• e shtunë, 12 tetor 2024

Lideri opozitar i Venezuelës e braktisi vendin dhe kërkoi azil në Spanjë

Lideri opozitar i Venezuelës e braktisi vendin dhe kërkoi azil në Spanjë

Karakas, 8 shtator 2024 (MIA) - Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se kandidati presidencial i opozitës Edmundo Gonzalez është larguar nga vendi dhe ka kërkuar azil në Spanjë. Gonzalez është fshehur që kur është lëshuar urdhër-arrest për të në një kohë kur opozita kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të korrikut - në të cilat Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i kontrolluar nga qeveria shpalli Nikolas Maduron fitues.

Nënpresidentja e Venezuelës, Delsi Rodrigez shkroi në rrjetet sociale se Gonzalez "vullnetarisht" ka kërkuar strehim në ambasadën spanjolle në Karakas dhe i kërkoi qeverisë spanjolle azil politik.

Ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Hose Manuel Albarez deklaroi se Gonzalez u largua nga vendi me kërkesën e tij, me një aeroplan të Forcave ajrore spanjolle.

Ai shtoi se qeveria spanjolle është e përkushtuar ndaj të drejtave politike të të gjithë venezuelianëve.

Avokati i Gonzalez konfirmoi se ai ishte larguar nga vendi për në Spanjë, por nuk dha detaje të tjera.

Teksa po largohej, forcat e sigurisë venezueliane rrethuan ambasadën argjentinase në kryeqytetin Karakas. Aty fshihen gjashtë kundërshtarë politikë të presidentit Maduro. Ministria e Punëve të Jashtme të Venezuelës ka njoftuar se akte të terrorizmit po përgatiten brenda vendit.

Venezuela ka qenë në krizë politike që kur autoritetet e shpallën presidentin Maduro fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut.

Opozita pohon se ka dëshmi që Gonzalez ka fituar me një shumicë dërrmuese dhe ka publikuar rezultatet e detajuara të votimit në internet, duke sugjeruar se Gonzalez e ka mundur Maduron.

Shumë vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe disa vende të Amerikës Latine, refuzuan të njohin Maduro si fitues derisa Karakasi publikoi rezultatet e detajuara të votimit.

Qeveria e Maduros ka arrestuar më shumë se 2.400 njerëz që nga zgjedhjet e deritanishme, duke krijuar atë që OKB-ja e quan një "klimë frike". mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR