QMK: "Resilient Western Balkans" - Një hap i ri drejt bashkëpunimit ndërkufitar dhe paralajmërimit të hershëm
- Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi sot se një ngjarje rajonale në Shkup shënoi lançimin e nismës "Reselient Western Balkans", që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe përmirësimin e kapaciteteve për paralajmërim të hershëm dhe reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë në rajon.
- Post By Sara Ademi
- 18:27, 17 prill, 2026
Shkup, 17 prill 2026 (MIA) - Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi sot se një ngjarje rajonale në Shkup shënoi lançimin e nismës "Reselient Western Balkans", që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe përmirësimin e kapaciteteve për paralajmërim të hershëm dhe reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë në rajon.
Ngjarja u hap nga drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muhamed Ali, pas së cilës fjalime mbajtën Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së, Paolo Palminteri, ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, dhe Natalia Alonso Kano, kryetare e Zyrës Rajonale të UNDRR-së për Evropën dhe Azinë Qendrore.

"Në fjalimet e tyre u theksua se kjo iniciativë paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve rajonale dhe koordinimit në përballjen me rreziqe natyrore dhe të tjera, veçanërisht përmes shkëmbimit të të dhënave, mekanizmave të përbashkët të reagimit dhe përmirësimit të sistemeve për paralajmërim të hershëm. Po ashtu, u nënvizua se partneritete të tilla janë kyçe për ndërtimin e komuniteteve më rezistente dhe përgatitjen më të mirë të institucioneve në kushte krize", citohet në kumtesën e QMK-së.
Iniciativa „Resilient Western Balkans“ synon të krijojë një kornizë më efikase rajonale për bashkëpunim ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus në parandalim, reagim në kohë dhe forcim afatgjatë të kapaciteteve për menaxhimin e situatave të krizës, duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. sa/
FOTO: QMK