• e diel, 22 dhjetor 2024

Me ndihmën e Sllovenisë do të realizohen pesë projekte infrastrukturore në pesë komuna të Maqedonisë

Me ndihmën e Sllovenisë do të realizohen pesë projekte infrastrukturore në pesë komuna të Maqedonisë

Shkup, 1 dhjetor 2023 (MIA) - Pesë projekte infrastrukturore në pesë komuna të Maqedonisë do të realizohen me ndihmën e Sllovenisë në vlerë prej 2,1 milionë euro. Këtë e mundëson Memorandumi për bashkëpunim ndërkombëtar për zhvillim për periudhën 2023-2024, i cili u nënshkrua sot nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, në bazë të Marrëveshjes për bshkëpunimi zhvillimor të nënshkruar në vitin 2004. 

Sipas memorandumit, Qeveria e Sllovenisë do të mbështesë ndërtimin e sistemit për pastrimin e ujërave të zeza në zonën e pellgut të Liqenit të Dojranit me 1,3 milionë euro, ndërsa me 225 mijë euro ndërtimin e hidrocentralit B në digën Knezhevë në komunën Kratovë, buxheti i përgjithshëm i së cilës është 450 mijë euro. Me 224 mijë euro do të ndihmojë ndërtimin e sistemit për reduktimin e humbjeve të ujit në komunën e Koçanit, buxheti total i të cilit është 448 mijë euro, me 100 mijë euro do të bashkëfinancojë renovimin energjetik të objektit të kopshtit dhe do të marrë pjesë në ngritja e vetëdijes ekologjike te fëmijët në komunën e Shtipit, ndërsa me 50 mijë euro do të ndihmojë në vendosjen e paneleve diellore në komunën e Kriva Pallankës, projekt me vlerë prej 100 mijë euro.

"Fjala është për projekte që do të sjellin përfitime serioze direkte për qytetarët e këtyre pesë komunave të Maqedonisë, por edhe për mbarë vendin tonë. Përvojat e mira me përgatitjen dhe vlerësimin e projekteve do të transferohen edhe në ciklin e ardhshëm. Tashmë në fillim të vitit 2024 do të fillojmë me koordinimin e projekteve të reja për memorandumin e ardhshëm të mirëkuptimit që do të jetë i vlefshëm për vitin 2025 dhe 2026", tha Mariçiq në konferencën për shtyp në Qeveri pas nënshkrimit të Memorandumit.

Ai theksoi se Republika e Sllovenisë në këtë mënyrë hyn në krye të donatorëve dypalësh të vendit.

"Krahas mbështetjes që marrim nga Sllovenia për projektet e infrastrukturës investive, për ne është shumë e rëndësishme edhe mbështetja teknike në pjesën e procesit të integrimit me Bashkimin Evropian. Për financimin e këtij lloj aktiviteti do të vihen në dispozicion gati 260 mijë euro. Institucionet tona kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Qendrën për Perspektivë Evropiane, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila kontribuon ndjeshëm në transpozimin dhe zbatimin e ligjit të BE-së në kuadër të kapitullit të rëndësishëm 24 – Drejtësia, liria dhe siguria", tha Mariçiq.

 

Ministrja sllovene e Punëve të Jashtme  theksoi se Sllovenia është e pranishme këtu me të gjitha institutet e saj zhvillimore, gjë që, siç tha ajo, tregon qartë se sa përpjekje po bëhet për zhvillimin dhe si partnerë të Maqedonisë së Veriut. Ajo theksoi se dëshiron që vendi të vazhdojë rrugën evropiane dhe theksoi se në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, kur të hapet grupi i parë i negociatave, Sllovenia do të ofrojë ndihmën e saj.

"Maqedonia e Veriut është një nga partnerët më të rëndësishëm të Sllovenisë. Për dhjetëra vite, ne jo vetëm që e ndihmojmë Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në BE, por po e mbështesim edhe me projekte zhvillimore. Sot nënshkruam memorandumin e pestë, tha Fajon dhe shtoi se që nga viti 2010, Sllovenia ka investuar më shumë se 43 milionë euro në vend në projekte për mbrojtjen e mjedisit jetësor. ls/

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR