Mbështetje zvicerane për KSHZ-në në funksion të përmbushjes së standardeve demokratike evropiane
- Kryetari i i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, realizoi një takim pune me ambasadorin e Zvicrës, Kristof Zomer, ku në fokus ishin ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe forcimi i kapacitetit institucional të Komisionit si shtyllë kryesore në përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA) –Kryetari i i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, realizoi një takim pune me ambasadorin e Zvicrës, Kristof Zomer, ku në fokus ishin ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe forcimi i kapacitetit institucional të Komisionit si shtyllë kryesore në përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Siç informojnë nga KSHZ-ja, në takim anëtarët e Komisionit shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme nga Qeveria e Zvicrës, me ç'rast kryetari Mariçiq prezantoi planet kyçe për forcimin e besimit në sistemin zgjedhor, duke theksuar se ky partneritet, i realizuar përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), ka rëndësi vendimtare për reformat, pasi ndihmon drejtpërdrejt në modernizimin e proceseve zgjedhore.

Ambasadori Zomer shprehu kënaqësi për përparimin dhe rezultatet e arritura deri tani, duke theksuar se Zvicra në KSHZ-në sheh një partner proaktiv me kapacitet për udhëheqje në proceset e reformave, dhe konfirmoi se qeveria zvicerane mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes, gjë që është veçanërisht e rëndësishme këtë vit, ndërsa Zvicra kryeson me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe kur ruajtja e standardeve zgjedhore dhe vlerave demokratike është në krye të prioriteteve.
Në drejtim të këtyre përpjekjeve, nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, theksoi se këtë javë pritet publikimi i Raportit të OSBE/ODIHR-it mbi Zgjedhjet Lokale të zhvilluara 2025, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për hapat e ardhshëm të reformave.

Temë e takimit ishin edhe ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor, ku së bashku u konstatua se KSHZ-ja duhet të jetë një pjesëmarrëse aktive në këtë proces, me ç'rast Mariçiçi theksoi se kjo është një mundësi për të hequr paqartësitë ligjore. Anëtarët e Komisionit shpjeguan sfidat me financimin e fushatave mediatike, duke theksuar se vetëm duke përfshirë rekomandimet e tyre të bazuara në përvojë mund të krijohet një ligj i zbatueshëm që garanton një proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik.
Në takimin, në të cilin mori pjesë edhe drejtoresha e IFES-it, Joana Kozma, u theksua se Zvicra për KSHZ-në nuk është vetëm donatore, por një partner me të cilin ndahen të njëjtat qëllime dhe vlera, të cilat do të punohen edhe në të ardhmen me qëllim mbrojtjen e vullnetit demokratik të qytetarëve dhe forcimin e mëtejshëm të besimit publik në të gjithë sistemin. ls/
Foto: Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve