• e hënë, 31 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Liderët evropianë nga "koalicioni i të përgatiturve" ranë dakord për sanksione kundër Rusisë, por jo për garanci të sigurisë për Ukrainën

Liderët evropianë nga

Paris, 27 mars 2025 (MIA) - Aleatët evropianë të Ukrainës, në takimin e sotëm në Paris, njëzëri u deklaruan kundër çdo heqjeje të sanksioneve ndaj Rusisë. Në të njëjtën kohë, Franca dhe Britania e Madhe shprehën gatishmërinë e tyre për të vendosur trupa në Ukrainë si "garanci sigurie".

Në këtë drejtim, një mision francezo-britanik do të shkojë "në ditët e ardhshme për në Ukrainë", tha presidenti francez Emanuel Makron. Parisi dhe Londra janë tashmë vendet udhëheqëse në mobilizimin e mbështetjes për vendin, të sulmuar nga Rusia më shumë se tre vjet më parë.

Misioni do të duhet gjithashtu të përgatisë "si do të jetë formati i ushtrisë ukrainase", e cila mbetet "garancia e sigurisë" kryesore e Kievit, shpjegoi Makron pas një takimi ku morën pjesë rreth 30 vende.

Për sa i përket çështjes ekonomike, vendet që mbështesin Ukrainën "vendosën unanimisht" se sanksionet kundër Moskës nuk duhet të hiqen, pavarësisht se Uashingtoni mendon një hap të tillë, siguroi presidenti francez.

"Ekziston një konsensus se tani nuk është koha për të hequr sanksionet," tha në mënyrë kategorike kryeministri britanik Kir Starmer. "Përkundrazi, ne diskutuam se si t'i forconim ato," shtoi ai, duke shprehur kënaqësinë që Evropa po "mobilizohet" për paqen në Ukrainë "në një shkallë të paparë me dekada".

"Ne do të jemi të gatshëm të zbatojmë një marrëveshje paqeje kur forma e saj të jetë e qartë dhe do të punojmë së bashku për të garantuar sigurinë e Ukrainës, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet dhe të parandalojë sulmet në të ardhmen", tha Starmer në një konferencë shtypi në Paris pas takimit me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe liderë të tjerë të të ashtuquajturit koalicion i të përgatiturve. Ata u mblodhën në kryeqytetin francez për të diskutuar se si të forcohet pozita e Kievit përpara bisedimeve të ardhshme të paqes dhe çfarë roli mund të luajë koalicioni nëse arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë.

"Do të ishte një gabim i madh të shfuqizohen," tha kancelari gjerman Olaf Sholv. “Kjo nuk ka kuptim derisa të vendoset realisht paqja, dhe për fat të keq, ne jemi ende larg kësaj”.

Derisa Rusia ka disa javë që po zhvillon bisedime me Uashingtonin, i cili dëshiron me çdo kusht një armëpushim në Ukrainë, pjesëmarrësit në takimin në Paris kanë treguar mosbesim të madh, thekson AFP, transmeton BTA. Ngjashëm me Zelenskin, i cili tha se Rusia nuk dëshiron "asnjë lloj paqeje", por po përpiqet të zvarritë negociatat për të rrëmbyer më shumë territor ukrainas.

"Ukraina pati guximin të pranonte një armëpushim pa kushte. Nuk pati asnjë përgjigje ruse, por vetëm kushte të reja nga Moska dhe sulme të intensifikuara, përmblodhi Makron, duke kritikuar strategjinë e Kremlinit: "Të pretendojë se do të fillojë negociata për të dekurajuar kundërshtarin, ndërkohë që intensifikon sulmet në të njëjtën kohë".

Nën presionin e SHBA-së, Kievi pranoi një armëpushim 30-ditor më 11 mars. Të martën, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Uashingtoni në Arabinë Saudite, u njoftua një marrëveshje me kusht për një armëpushim të pjesshëm në Detin e Zi dhe një moratorium i sulmeve ndaj objekteve energjetike. Moska kërkoi gjithashtu heqjen e kufizimeve në eksportin e produkteve bujqësore ruse - një ide e mbështetur nga Shtëpia e Bardhë.

Qëllimi i takimit në Paris ishte të shprehte qëndrimin e Ukrainës dhe mbështetësve të saj ndërkohë që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, si dhe të "finalizojnë" "garancitë e sigurisë" për Ukrainën në rast të një paqeje eventuale.

Propozimi francezo-britanik për të vendosur kontigjente evropiane në Ukrainë "nuk u dakordua plotësisht", pranoi Makron, por premtoi se në rast paqeje do të kishte "forca garantuese të sigurisë" nga disa vende evropiane, pa dobësuar frontin lindor të NATO-s.

Këto trupa "nuk kanë për qëllim të jenë paqeruajtës, të qëndrojnë në vijën e frontit ose të zëvendësojnë forcat ukrainase, theksoi Makron. Ato do të dërgohen në "disa vende strategjike, të rënë dakord paraprakisht me ukrainasit dhe do të kenë një "karakter parandalues", shpjegoi ai.

Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zaharova akuzoi sot Francën dhe Britaninë e Madhe për përgatitjen e planeve për "ndërhyrje ushtarake në Ukrainë" nën maskën e një misioni paqeruajtës. Ajo paralajmëroi se kjo mund të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s, transmetoi TASS.

Mbledhja e “koalicionit të të përgatiturve”, siç e quajti Makron, zgjati më shumë se tre orë në Pallatin Elize.

Midis liderëve nga vendet e BE-së dhe/ose NATO-s që morën pjesë ishin kryeministrja italiane Xhorxha Meloni, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri bullgar Rosen Zhelazkov dhe nënpresidenti turk Xhevdet Jilmaz. ls/

Foto: EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR