Me rritjen e BPV-së, e ndajmë vendin e tretë me Kroacinë në BE dhe jemi para të gjithëve në rajon, theksoi Mickoski
- Me bruto prodhimin vendor (BPV) prej 3,4 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, Maqedonia ndan vendin e tretë me Kroacinë sipas rritjes së arritur ndër vendet evropiane dhe është përpara të gjitha vendeve të rajonit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:44, 4 shtator, 2025
Shkup, 4 shtator 2025 (MIA) - Me bruto prodhimin vendor (BPV) prej 3,4 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, Maqedonia ndan vendin e tretë me Kroacinë sipas rritjes së arritur ndër vendet evropiane dhe është përpara të gjitha vendeve të rajonit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Në pyetjen e gazetarëve, Mickoski sot tha se pritet që rritja e ekonomisë të kalojë mbi katër përqind deri në fund të vitit.
"Enti Shtetëror i Statistikave sot njoftoi se BPV-ja në Maqedoni në tremujorin e dytë është rritur për 3,2 për qind. Kjo do të thotë se për momentin janë publikuar në kuadër të BE-së nga Eurostati të dhënat për rritjen e BPV-së për 28 vende evropiane. Maqedonia ndan vendin e tretë me Kroacinë. Përpara nesh janë Irlanda dhe Qipro, ndërsa të gjitha vendet e tjera në rajonin më të ngushtë dhe të gjerë janë pas Maqedonisë", deklaroi Mickoski gjatë vizitës në komunën e Bërvenicës.
Kryeministri theksoi se me të dhënat për BPV-në në tremujorin e dytë, ekonomia shënon rritje prej mbi tre për qind për katër tremujorë radhazi me Qeverinë aktuale.
Sipas të dhënave për BPV-në që publikoi sot DMSH, në tremujorin e dytë të vitit, rritje më të madhe është vërejtur në sektorët: Ndërtimi me 7,3 për qind; Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; Transporti dhe deponimi; Objektet e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimeve ushqimore me 6,0 për qind; dhe Minierat dhe nxjerrja e gurit; Industria përpunuese; Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim; Furnizimi me ujë; largimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbetjeve dhe aktivitetet për sanimin e mjedisit me 3,9 për qind.
Konsumimi përfundimtarë i amvisërive, përfshirë edhe institucionet jo fitimprurëse që u shërbejnë amvisërive, në tremujorin e dytë të vitit 2025, rritet nominalisht për 6,1 për qind, ndërsa pjesëmarrja e tij në strukturën e bruto prodhimit vendor është 68,5 për qind.
Në të njëjtën periudhë, eksporti i mallrave dhe shërbimeve është rritur në mënyrë nominale për 6,4 për qind, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve shënon rritje në vlerë nominale prej 7,3 për qind. qa/