të tolerohet ndërtimi i objekteve të ndërtuara jashtëligjshëm në vende ku Ministria e Transportit dhe Inspektorati Shtetëror për Ndërtim kanë kompetencë. Ai theksoi se Ministria e Transportit, si institucion kompetent për objekte të kategorisë së parë, siç janë aeroportet, spitalet të cilët trajtojnë mbrojtje shëndetësore terciare, ndërtimet për arsim të lartë, sallat sportive, stadiumet dhe objektet e tjera shtetërore infrastrukturore, në periudhën e kaluar seriozisht iu qas zgjidhjes së problemit me objektet e jashtëligjshme të cilët bëjnë pjesë në këtë kategori. 

Shkup – Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSL), Bllagoja Rallpovski para takimit të sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera përfaqësuese të administratës, deklaroi se janë këtu që të konfirmohet ajo për çka kanë negociuar gati për një vit.  “Sot jemi këtu për të konfirmuar atë që kemi negociuar për gati një vit. Kjo rritje në një formë tjetër duhej të ndodhte vitin e kaluar, por nuk ka ndodhur që nga 1 maji. Një ose dy muaj më parë, filluam përsëri negociatat dhe gjetëm këtë formulë që duhet ta përfshijmë në marrëveshjet kolektive në mënyrë që të punësuarit në administratë të marrin atë që meritojnë vërtet. Neni 47 shpjegon pagën dhe koeficientin, por tani ka dalë në dritë ajo që thamë në vitin 2023, kur po nënshkruhej Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive. Në atë nen, në paragrafin 4, thuhet se koeficienti nuk mund të jetë më i lartë se rritja nominale e PBB-së, pra nuk është 12,5 siç thuhet, por shumë më i ulët. Marrëveshjet që nënshkruam në arsim, kujdes shëndetësor dhe administratë janë më të favorshme se ai nen në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, ndërsa ligji thotë:’merret ajo që është më e favorshme’", deklaroi Rallpovski.

Shkup– Kryetari i AOJSHQ-së, Tërpe Deanovski, sot, para takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski në Qeveri në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues nga sindikatat e tjera përfaqësuese të administratës, deklaroi se pas gati dy vjetëve, të punësuarit në administratë dhe gjyqësor arritën ta merrnin atë që e kërkonin dhe për të cilën negocionin gati dy vjet. “Kjo kërkesë u ngrit nga AOJSHQ më shumë se një vit e gjysmë më parë, kemi negociuar me Qeverinë për këtë për gati dy vjet, kemi protestuar, marrëveshjet u ndërprenë në mënyrë të njëanshme për t'u ulur më në fund përsëri në tryezë. Po arrijmë të marrim atë që kërkojmë me përqindje pak më të ulëta, por në pamjen e përgjithshme do të rezultojë se do të marrim më shumë se 30 për qind. Nga organizatat sindikale që deklaruan qëndrimet e tyre, 95 për qind thanë po, të nënshkruhen këto marrëveshjeve kolektive individuale, me çka më në fund do të mbyllet një problematikë për të punësuarit në administratë dhe gjyqësor. Do të ketë mënyrë për të rritur pagat siç u tha publikisht, ne kërkuam 30 për qind, ndërsa do të marrim më shumë se 40 për qind, që mendoj se është në rregull”, deklaroi Deanovski.

Shkup - Atë mbrëmje kur ndodhi zjarri në spitalin modular në të cilin u dogjën 14 persona, unë nuk isha kujdestare. Mu paraqit kolegu im që ishte kujdestar, i cili ishte edhe shef i Prokurorisë (në Tetovë) dhe më tha, kolege, ju lutem ejani, nuk mund të përballoj më, këtu është kaos. Kështu që, me kërkesë të shefit të Prokurorisë, unë përfshihem, shkoj atje. Pastaj vjen edhe Joveski, ai shfaqet edhe aty ku duhet edhe aty ku nuk duhet, ndërsa nuk ka lidhje me jetën, ai as nuk e di pse erdhi, ai solli edhe dy prokurorë për t'iu bashuar ekipit që do të udhëheqë hetimin - thotë avokatja Lejla Kadriu nga Tetova, në një paraqitje si mysafire në TV ALFA, duke shpjeguar momentet e para pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Në atë moment, ajo punonte si prokurore në Prokurorinë Publike të Tetovës.

Shkup– Gjatë 24 orëve të kaluara më shumë reshje të shiut janë regjistruar në Hanet e Mavrovës – 10 litra në metër katrorë, ndërsa më pak – 1 litër në metër katrorë në Prilep dhe Kriva Pallankë.  Sot në mëngjes më ftohtë ishte në Kodër të Diellit dhe Berovë ku është matur temperaturë prej -1 gradë, ndërsa më ngrohtë ishte në Gjevgjeli me 7 gradë Celsius të matura.  Në Kodër të Diellit është matur shtresë e borës në lartësi prej 55 centimetra. 

Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar, ndërsa në vendkalimet kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, informon Lidhja Auto-Mote e Maqedonisë.  LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Milano – Katër persona humbën jetën, ndërsa disa janë lënduar sot në serinë e ortekëve në veri të Italisë.  Në rajonin e Alpeve Valtelina, një ortek goditi tre skiatorë, me çka humbën jetën dy prej tyre.  Shërbimi malor italian për shpëtim në Trentino regjistroi dy ortekë në të cilët humbën jetën nga një person.  Në këtë rajon është në fuqi alarm i nivelit të tretë.  Kishte incident edhe në luginën Aosta në kufirin me Zvicrën dhe Francën, ku një ortek mori dy persona nga një grup me pesë skiatorë, por falë pajisjeve, ata arritën të çliroheshin nga bora. 

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp do ta thirr takimin inaugurues të Këshillit të ri të Paqes në Uashington më vonë këtë muaj, me fokus kryesor në grumbullimin e mjeteve për rikonstruimin e Gazës.  Mediat amerikane raportojnë se në takimin, i planifikuar për 19 shkurt, do të marrin pjesë shumë liderë botërorë që pranuan ftesën e Trampit për t'u bashkuar në Këshill, si dhe anëtarë të komitetit ekzekutiv që do të mbikëqyrë menaxhimin, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës. Detajet e takimit, përfshirë numrin e liderëve që pritet të marrin pjesë, janë aktualisht të panjohura pasi diskutimet janë duke vazhduar, por përfaqësuesit amerikanë presin një pjesëmarrje të madhe, shtuan mediat amerikane.

Tokio- Japonezët sot në zgjedhjet e parakohshme po e zgjedhin përbërjen e re të Dhomës së Poshtme të parlamentit,  ndërsa anketat tregojnë fitore të qartë për Partinë Liberale Demokratike (LDP) të kryeministres së krahut të djathtë Sanae Takaiçi, e cila mori detyrën para pak më shumë se tre muajve. Kjo do të thotë se LDP përsëri mund të ketë shumicë absolute në shtëpinë e famshme të parlamentit kombëtar me 465 anëtarë.  Partia, e cila qeveris gati vazhdimisht që nga viti 1955, e humbi shumicën në dy dhomat e parlamentit në zgjedhjet e kaluara në vitin 2024 dhe 2025.

QËNDRONI TË LIDHUR