Mediat britanike: Britania e Madhe dhe Franca po punojnë për formimin e forceve evropiane të destinuara për garantimin e sigurinë e Ukrainës
- Britania e Madhe dhe Franca po punojnë për formimin e forcave evropiane të destinuara për garantimin e sigurisë së Ukrainës në kuadër të marrëveshjes së mundshme të armëpushimit, e cila do të përbëhej nga "më pak se 30.000 ushtarë", raportuan sot mediat britanike.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:23, 20 shkurt, 2025

Londër, 20 shkurt 2025 (MIA) - Britania e Madhe dhe Franca po punojnë për formimin e forcave evropiane të destinuara për garantimin e sigurisë së Ukrainës në kuadër të marrëveshjes së mundshme të armëpushimit, e cila do të përbëhej nga "më pak se 30.000 ushtarë", raportuan sot mediat britanike.
Duke cituar "zyrtarët perëndimorë", disa gazeta, duke përfshirë "Gardianin", "Tajms" dhe "Fajneshëll tajms, tregojnë se këto forca do të jenë kryesisht forca ajrore dhe detare me një prani "minimale" në terren, larg vijës së frontit në lindje të vendit.
Qëllimi i këtij kontigjenti ushtarak është të parandalojë sulmet ruse në qytetet, portet dhe infrastrukturën e Ukrainës në rast se arrihet një armëpushim nën kujdesin e SHBA-së, shkruan "Gardiani".
Evropianët druajnë se presidenti amerikan Donald Trampi do t'i japë fund luftës në Ukrainë, të cilën Rusia e filloi tre vjet më parë, me kushte të favorshme për Moskën dhe pa dhënë garanci sigurie për Kievin.
Sipas gazetave, një kusht për një plan të tillë do të ishin garancitë e "mbulimit ajror" nga SHBA për të penguar Rusinë nga shkelja e marrëveshjes së mundshme.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski paraprakisht bëri thirrje për praninë e forcave perëndimore prej të paktën 100.000 ushtarë.
Donald Trampi deklaroi se ai e mbështet plotësisht praninë e forcave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, por Rusia është fuqimisht kundër saj.
Foto: Arkivi i MIA-s