• e diel, 10 maj 2026

Mexhiti: VLEN vendosi standarde të reja në bllokun politik shqiptar

Mexhiti: VLEN vendosi standarde të reja në bllokun politik shqiptar

Shkup, 17 prill 2026

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në "Samo intervju" (Vetëm intervistë) në Kanal 5, ka thënë se VLEN vendosi standarde dhe vlera të reja në bllokun politik shqiptar.

Kjo sipas Mexhitit është bërë përmes punës ekipore.

“Dëshmuam dhe sollëm ndryshime në bllokun politik shqiptar pas 20 vitesh, jo individualisht, por si ekip, së pari bëmë bashkimin e opozitës duke kaluar suetat dhe ngjyrat partiake, sepse besoj në punë ekipore. Çdo javë shihemi si koalicion VLEN, bisedojmë për programin, atë që e kemi premtuar dhe bashkë i ecim punët”, tha Mexhiti.

Mexhiti tha se BDI në zgjedhjet e fundit lokale mbeti vetëm me komuna rurale, siç është Çashka, Pllasnica e Likova.

“BDI nuk ka humbur vetëm në Çair, por në të gjithë Shkupin. Po të mos ishte Taravari, BDI do të mbetej vetëm më Çashkën, Likovën dhe Pllasniçën. BDI kishte 90 për qind të komunave shqiptare dhe të mbetesh me Çashkën, Likovën e Pllasnicën, nëse edhe kjo nuk është humbje për ta dhe të pretendojnë se i përfaqësojnë shqiptarët, këtu nuk kanë asnjë argument. Ata kanë humb edhe në Listën e këshilltarëve”, ka thënë Mexhiti.

Mexhiti: VLEN nuk ka frikë nga zgjedhjet e parakohshme, për BDI-në do të ishte fundi i tyre

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në “Samo intervju” (Vetëm intervistë) në Kanal 5, ka thënë se VLEN nuk frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe nëse do të ndodhte kjo, për BDI-në do të ishte fundi i tyre.

“Kohën e fundit nuk i dëgjoj edhe po të ketë mundësi për zgjedhje të parakohshme të parët që i ikin kësaj janë ata, sepse do të thoshte fundi i tyre. Ky vit është i vetmi vit ku nuk do të ketë zgjedhje, është hapësirë e qeverisë që të realizojë programin që është premtuar dhe për momentin vlerësoj se nuk ka nevojë të mbahen zgjedhje të parakohshme pasi kjo shumicë historikisht është më e madhja në Kuvend”, ka thënë Mexhiti.

Në bazë të rezultateve të cilat dolën nga zgjedhjet lokale, VLEN, shton ai, “nuk frikësohet, do të sigurojë fitore të sigurt në zgjedhje kurdo që mbahen ato”.

“Ahmeti e gënjen anëtarësinë e vet se do të ketë zgjedhje që të mos i ikë anëtarësia”, shprehet Mexhiti.

Lidhur me kthimin e Artan Grubit, ai tha që këtë t’ia lëmë kohës dhe të përballet me ligjin dhe drejtësinë.

“T’ia lëmë kohës, është mirë që u kthye dhe të përballet me ligjin dhe drejtësinë ku do ta ketë mundësinë ta thotë se sa është fajtor dhe sa të tjerët. A do të flasë dhe sa është fajtor duhet ta thotë vetë ai. Nuk ka ndonjë marrëveshje”, ka thënë Mexhiti.

Provimi i jurisprudencës në shqip, Mexhiti "godet" BDI-në: Nuk arritën ta zgjidhin as me 5 ministrat e tyre të Drejtësisë!

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në “Samo intervju” (Vetëm intervistë), ka thënë se VLEN do ta zgjidh çështjen e provimit të jurisprudencës që të jepet edhe në gjuhën shqipe, sepse BDI këtë nuk e bëri.

“Kanë qenë 5 ish ministra të BDI-së të cilët nuk e zgjidhën, dalin dhe protestojnë, studentët studiojnë në shqip dhe është logjike dhe u takon që atë ta japin në gjuhën shqipe. Si mundet që 5 ish ministra të Drejtësisë nga BDI të protestojnë se pse këtë nuk e zgjidh Fillkovi, pse ata nuk e zgjidhën në kohën e tyre?”, ka pyetur Mexhiti.

Sipas tij, ka raste, që anëtarë të BDI-së kanë dhënë provimin e jurisprudencës në maqedonisht dhe të njëjtët protestojnë dhe kjo po u kthehet si bumerang.

Sipas Mexhitit, koalicioni ka kapacitet demokratik që të gjejë zgjidhjet më të mira ligjore edhe sa i takon kësaj pike.

“Në kuadër të ligjit, ka grup ekspertësh dhe do të dalin me zgjidhje. Koalicioni ka kapacitet demokratik që të analizojë, debatojë dhe të gjejë zgjidhjet më të mira ligjore. Në kuadër të ligjit dhe kushtetutës do të gjendet zgjidhje afatgjate, jo zgjidhje gjysmake”, ka thënë Mexhiti, njëherësh kryetar i Çairit. 

Mexhiti për Haqim Ramadanin: Nëse dikush mendon se një kuadër të tillë do ta lë në rrugë, mashtrohet

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në intervistën për Kanal 5 ka folur edhe për rastin e Haqim Ramadanit, i cili është angazhuar me punë në komunën e Çairit.

Mexhiti ka thënë se Haqimi ka përvojë në sferën e pushtetit lokal, është jurist i njohur dhe se me një përvojë të tillë nuk do ta linte në rrugë.

“Pas asaj betejë nuk kishte logjikë që të kthehet aty ku kryetar komune është kundërkandidati i tij. Unë Haqim Ramadanin me atë përvojë dhe si një politikan i shkëlqyeshëm, nuk do ta lë në rrugë.

Atë e mora nga komuna e Bërvenicës në komunën e Çairit që të angazhohet për atë që e di më mirë, pushtetin lokal. Ai ka qenë drejtor i Inspektoratit për pushtet lokal, për momentin vetëm është i punësuar. Nëse dikush mendon se një kuadër të tillë do ta lë në rrugë, mashtrohet”, ka thënë Mexhiti.

VLEN

QËNDRONI TË LIDHUR