Mexhiti: Presim fitore edhe në zgjedhjet lokale, ende vijojnë anketat për kandidatët për kryetar komunash
- Koalicioni VLEN sonte në sheshin "Skenderbeu" në Shkup hapi shtabin qendror për zgjedhjet lokale që do të mbahen në mesin e tetorit të këtij viti. Liderët e koalicionit, Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Fetai dhe Zeqirija Ibrahimi, si dhe shefi i shtabit qendror të zgjedhjeve, Adnan Azizi, shprehën bindjen se do të fitojnë zgjedhjet.
- Post By Fami Bajrami
- 00:41, 21 qershor, 2025
Shkup, 20 qershor 2025 (MIA) - Koalicioni VLEN sonte në sheshin "Skenderbeu" në Shkup hapi shtabin qendror për zgjedhjet lokale që do të mbahen në mesin e tetorit të këtij viti.
Liderët e koalicionit, Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Fetai dhe Zeqirija Ibrahimi, si dhe shefi i shtabit qendror të zgjedhjeve, Adnan Azizi, shprehën bindjen se do të fitojnë zgjedhjet.
Në këtë aktivitet morën pjesë të gjithë funksionarët e pushtetit qendror dhe lokal, si dhe anëtarë dhe mbështetës të partisë, u kumtuan madje vetëm emrat e njerëzve të parë të shtabit qendror.

Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë dhe kryetar i Lëvizjes Demokratike, tha se koalicioni ka angazhuar agjenci profesionale që punojnë në sondazhe, se duan të paraqesin kandidatët më të mirë dhe më të suksesshëm. Veçanërisht e rëndësishme për ta, siç tha ai, "është mendimi i popullit dhe votuesve dhe për këtë arsye nuk nguten të shpallin emrat e kandidatëve".
VLEN, sipas Mexhitit, është i hapur edhe për kandidatë që janë jashtë strukturave të partisë.
"Mund të vijnë nga komuniteti i biznesit, ku ka intelektualë të lartë, njerëz që do të jenë një vlerë e shtuar për VLEN në këto zgjedhje lokale. Këto janë zgjedhje lokale dhe kriteri kryesor është që ata të jenë menaxherë të mirë që do të punojnë në interes të qytetarëve", tha Mexhiti.
VLEN për këto zgjedhje nuk do të koalicionojë me VMRO-DPMNE-në, por mund të pritet që si partnerë qeveritarë të mbështesin njëri- tjetrin diku në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Mexhiti në fjalimin e tij numëroi disa nga arritjet që koalicioni VLEN ka arritur këtë vit, të cilat nuk ishin bërë nga qeveria e mëparshme miids BDI-së dhe LSDM-së.
Ai përmendi ligjin për Medresenë "Isa beu" i cili tashmë është në ENER, mbylljen e kazinove onlajn... duke theksuar se ata nuk po punojnë vetëm me fjalë, por në mënyrë sistematike.
"Ju siguroj se ky është viti më i mirë për përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike", tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë tha se VLEN arriti më shumë në një vit sesa BDI për 22 vjet.
"Ata u mblodhën për Soravinë, për lotarinë, por jo për qytetarin. Ne bëjmë ndryshimin çdo ditë", tha Mexhiti.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se zgjedhjet e tetorit janë betejë për të ardhmen:
“Shqiptarët u bashkuan kundër krimit dhe korrupsionit. VLEN është antipod i atyre që tregtojnë komuna si në pazar”, tha ai. Duke reflektuar mbi tradhtitë politike dhe pazaret pa parime, Fetai shtoi: “dy Aleanca janë dorë për dore në prehrin e Alisë, ne jemi këtu për t’i dhënë fund këtij sistemi antivlerash”.
Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës dhe lider i Besës, tha se ky masivitet nuk është thjesht hapje shtabi, por vulosje e fitores. Ai kujtoi sukseset e komunës që drejton.
“Tetova kishte gropa dhe ujë të ndotur, sot flasim për rini, festivale e zhvillim. Çairi sot është model për gjithë vendin. Na duhen menaxherë të zotë, jo kukulla partiake”, tha Kasami duke shtuar se fitorja e VLEN nuk është për politikanët, por për qytetarët.

Zeqirija Ibrahimi kërkoi përkrahje që ndryshimi nga niveli qendror të bartet edhe në komuna. Ai tha se familja shqiptare meriton më shumë.
“Nëse s’keni asnjë arsye për të votuar VLEN, kini parasysh një gjë – ne jemi të vetmit që do të mbrojmë familjen tradicionale shqiptare, dinjitetin e saj, të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Ibrahimi dhe shtoi se zgjedhjet janë referendum dhe pyetja është: “A jeni për menaxhimin e komunave nga VLEN, apo për rikthimin e krimit të Soravisë? Në tetor nuk votojmë vetëm vulosim fatin tonë”.

Shefi i shtabit qendror, Adnan Azizi përçoi plan organizativ në veprim me çka theksoi se do të depërtojnë në çdo mëhallë ku ka shqiptarë për të siguruar fitoren e tetorit.
“Betejat e mëdha nisin nga sheshi më ashtu si ne sonte po e nisim në këtë shesh, ky është fillimi që do të pasojë me hapjen e qendrave të tjera në çdo qytetë e mëhallë ku ka shqiptarë. Ju e dini mirë që zgjedhjet që na presin janë zgjedhje për pushtet lokal.
Oponentët tanë po frikësohen nga dënimi i keqqeverisjes me komunat që kanë qeverisur, ata po kërkojnë votë për të mbijetuar politikisht, për të shpëtuar nga drejtësia”, tha ai.
Zëvendës i tij do të jetë koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku.
Foto: MIA