Ligjet për reforma në administratë e kaluan fazën e parë në Kuvend
- - Parlamenti sot mbështeti Propozim ligjin për të punësuarit në sektorin publik, Propozim-ligjin për nëpunësit administrativë dhe Propozim ligjin për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë, të gjitha në lexim të parë dhe i kaloi në procedurë të mëtejshme parlamentare. Gjithashtu miratoi Ligjin për mbikëqyrjen inspektuese, i cili shfuqizon Këshillin Inspektues dhe krijon një kolegjium të drejtorëve të inspektorateve shtetërore si një trup pune koordinues ndërdikasteriale.
- Post By Fitore Curri
- 15:37, 27 qershor, 2025
Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) - Parlamenti sot mbështeti Propozim ligjin për të punësuarit në sektorin publik, Propozim-ligjin për nëpunësit administrativë dhe Propozim ligjin për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë, të gjitha në lexim të parë dhe i kaloi në procedurë të mëtejshme parlamentare. Gjithashtu miratoi Ligjin për mbikëqyrjen inspektuese, i cili shfuqizon Këshillin Inspektues dhe krijon një kolegjium të drejtorëve të inspektorateve shtetërore si një trup pune koordinues ndërdikasteriale.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, theksoi se pakoja e ligjeve të reformave për administratën janë në përputhje me Strategjinë për reforma në administratën publike, Planit të veprimit të Ministrisë së Administratës Publike dhe Afatit për agjendën evropiane.
“Këto ligje në periudhën e kaluar ishin në raportet evropiane dhe shpresoj se përfundimisht erdhëm në fund dhe deputetët do t’i miratojnë”, tha Minçev.
Sipas tij, Propozim ligji për të punësuarit në sektorit publik vendos themelet për profesionalizimin e sektorit publik, që, theksoi ai, do të thotë se çdo konkurs do të bëhet publik, institucionet do të jenë të detyruara të jenë plotësisht transparente. Përzgjedhja do të kryhet përmes tri fazave të qarta dhe konfidenciale: kontroll administrativ, testim dhe intervistë me kandidatin bazuar në kritere. Punësimi do të bazohet në meritë, jo në njohje, theksoi Minçev.
Paralajmëroi centralizim dhe digjitalizim të shpalljeve, duke theksuar se çdo konkurs për punësim do të publikohet në ueb-faqen e Agjencisë së Administratës.
“Duke luftuar partishmërinë si një nga themelet kryesore, me kufizime të qarta në kompetencat diskrecionare dhe rregulla të rrepta, po i japim fund hapësirës për punësim partiak dhe informal në sektorin publik. Po futet një kategori e re e specializuar për stafin e TI-së me paga më të larta dhe kushte moderne pune, po thjeshtohen planet e punësimit dhe sistematizimit, lëvizshmëria për nëpunësit publikë, ngritja në detyrë në bazë të shërbimit, depërtimi në punësimin e përkohshëm”, deklaroi Ministri i Administratës Publike.
Në Propozim ligjin për nëpunës administrativë, është paraparë vendosje e sistemit të punësimeve me teste elektronike dhe kontrolle praktike, ndërsa Agjencia e Administratës si pjesë integrale e Ministrisë së Administratës Publike do të garantojë zgjedhje korrekte dhe transparente, zgjedhje digjitale, gjegjësisht proces i cili do të xhirohet, si dhe mbajtje të talenteve të rinj me model hibrid dhe thelbësor të punës së mbështetur me mentorim.
Me ligjin për zhvillim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë, mes tjerash, duhet të mundësohet përmirësim i cili e bën mësimin të jetë i detyrueshëm dhe i vazhdueshëm, ndërsa trajnues do të jenë administratorë me përvojë me shpërblim financiar.
Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska, e cila ishte e vetmja që foli në debatin e përgjithshëm mbi ligjet, tha se Propozim ligji për nëpunësit administrativë është konfuz, i paqartë dhe kontradiktor dhe në shumicën e rasteve nuk i justifikon qëllimet e tij. “Disa situata janë përkeqësuar në lidhje me të drejtat e nëpunësve administrativë dhe ka shumë paqartësi që hapin mundësi për rrezik korrupsioni dhe partishmëri në krahasim me kompetencën dhe një sistem merite”, tha Trençevska.
Më parë, Kuvendi , në kuadër të seancës së 58-të, miratoi ligjet për transformimin digjital nga Agjenda e Reformës: Ligjin për Komunikimet Elektronike, Ligjin për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit, Ligjin për Ndryshimet në Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besimit, Ligjin për Materialin Arkivor dhe Veprimtarinë Arkivore. Me këto ligje, në përputhje me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes së Ballkanit Perëndimor, Maqedonia fiton qasje në më shumë se 19 milionë euro, nga të cilat 5,7 milionë euro janë të destinuara si mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore.
Pasi u shterua rendi i ditës i seancës së 58-të, Kuvendi, në vazhdim të seancës së 55-të, miratoi Ligjin për Mbikëqyrjen e Inspektimit, i cili, sipas Qeverisë, përcakton një model të ri dhe më efikas të koordinimit të punës së inspektimeve të ndryshme, duke krijuar një Kolegjium të Drejtorëve të Inspektorateve Shtetërore si një trup punues koordinues ndërdepartamental i përbërë nga drejtorët e inspektorateve shtetërore. Me heqjen e Këshillit të Inspektimit, punonjësit, ambientet, pajisjet, dokumentacioni dhe mjetet e tjera të punës i kalojnë Ministrisë së Administratës Publike. Qeveria thekson se ligji do të ketë ndikim pozitiv në Buxhet duke ulur shpenzimet e pagave dhe shtesave me përfundimin e mandatit të kryetarit , anëtarëve të Këshillit të Inspektimit dhe sekretarit të përgjithshëm.
Deputetët votuan edhe për ligjet për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Përfitimeve Pronësore dhe Objekteve të Sekuestruara në Procedurat Penale dhe Kundërvajtjeje, Ligjin për Rezervat e Mallrave, Ligjin për Rrugët Publike dhe Ligjin për Energjinë, të gjitha me procedurë të shkurtuar. Ata përfunduan debatin e përgjithshëm mbi ndryshimet e propozuara në Ligjin për Aviacionin, me procedurë të shkurtuar, por ato do të votohen shtesë. Pas votimit të ndryshimeve në Ligjin për Energjinë, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e ndërpreu seancën e 55-të. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s