Libani ka njoftuar se Izraeli ka kryer seri sulmesh mbi një lagje të Bejrutit
- Një seri sulmesh izraelite janë kryer sot ndaj paralagjeve jugore në Bejrut, strehimore e lëvizjes Hezbollah, pasi që armata izraelite ka bërë thirrje për evakuim, njoftuan mediat libaneze, pa precizuar nëse ka pasur viktima.
Bejrut, 12 nëntor 2024 (MIA) - Një seri sulmesh izraelite janë kryer sot ndaj paralagjeve jugore në Bejrut, strehimore e lëvizjes Hezbollah, pasi që armata izraelite ka bërë thirrje për evakuim, njoftuan mediat libaneze, pa precizuar nëse ka pasur viktima.
Agjencia libaneze ANI njoftoi se forcat ajrore izraelite kanë kryer dhjetë sulme mbi paralagjet jugore.
"Për sigurinë tuaj dhe të anëtarëve të familjes suaj, duhet t'i evakuoni menjëherë këto ndërtesa dhe ato afër dhe të largoheni prej tyre të paktën 500 metra", deklaroi në arabisht një zëdhënës anonim i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite pak para sulmit.
Që nga fundi i shtatorit, Forcat ajrore izraelite kanë bombarduar rregullisht periferitë jugore të Bejrutit, ku jetojnë rreth 600.000 deri në 800.000 njerëz.
Në mbështetje të Hamasit në Rripin e Gazës, Hezbollahu hapi një front kundër Izraelit më 8 tetor 2023, duke bombarduar çdo ditë territorin izraelit nga Libani jugor.
Më 23 shtator të këtij viti, ato armiqësi u shndërruan në një luftë të hapur me sulme intensive izraelite, gjoja vetëm kundër bastioneve të lëvizjes libaneze, por ende me viktima civile.
Më shumë se 3.240 njerëz janë vrarë në Liban që nga 23 shtatori, shumica prej tyre civilë, kumtoi Ministria libaneze e Shëndetësisë. mb/
Foto: EPA