• e diel, 22 dhjetor 2024

Meris për MIA-n: Belgjika dëshiron të bëjë përparim në zgjerimin, integrimi i rajonit në BE është çështje strategjike

Meris për MIA-n: Belgjika dëshiron të bëjë përparim në zgjerimin, integrimi i rajonit në BE është çështje strategjike

Shkup, 27 janar 2024 (MIA) - Për Belgjikën, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është çështje strategjike edhe gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së, ajo dëshiron të bëjë përparim në zgjerimin, duke përfshirë rajonin, deklaroi intervistën për MIA-n ambasadori belg në Maqedoninë e Veriut me seli në Sofje, Frederik Meris.

Merisi mori pjesë në një ngjarje në Shtëpinë Evropiane në Shkup të enjten, të organizuar nga Lëvizja Evropiane, ku prezantoi gjashtë prioritetet e presidencës belge të BE-së.

Ai tha se zgjerimi i Bashkimit është një temë shumë e rëndësishme në agjendën e Presidencës belge. "Belgjika është e bindur në rëndësinë strategjike të zgjerimit. Ajo është gjithashtu e bindur se ky është një proces i bazuar në merita, që gjithashtu kërkon reformë. Por gjithashtu, gjatë presidencës sonë, ne duam të arrijmë disa rezultate në drejtim të zgjerimit, duam të kemi një kornizë negociuese me Ukrainën dhe Moldavinë, konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë dhe Malin e Zi", bëri të ditur Merisi.

Ambasadori përmendi gjithashtu Planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, në të cilin, tha ai, duhet të finalizohen të gjitha rregulloret financiare, të cilat duhet të vendosen në mënyrë që ai të implementohet më shpejt. Pastaj, tha ai, ata do të punojnë në integrimin gradual të vendeve kandidate, e që, thotë, pra, në çfarë mënyre secili vend do të marrë pjesë në proceset e Bashkimit Evropian, derisa përgatitet të bëhet anëtare e plotfuqishme.

"Intenca e Belgjikës për secilin vend, është që të mund të marrë pjesë në Këshillin e çështjeve të përgjithshme që do të mbahet në prill, ndërsa iniciativa e Komisionit është që vendet kandidate të përfshihen në Raportin e sundimit e së drejtës, e gjithashtu të kenë rol në të gjitha mendimet për të ardhmen e Evropës. Ky është vizioni ynë strategjik dhe ai vizion strategjik duhet të kthehet në agjendë strategjike", theksoi ai.

Në intervistë për MIA-n, Merisi, nga ana tjetër, theksoi se sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit, janë vendosur në majën e prioriteteve të tyre gjatë kryesimit. Për Maqedoninë e Veriut, si edhe për vendet tjera, shprehet se është e rëndësishme të vendosen instrumente konkrete për luftë kundër korrupsionit dhe të mos lejohen njerëzit e përfshirë në krimin e organizuar dhe korrupsionin të vendosin rregullat e lojës.

Është parashikuar që ambasadori Meris më 9 shkurt në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të prezantojë para deputetëve dhe trupit diplomatik përparësitë e presidencës belge të Këshillit të BE-së.

Ambasador, në ekspozenë tuaj thatë se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perëndimor janë pjesë e prioriteteve të presidencës belge të BE-së. Duke marrë parasysh kontekstin kompleks gjeopolitik, dhe nëse këto vende mbeten jashtë BE-së, a do të ketë implikime të caktuara të sigurisë në rajon?

- I vendosët mirë parametrat e pyetjes. Kjo është çështje strategjike – integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE – dhe këtu nuk është çështja nëse duam apo jo, por që kjo është e rëndësishme për të mirën e rajonit dhe të gjithë Evropës, sepse ne nuk duam një rajon në mes të kontinentit si burim të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë. Kjo është një çështje strategjike dhe kjo është arsyeja pse Belgjika, si pjesë e detyrimeve në kuadër të Presidencës, dëshiron të bëjë përparim në zgjerimin, duke përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Si do t'ia dilni ta arrini ju këtë si kryesues?

"Roli i Presidencës së rradhës së BE-së në çështje të tilla si zgjerimi është të përcaktojë hapësirën politike për përfshirjen e të gjitha vendeve që duhet të marrin një vendim për këtë çështje, si dhe të gjejnë kompromisin ose pozicionin e nevojshëm për të arritur përparim në këtë temë. Kjo është një çështje që duhet të diskutohet me të gjitha vendet e interesuara – nga rajoni dhe Evropa – për të gjetur emëruesin e përbashkët që mund të përdorim për të arritur marrëveshje nga të gjitha vendet rreth progresit të përbashkët në rrugën e zgjerimit.

Ju thatë gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është pjesë e prioriteteve. Maqedonia e Veriut mori shumë kritika në këtë pjesë në Raportin e progresit të KE-së. Cilat janë rekomandimet tuaja në këtë fushë?

- Do të them dy gjëra. E para është se lufta kundër korrupsionit është gjithsesi një temë e rëndësishme për sa i përket aderimit në BE dhe ne kemi besim se falë sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, qytetarët e vendit mund të gëzojnë të gjitha përfitimet e anëtarësimit në BE. Së dyti, korrupsioni nuk është diçka që është karakteristikë për Ballkanin Perëndimor ose Maqedoninë e Veriut, është diçka që ekziston edhe në Belgjikë. Puna është se duhet të ngrihen instrumentet e nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe për të mos lejuar që njerëzit e lidhur me krimin e organizuar ose korrupsionin të vendosin rregullat e lojës. Ne duam që sundimi i së drejtës të mbetet në majën e aktiviteteve tona dhe për këtë arsye lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme.

Ky vit, 2024, është vit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, në Parlamentin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara. Duke marrë parasysh këtë, a mund të ketë ndonjë implikim për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor?

- Është gjithashtu një vit zgjedhor në Belgjikë, domethënë zgjedhja e një parlamenti të ri në qershor dhe më pas formimi i një Qeverie të re. Do të ishte qesharake të thuhet se të gjitha këto zgjedhje nuk kanë ndikim në atë që ndodh më pas, e gjithashtu do të ishte e panatyrshme që ato të mos kishin implikime, sepse zgjedhjet janë një mundësi që qytetarët të thonë se çfarë politikash duan. Ato gjithashtu mund të ndikojnë në çështjen e zgjerimit. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se zgjerimi është qëllim strategjik i BE-së, dhe kur bëhet fjalë për Belgjikën, unë asnjëherë nuk kam dëgjuar askënd të thotë se ata janë kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Cilado parti që vjen në pushtet në Belgjikë nuk do të ndryshojë pikëpamjen e saj për këtë çështje.

Neda Dimova Prokiq

Video: Andrej Brankoviq

QËNDRONI TË LIDHUR