• e hënë, 16 mars 2026

Lejim i përkohshëm i pirjes së duhanit në tarracat e lokaleve të hapura nga të paktën dy anët, ndalesë për cigare elektronike në hapësira të mbyllura, konfirmoi Aliu

Lejim i përkohshëm i pirjes së duhanit në tarracat e lokaleve të hapura nga të paktën dy anët, ndalesë për cigare elektronike në hapësira të mbyllura, konfirmoi Aliu

Shkup, 24 shkurt 2026 (MIA) - Është pranuar shtyrja e zbatimit të ligjit për pirjen e duhanit në tarraca të hapura nga tre anë me qëllim që pronarëve të lokaleve t'u jepet kohë për ta përshtatur infrastrukturën e tyre me kërkesat e ligjit. Lidhur me cigaret elektronike, ato do të ndalohen për përdorim në hapësira të mbyllura, kurse të ndaluara për shitje do të jenë edhe të gjitha aromat që janë tërheqëse për të rinjtë - paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

"Procesi për vërejtjet për atë ligj tashmë ka përfunduar. Grupet e punës patën konsultime me personat profesional dhe të gjithë "stejkholldera" në vend. Gjithashtu, unë dhe kryeministri patëm disa takime së bashku si me prodhuesit ashtu edhe me konsumatorët, por edhe me kompanitë, restorantet, kafenetë e kështu me radhë. Patjetër, pati vërejtje që ishin logjike dhe mund të pranoheshin. Por pati edhe nga ato që nuk u pranuan. Shtyrja e zbatimit të ligjit për tarracat u pranua - tarraca të hapura në tre anët, të cilat, për fat të keq, tani janë të mbyllura. Ato kanë nevojë për kohë për t'u përshtatur me ligjin për sa i përket infrastrukturës", shpjegoi ministri në lidhje me ligjin e ri për mbrojtjen e popullsisë nga pirja e duhanit.

Shitja e cigareve elektronike me aromë ishte një kërkesë pjesërisht e pranuar.

"Kërkesa që u pranua pjesërisht ishte shitja e cigareve elektronike me aromë. Ka aroma që janë të destinuara drejtpërdrejt për popullsinë e re. Qëllimi i ligjit është mbrojtja e popullsisë me fokus tek të rinjtë. Si vend, ne jemi në krye në Evropë për sa i përket përdorimit të cigareve elektronike jo-tradicionale, të ashtuquajtura më pak të dëmshme ose moderne, dhe të gjitha aromat që janë të buta dhe tërheqëse për të rinjtë do të ndalohen, e sipas analizave të bëra dhe sipas kërkesave, ne do të lejojmë vetëm shitjen e cigareve elektronike me aromë neutrale dhe me aromë duhani", theksoi ministri.

Kërkesa që nuk u pranua ishte që cigaret elektronike të vazhdonin të përdoren në hapësira të mbyllura.

"Kjo nuk u pranua. Ne e vlerësojmë që ato janë po aq të dëmshme sa cigaret tradicionale dhe nuk do të pranohet që ato të përdoren në hapësira të mbyllura", theksoi ministri. ls/

Foto: MIA

Video: Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR