Lutkov për aktgjykimin për pagat: Ky është vetëm një aktgjykim, në periudhën e ardhshme do të marrim një qëndrim, shpresoj se do të mbajmë një takim me Sindikatën e kulturës
- Ky është vetëm një aktgjykim i marrë, do të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet më tutje. Në periudhën e ardhshme do të marrim një qëndrim, ndërsa shpresoj që do të mbajmë edhe një takim të përbashkët me Sindikatën e kulturës, tha sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:55, 10 tetor, 2025
Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - Ky është vetëm një aktgjykim i marrë, do të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet më tutje. Në periudhën e ardhshme do të marrim një qëndrim, ndërsa shpresoj që do të mbajmë edhe një takim të përbashkët me Sindikatën e kulturës, tha sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas inspektimit të rikonstruksionit të Shtëpisë së Kulturës "11 Tetori" në lagjen Çento të Shkupit, Lutkov informoi se deri tani është takuar disa herë me Sindikatën.
"Ne jemi takuar disa herë që para muajit mars të këtij viti dhe kishim mendime të ndryshme lidhur me përllogaritjet e pagave. Në fund, ministritë e Kulturës dhe të Financave, së bashku me Qeverinë, bënë përllogaritjen e fundit, me të cilën u lëshuan pagat. Do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet. Ne jemi takuar disa herë me Sindikatën e Kulturës dhe me SASHK-un, kemi biseduar dhe kemi hapur çështje jo vetëm për pagat, por kemi tentuar të hapim edhe tema të tjera nga Marrëveshja Kolektive për ta përmirësuar. Por, ende nuk kemi pasur përgjigje për çështjet e tjera, e vetmja gjë që ka rëndësi tani është kjo, në lidhje me pagat. Shpresoj që në periudhën e ardhshme, varësisht si do të zhvillohen ngjarjet, të mbajmë një takim të përbashkët. Kjo është vetëm një aktgjykim i marrë, unë dje menjëherë pas konferencës për shtyp, kërkova ta shoh. Në periudhën në vijim do të marrim një qëndrim lidhur me këtë çështje", theksoi ministri.
Sindikata e kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut pardje informoi se ka marrë aktgjykimin e parë gjyqësor lidhur me paditë e dorëzuara, me të cilin gjykata ka konfirmuar se "të drejtat e punonjësve të kulturës janë shkelur përmes vendimeve të paligjshme për pagat". qa/
Foto/video: MIA