Mbrojtja e sigurimit pohon se nuk ka ekzistuar plan dhe marrëveshje për sigurimin fizik të diskotekës "Pulls"
- Në seancën e sotme për rastin "Pulls" në Koçan, mbrojtja vlerësoi se akuza kundër të akuzuarve nga sigurimi është e pabazuar, pa dëshmi konkrete dhe e ndërtuar në supozime kaotike. Avokatët theksuan se një pjesë e të akuzuarve kanë pasur detyra të kufizuara dhe nuk kanë mundur të pengojnë hyrje të piroteknikës, ndërsa si shkaqe kyçe për tragjedinë i kanë potencuar lëshimet institucionale dhe mungesën e kontrollit. Në zjarrin që ka ndodhur më 16 mars të këtij viti, jetën e kanë humbur 63 persona, ndërsa mbi 200 janë lënduar.
- Post By Besnik Shuki
- 15:20, 4 dhjetor, 2025
Shkup, 4 dhjetor 2025 (MIA) - Në seancën e sotme për rastin "Pulls" në Koçan, mbrojtja vlerësoi se akuza kundër të akuzuarve nga sigurimi është e pabazuar, pa dëshmi konkrete dhe e ndërtuar në supozime kaotike. Avokatët theksuan se një pjesë e të akuzuarve kanë pasur detyra të kufizuara dhe nuk kanë mundur të pengojnë hyrje të piroteknikës, ndërsa si shkaqe kyçe për tragjedinë i kanë potencuar lëshimet institucionale dhe mungesën e kontrollit. Në zjarrin që ka ndodhur më 16 mars të këtij viti, jetën e kanë humbur 63 persona, ndërsa mbi 200 janë lënduar.
Avokati i Jane Jançeskit, drejtor i agjencisë për sigurim Rubiko, Jovica Strashevski, në fjalimin hyrës tha se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale që i ngarkohet Jançeskit dhe si avokat i tij propozon të lirohet nga akuza për shkak të mungesës së provave.
Në akuzën, sipas Strasheskit, nuk potencohet qartë se çfarë veprime dhe cilat prej atyre veprimeve sipas karakterit të vet paraqesin plotësimin e veprës që i ngarkohet dhe edhe më konkretisht, me cilat veprime dhe kur dhe me kë e ka kryer.
"Dispozitivi i akuzës paraqet akt të shtrembërimit të sajuar, të vetëdijshëm dhe kaotik të së vërtetës në lidhje me të akuzuarin Jançevski me qëllim krijimin e një hutie në opinion. Prokuroria gabimisht ka përcaktuar situatën faktike në lidhje me krimin që i ngarkohet Jançevskit", deklaroi Strasheski.
Ne do të dëshmojmë, tha Strashevski, se Jançevski nuk ishte as autori, as nuk e ka nxitur krimin.
Avokati Dejan Stojçev theksoi se në kushte të mungesës së ndonjë marrëveshjeje me shkrim për siguri fizike private me pronarin e diskotekës ose çfarëdo pagese, ai akuzohet për veprime sikur të kishte marrëveshje me shkrim.
"Ky proces gjyqësor është mundësia e vetme e klientit tim për të provuar pafajësinë e tij", tha Stojçev.
Avokati Zoran Zafirovski, në fjalën e tij hyrëse, theksoi se klienti i tij, rojtari i sigurisë Lazar Zahariev, jo vetëm që është akuzuar, por edhe vetë ka pësuar pasoja të rënda nga ngjarja tragjike.
Zafirovski theksoi se Zahariev më shumë se tre orë kaloi duke nxjerrë fëmijët nga diskoteka, deri në momentin kur më nuk kishte kë të shpëtojë, pas çka përfundoi në spital me shëndet të dëmtuar. Mbrojtja theksoi se i akuzuari ishte përgjegjës vetëm për sigurinë e patrullave dhe mbërriti në objekt dy orë pas paraqitjes së rok bendit DNK, që do të thotë se ai nuk kishte mundësi të shihte se çfarë po futej në diskotekë.
"A janë rojet e sigurisë fajtorë për faktin se nuk ka inspektor për zjarr në territorin e komunës së Koçanit një vit dhe për faktin se kontrolli i piroteknikës nga Ministria e Brendshme ekziston vetëm në letër", tha avokati.
I akuzuari Zahariev, në fjalën e tij hyrëse para gjykatës, deklaroi: "Më vjen keq për ditën fatale që nuk arrita të shpëtoj më shumë jetë".
Avokati mbrojtës i të pandehurit Ivica Grozdanov, Zvonko Davidoviq, në fjalën e tij hyrëse, tha se zjarri në diskotekë "Pulls" është pasojë e qëndrimit të përgjithshëm të shtetit ndaj rendit, ligjit dhe me një fjalë, sistemit.
Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska dhe po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, me praninë e të akuzuarve, të afërmve të viktimave, prokurorisë, mbrojtjes dhe gazetarëve të shumtë.
Në bankën të akuzuarve janë 37 persona - pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë të komunës, roje sigurie dhe nëpunës shtetërorë. bsh/
Фото:МИА архива