• e martë, 24 dhjetor 2024

MASH: Përgatiten rekomandime për rritjen e sigurisë nëpër shkolla dhe parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve

MASH: Përgatiten rekomandime për rritjen e sigurisë nëpër shkolla dhe parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve

Shkup, 12 maj 2023 (MIA) - Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke përgatitur rekomandime për shkollat për rritjen e sigurisë në objekte, si dhe uljen e dhunës së bashkëmoshatarëve. Baza e procesit janë konkluzionet e dala nga takimet e deritanishme me profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës, nga takimet me përfaqësues të institucioneve të tjera të përfshira si dhe nga vizitat në shkolla ku së bashku me kuadrin mësimor dhe shërbimet profesionale po analizohet gjendja e sigurisë, kumtuan nga MASH.

"Pas finalizimit të rekomandimeve, të njejtat do t'i përcillen Qeverisë dhe do të miratohen në seancën e ardhshme. Ndërkohë, çdo propozim konstruktiv është i mirëpritur dhe mund të jetë pjesë e planit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkolla dhe në ndërtimin e mjedisit ku nxënësit do të fokusohen vetëm në përvetësimin e njohurive dhe aftësive ndërsa dhuna nuk do të jetë temë", ceket në kumtesë.

Njëkohësisht MASH-i vazhdon procesin e konsultimit, me përfshirjen e disa faktorëve shoqëror të cilët mund të ndihmojnë në krijimin e protokolleve gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë në shkolla dhe manualeve për trajtimin në rast të zbulimit të dhunës nga bashkëmoshatarët.

"Gjithashtu aktiv janë e-mail adresat prijavinasilstvo@mon.gov.mk dhe paraqitdhune@mon.gov.mk ku mund të raportohen raste të dhunës në shkolla. Deri më tani janë pranuar rreth 20 porosi disa prej të cilave janë nga ish-profesorë në formën e sugjerimeve se si të parandalohet dhuna në shkolla dhe raportime nga nxënës që kanë pësuar një formë të caktuar dhune, për të cilat është kompetent të veprojë Inspektorati Shtetëror i Arsimit", theksojnë nga MASH-i. ab/

Foto: MIA Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR