• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lloga do të kërkojë shpjegim në seancën qeveritare të martën për ligjin për amnisti

Lloga do të kërkojë shpjegim në seancën qeveritare  të martën për ligjin për amnisti

Shkup, 3 nëntor 2023 (MIA)  -  Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga sonte deklaroi se ka qenë i befasuar nga vendimi i deputetëve të LSDM-së që të  votojnë kundër Ligjit për amnisti dhe se nuk ka qenë  i informuar pse nuk kanë votuar që ai të hyjë në procedurë kuvendore me procedurë të shkurtuar. Këtë, siç tha, si temë do ta ngrejë në seancën e rregullt të qeverisë të martën.

"Dilema nëse na duhet  ky ligj apo jo,  po shqyrtohet në komisionet amë kur do të diskutohej  për atë nëse do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme apo  është diçka tjetër", tha Lloga në një intervistë në Top Tema në TV Telma. 

Ministri Lloga tha se nuk e di nëse ka pasur rigrupime partiake dhe se kur e ka elaboruar ligjin ka thënë se do të ishte i lumtur  nëse ai kalon në Kuvend. 

"Në Kuvend i shoh edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët ishin kundër ndryshimeve të Kodit Penal, si Milloshoski, që të nesërmen me avokatë do të kërkojnë që t'u vjetërohen veprat. Për çfarë morali e kemi fjalën këtu?! Ndërsa nga ana tjetër, kam partnerë të koalicionit që kanë dy ish-sekretarë të përgjithshëm të cilët janë duke e vuajtur dënimin me paraburgim dhe arrest shtëpiak në hotele, qoftë në Sistinë, qoftë në Qendrën e Klinikave. Kur ke nga njëra anë njerëz të tillë të privilegjuar nga partitë e fuqishme të shtetit, dhe nga ana tjetër ke prova me foto dhe sigurisht materiale të tjera që u janë dorëzuar deputetëve që në mëngjes, nga kushtet në burgje, dhe tani më pyetni për politikë", tha Lloga.

 Sipas ministrit të Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor është gjenerator i të gjitha problemeve në drejtësi dhe urgjentisht ajo përbërje, siç tha ai, duhet të përfundojë në histori dhe anëtarët të mbajnë përgjegjësi. Ai mendon se nevojitet një prokuror i ri publik, për të cilin Kuvendi së shpejti do të publikojë shpallje, një përbërje e re e Këshillit Gjyqësor dhe një sistem i ri AKMIS.

 Lloga bëri të ditur se Kodi i ri Penal javën e ardhshme do t'i dorëzohet ENER-it për komente.

"Besoj se nuk do të ketë problem që të votohet nga 120 deputetë në këtë përbërje. Nuk duhet të kemi asnjë pengesë për të votuar nga kjo përbërje. Do të nevojitet edhe për raportin e KE-së", deklaroi Lloga.

Ai bëri të ditur gjithashtu se javën e ardhshme do të prezantohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me vërejtjet e OSBE/ODIHR, të cilat janë bërë nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë.

Për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Lloga tha se nëse ka ndryshime kushtetuese do të duhet të ketë një cikël, por nëse nuk ka ndryshime kushtetuese, konsideron se do të duhen zgjedhje të dyfishta. Lloga thotë se Aleanca për Shqiptarët me siguri do të shkojë e vetme në zgjedhje. 

 Foto: Telma

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR