Mexhiti: Gjuha është elementi kyç i identitetit kombëtar
- Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti mori pjesë në Konferencën Shkencore "Gjuha dhe Etnia", të organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:47, 14 nëntor, 2024
Shkup, 14 nëntor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti mori pjesë në Konferencën Shkencore "Gjuha dhe Etnia", të organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.
Siç informon Kabineti i tij, gjatë fjalimit të tij para studiuesve, akademikëve, gjuhëtarëve, dhe studentëve, theksoi rëndësinë e gjuhës si element kyç në formimin e identitetit kombëtar, duke e lidhur këtë ngushtë me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar.
"Pavarësisht ndryshimeve të kohës dhe sfidave të globalizimit, gjuha është një nga faktorët më të fuqishëm që bashkon shqiptarët dhe mbron trashëgiminë kulturore. Si Zëvendëskryeministër i Parë, ndjej për obligim të përsëris edhe njëherë se ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve tjera dhe të garantojë zbatimin e Kushtetutës, ajo nuk ka mandat të lëshohet as në diskutime, e aq më pak në vendimmarrje politike, dhe sidomos kur është fjala për ligje dhe akte tjera juridike të cilat e garantojnë bashkëjetesën multietnike dhe frymën e bashkëjetesës në Rеpublik së Maqedonisë së Veriut, prandaj po e përsëris: në asnjë vend të botës nuk ndodh që të drejtat e fituara të cënohen ose abrogohen, sepse është cilësi e demokracive të mirëfillta që të drejtat të avancojnë në vazhdimësi, jo të shkurtohen, cënohen, ose mohohen", tha Mexhiti. duke shtuar se në shoqëritë shumëgjuhësore, "politikat gjuhësore të shtetit janë determinuese për funksionalitetin e këtyre shoqërive".
Mexhiti ka theksuar se Nëntori është muaji në të cilin shënohen disa nga ngjarjet më të rëndësishme historike të cilat, siç ka thënë, çuan drejt konsolidimit të kombit shqiptar në fillim të shekullit XX.
"Kongresi i Manastirit që u mbajt nga 16 deri 22 nëntor të vitit 1908, si ngjarje e cila kodifikoi alfabetin e gjuhës dhe pastaj shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, janë dy momente madhore historike të cilat e formësuan vetëdijen tonë kolektive për kombin dhe gjuhën dhe për atë se si për kombin shqiptar pikërisht gjuha është elementi më i fuqishëm homogjenizues nga të gjithë përcaktuesit e trungut identitar", ka theksur Mexhiti.
Nga Kabineti i zëvendëskryeministrit indformojnë se në Konferencën Shkencore "Gjuha dhe Etnia", të organizuar nga drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, morrën pjesë ministri i Punës, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, studiues, akademikë, gjuhëtarë nga Maqedonia Everiut, Kosova dhe Shqipëria.
Foto: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor