• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mariçiq për MIA-n: Ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm për të vazhduar rrugën tonë drejt BE-së

Mariçiq për MIA-n: Ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm për të vazhduar rrugën tonë drejt BE-së

Bruksel, 9 dhjetor 2023 (MIA) - Me përfundimin e suksesshëm të procesit të skriningut, deri në fund të muajit do të duhet të dorëzojmë në BE dokumentet kryesore për hapjen e bisedimeve për grupin e parë, pas çka vetëm ndryshimet kushtetuese do të mbeten kushti i vetëm për vazhdimin e procesit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, tha zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq në intervistën për MIA-n në fund të vizitës së tij të punës në Bruksel, gjatë së cilës mori pjesë në takimet e fundit bilaterale me të cilat u mbyll skriningur i vendit me Komisionin Evropian.

"Ajo që mund të themi është se nga ky proces skriningu tashmë kemi rezultate dhe fryte konkrete. Në fakt, edhe Komisioni Evropian në raportin e tij e vlerësoi këtë proces skriningu si shumë të suksesshëm . Duhet të jetë një model për mënyrën se si duhet të ecim përpara në bisedimet dhe përgjigje në pyetjen nëse kemi aftësinë për të biseduar, gjë që është parashtruar shumë herë. Po, kemi edhe proces skriningu që e tregoi këtë", tha Mariçiqi.

Sipas tij, megjithëse në fillim skriningu u kontestua si i parëndësishëm dhe teknik dhe nuk nënkupton hapjen e bisedimeve, sot shohim se po përfundojmë një fazë fillestare hyrëse të procesit të bisedimeve për anëtarësim.

Ai theksoi se dhjetë ditë më parë, vendi mori ftesë nga presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian për të dorëzuar udhërrëfyes për sundimin e së drejtës, reformat e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike dhe Planit të veprimit për mbrojtjen e anëtarëve të bashkësive pakicë, të cilat do të dërgohen në BE deri në fund të këtij muaji.

"Tashmë javën e ardhshme, të hënën, do të kemi mundësinë në Kuvend në seancë të përbashkët të Këshillit kombëtar për integrim evropian dhe Komisionit për çështje evropiane të shqyrtojmë Draft udhërrëfyesit dhe Draft planin e rritjes dhe kjo do të na mundësojë të përfundojmë brenda pak ditësh konsultimet me shoqërinë civile, bashkësinë akademike, odat ekonomike dhe kështu, në bazë të atyre konsultimeve, do të shtojmë ose heqim diçka nëse është e nevojshme nga këta udhërrëfyes, por deri në fund të këtij muaji do t'i kemi ato dokumente dhe kështu të përfundojmë këtë fazë të parë, këtë pjesë të parë hyrëse të negociatave dhe do të bëjmë gjithçka që duhet bërë pa ndryshime kushtetuese. Pas kësaj, vetëm ndryshimet kushtetuese do të mbeten kushti i vetëm për hapjen e grupit të parë dhe për rinisjen e bisedimeve", tha Mariçiqi.

Zëvendëskryeministri theksoi se nga Samiti i BE-së javën e ardhshme pret sinjale pozitive për njohjen e asaj që kemi bërë me skriningun, mbështetjen për reformat e mëtejshme dhe konfirmimin se perspektiva e anëtarësimit në Bashkim në afat të shkurtër është e mundur dhe realiste, por nuk mund të presim dritën jeshile për të thirrur Konferencën e ardhshme ndërqeveritare dhe për të hapur bisedimet për klasterin e parë kur e dimë se nuk kemi përmbushur një nga kushtet për këtë – miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

"Prandaj duhet të diskutojmë hapur se ku janë problemet tona dhe ku qëndron bllokada. Sot, megjithëse duhet të pranoj konstruktivitetin e udhërrëfyesve dhe pjesëmarrjen e opozitës në diskutimin e udhërrëfyesve të planifikuar për të hënën, kjo ende nuk mund të kompensojë faktin se bllokada aktuale e ndryshimeve kushtetuese dhe bllokada e integrimeve tona evropiane ka emër dhe mbiemër. Ai është VMRO-DPMNE. Kolegët nga VMRO-DPMNE-ja nuk do të mund të lirohen nga kjo përgjegjësi, pavarësisht se sa duan", shprehet Mariçiqi.

Ai përkujtoi se përkundër përpjekjeve të Qeverisë dhe numrit të madh të liderëve botërorë nga vendet mike, të cilët na e mendojnë të mirën, nuk punojnë kundër interesave të Maqedonisë së Veriut dhe kanë qenë gjithmonë në anën tonë, ata na thonë se kjo është e mirë për ne dhe se duhet ta bëjmë atë. Zëvendëskryeministri theksoi se ishte i sigurt se shumica e qytetarëve ishin të bindur se ndryshimet kushtetuese nuk ishin koncesion i tillë, i cili do të shkelte çdo gjë në vendin tonë, por vetëm do të forconte konceptin e demokracisë së suksesshme multietnike dhe do të hapte dyert për të vazhduar bisedimet me BE-në.

"Kjo është arsyeja pse ajo përgjegjësi për bllokimin e vendit të tyre do t'u mbetet deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partisë. Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të ketë mendim të arsyeshëm dhe kjo të bëhet, sepse suksesi do të ndahet dhe pastaj mund të vazhdohet më tej. Përndryshe, jam i sigurt se në zgjedhje do të kemi të njëjtën dilemë dhe kjo do të jetë një nga pikat për të cilat palët do të ndryshojnë seriozisht dhe do të përballemi me zgjedhjen e dy blloqeve, një bllok – fronti evropian, i cili do të punojë dhe punon intensivisht për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, dhe blloku tjetër që do të ofrojë rinegociim, grindje të përsëritura, izolim me fqinjët e tij dhe nga të gjitha zhvillimet në tunelin në të cilin kemi qenë për 11 vjet", konsideron Mariçiqi.

Ai theksoi se Samiti i BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten duhet të miratojë Planin për rritjen e Ballkanit Perëndimor, i cili si ide e ka origjinën nga vendet e rajonit dhe i cili do të na lejojë të ndiejmë disa nga përfitimet e anëtarësimit edhe para anëtarësimit në Bashkim.

"Sigurisht, kjo është e lidhur me reformat serioze në sistemin financiar, mënyrën e menaxhimit të buxhetit, forcimin e transparencës dhe kontrollit mbi shpenzimin e parave, natyrisht reformat në shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin..., të cilat do të lidhen me ndihmën konkrete financiare dhe financimin e projekteve specifike nga Bashkimi Evropian," tha Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i vendit me BE-në.

Ai rikujtoi se në kuadër të Planit për rajonin janë paraparë gjashtë miliardë euro, nga të cilat një pjesë serioze për vendin tonë, nga të cilat mjetet e para pritet të merren në fillim të tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.

"Është një instrument dinamik, i cili duhet të na motivojë disi për të bërë disa gjëra që lidhen me reformat më shpejt, është përgjegjësi si e Qeverisë ashtu edhe e Kuvendit, kështu që të gjitha partitë politike do të duhet të tregojnë pjekuri këtu, dhe kjo është arsyeja pse ne duam dhe insistojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse të shqyrtojmë këtë plan, dhe nga ana tjetër BE të reagojë shpejt dhe të sigurojë mjete që do të mund t'i përdorim dhe financojmë projekte në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm," shtoi Mariçiqi.

Sipas tij, në 20 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë instrument të një shpejtësie dhe intensiteti të tillë si Plani i rritjes, efektet e të cilit do të jenë të dukshme më shpejt, do të rikthejnë besueshmërinë e Bashkimit dhe dinamizmin në procesin tonë të reformave, dhe e gjithë kjo do të jetë e dukshme për qytetarët para anëtarësimit në BE.

"Kjo do të thotë se dera na është hapur edhe para anëtarësimit tonë dhe ne duhet ta vlerësojmë atë, sepse harrojmë se vetëm shtatë vjet më parë raportet e Komisionit Evropian tingëllonin të tmerrshme, duke treguar për një shtet të kapur te ne në Maqedoninë e Veriut. Sot jemi në një situatë ku në vetëm shtatë vjet mund të presim të jemi anëtar i Bashkimit Evropian dhe ky është një ndryshim thelbësor që duhet ta perceptojmë si shansin tonë. Kemi një mundësi reale për shtatë vjet tër jetë aty ku donim dhe ëndërronim të ishim për më shumë dekada", konkludoi zëvendëskryeministrja Mariçiq në intervistën për MIA-n.

Më poshtë vijon video-intervista e plotë me Mariçiqin:

 

Sashko Panajotov

QËNDRONI TË LIDHUR