• e mërkurë, 11 shtator 2024

Mblidhet trupi koordinues politik i VLEN-it: Nisma për Akademinë shqiptare për shkencë dhe art merr mbështetje të gjerë

Mblidhet trupi koordinues politik i VLEN-it: Nisma për Akademinë shqiptare për shkencë dhe art merr mbështetje të gjerë

Shkup, 1 gusht 2024 (MIA)- Sot në një takim pune u mblodh Trupi koordinues politik i VLEN-it, me ç'rast iu dha mbështetje politike dhe legjitimitet më i madh nismës së re të Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art.

Trupi koordinues politik riafirmoi se kjo iniciativë ambicioze synon të krijojë një qendër të rëndësishme për zhvillimin e kërkimeve shkencore, avancimin e arteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Krijimi i kësaj Akademie është një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së standardeve të arsimit dhe krijimtarisë shkencore në vendin tonë. Duke ofruar një platformë për studiuesit, artistët dhe intelektualët shqiptarë, Akademia do të mundësojë shkëmbimin e njohurive dhe talenteve, duke nxitur një kulturë të re të ekselencës dhe inovacionit.

Anëtarët e trupit koordinues politik u pajtuan se kjo nismë, përkundër reagimeve të ashpra qofshin ato shqiptare ose maqedonase, ka fisnikërinë e saj pasi bëhet fjalë për dije, kulturë dhe qytetari, e jo për të krijuar divergjenca brenda shoqërisë sonë multietnike, e as për të fituar pikë politike.

“Ne kemi mirëkuptim për qëndrimin e partnerëve tanë, pasi çështja e krijimit të Akademisë Shqiptare është e ndjeshme për maqedonasit, por qëllimi ynë si VLEN nuk është t’u shkaktojmë dëm politik partnerëve tanë të koalicionit, por të zbatojmë ato që kemi premtuar para votuesve tanë. Ne nuk do t’i përshtatim përpjekjet tona programore për hir të komoditetit personal në Qeveri”, tha Bashkim Murtezi nga VLEN.

Marrëveshja për formimin e Qeverisë sipas tij është e qartë, për disa çështje që sensibilizojnë lartë njërin opinion, si përfaqësimi i drejtë në institucione për shqiptarët, apo çështja e Akademisë Shqiptare për maqedonasit, të ngrihen iniciativa dhe të përpiqemi të gjejmë zgjidhje të përbashkëta dhe të pranueshme. Kështu funksionon çdo qeveri demokratike e përbërë nga parti me orientime të ndryshme ideologjike e politike.

Krijimi i Akademisë Shqiptare është një reflektim i disa situatave negative në vend, për shkak të të cilave në disa institucione ende nuk ka vend për shqiptarët.

Pas takimit, anëtarët u shprehën të bindur se kjo nismë do të ofrojë mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimtarisë shkencore.

Koalicioni VLEN thekson se kjo nismë do të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që janë të interesuar në përparimin e dijes dhe artit, duke krijuar një ambient të favorshëm për inovacion dhe kreativitet.

Prandaj, mbetemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar që Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art të arrijë qëllimet e saj ambicioze, duke sjellë përfitime të mëdha për shoqërinë tonë.

Në fund, ne e ftojmë të gjithë komunitetin e studiuesve, artistëve dhe intelektualëve që të bashkohen në këtë përpjekje të rëndësishme dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për shkencën dhe artin shqiptar, theksojnë nga VLEN.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR