• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mexhiti: Nuk ka Ligj për gjuhën shqipe që të mund të thuhet se po shfuqizohet, po përgatitet një Ligj i veçantë për përfaqësimin e duhur të shqiptarëve

Mexhiti: Nuk ka Ligj për gjuhën shqipe që të mund të thuhet se po shfuqizohet, po përgatitet një Ligj i veçantë për përfaqësimin e duhur të shqiptarëve

Shkup, 18 nëntor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti pas seancës së sotme ndërqeveritare në Prishtinë, ka theksuar se nuk ka Ligj për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, që të thuhet se po shfuqizohet. Ai theksoi se është duke u përgatitur një ligj i veçantë për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

"Fillimisht, do të lidhem me përgjigjen e kryeministrit Kurti, i cili tha se në Maqedoni nuk ka Ligj për gjuhën shqipe, kështu që tani po shfuqizohet apo po shkelet. Dhe e dyta, nuk kontestohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por ka një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese ku nëntë gjyqtarët e zgjedhur nga Qeveria LSDM-BDI-së dhe problemin e bëjnë ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese me mandat nga shumica e kaluar. Sot jemi këtu për të thelluar bashkëpunimin mes dy qeverive dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve të dy vendeve tona. Garantojmë që gjuha shqipe do të përparojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç gjetëm zgjidhje dhe u formua një grup ekspertësh nga partnerët në Qeveri që punojnë në balancuesin, i cili ishte vetëm një mekanizëm, e tani merr përmasat të zgjidhjes ligjore apo ligj të posaçëm për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në Maqedoni", tha Mexhiti.

Por, në pyetjen e gazetarëve se çfarë do të bëjnë si parti politike të shqiptarëve nëse Gjykata Kushtetuese konteston gjuhën shqipe, Mexhiti theksoi se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias dhe ku kanë marrë komente për tre nene të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

"Gjykata Kushtetuese nuk e konteston gjuhën shqipe sepse nuk ka ligj për gjuhën shqipe. Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të Qeverisë LSDM-BDI, ka kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias dhe ata kanë dhënë vërejtje për tre nene të atij Ligji për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e ato janë vetëm për ato tre nene. Ne bëjmë gjithçka për të ruajtur pozicionet e gjuhës dhe për ta përmirësuar atë në të ardhmen", tha ai.

Mexhiti potencoi se i siguron qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë në Kosovë dhe në botë se nuk ka nevojë të shqetësohemi sepse, siç tha, të drejtat që janë fituar nuk mund të degradohen, por të drejtat do të avancohen.

Zëvendëskryeministri i parë theksoi se po bëjnë të gjitha përpjekjet për të ruajtur pozicionin dhe avancimin e të drejtave gjuhësore dhe të tjera të shqiptarëve.

"Këtu serbët kanë ligj për përdorimin zyrtar të gjuhës serbe, edhe pse në Kosovë janë vetëm katër për qind. Shqiptarët, edhe pse janë gjithsej 24-30 për qind, nuk kishin ligj për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për të ruajtur pozicionin dhe avancimin e të drejtave gjuhësore dhe të tjera të shqiptarëve", tha Mexhiti. rq/

Foto: Printskrin nga video

QËNDRONI TË LIDHUR