Mesi: Të gjithë duan ta kopjojnë Guardiolën
- Sulmuesi i Inter Majami, Lionel Mesi te Pep Guardiola e sheh trajnerin më me ndikim në futbollin modern.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:20, 18 prill, 2025

Majami, 18 prill 2025 (MIA) - Sulmuesi i Inter Majami, Lionel Mesi te Pep Guardiola e sheh trajnerin më me ndikim në futbollin modern.
"Guardiola është nga një botë tjetër, e sheh atë që askush tjetër nuk e sheh. E ndryshoi futbollin. Të gjithë donin të kopjojnë stilin e tij në Barcelonë. Në fakt, në këtë mënyrë ai pa vetëdije dëmtoi lojën: njerëzit po përpiqen të luajnë si Barcelona pa e kuptuar se si ta bëjnë këtë. Kishim një ekip perfekt me Çavin, Andres Iniesta dhe Serhio Buskets në mesfushë, një kombinim perfekt i lojtarëve dhe trajnerit”, tha Mesi në një intervistë për kanalin Simplemente futboll në Jutjub.
Argjentinasi Mesi ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në kombëtare për të mbrojtur titullin e botës në Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Ky vit do të jetë kyç për vendimin tim në lidhje me Kupën e Botës 2026. Do të gënjeja nëse do të thoja se nuk po mendoja për këtë”, ka thënë Mesi. qa/
Foto: EPA