• e diel, 22 dhjetor 2024

Larson Xhain për MIA-n: BE-ja e ka bërë të qartë se sundimi i ligjit duhet të jetë në qendër të agjendës së reformave

Larson Xhain për MIA-n: BE-ja e ka bërë të qartë se sundimi i ligjit duhet të jetë në qendër të agjendës së reformave

Shkup, 9 mars 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian ka thënë qartë se sundimi i ligjit duhet të jetë në qendër të agjendës së reformave. Pa reforma të gjera, vendi thjesht nuk do të jetë i gatshëm të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë, tha në një intervistë për MIA-n ambasadorja suedeze në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Xhain.

“Një arsye e rëndësishme pse ka dinamika për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE janë përpjekjet e vendit në procesin e skriningut. Në këto ditë, kur njëra krizë pason tjetrën, lajmet në Këshill janë të rralla. Nga atje, procesi i shqyrtimit apo skriningut si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë shihet pozitivisht. Procesi do të jetë rigoroz, duhet të plotësohen standardet – por ka dinamika, thotë Larson Xhain për MIA-n.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë të nevojshme që vendi të shkojë në fazën tjetër të anëtarësimit në BE, ajo thotë se ato mbeten një vendim sovran që duhet marrë nga Maqedonia e Veriut.

Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës suedeze të BE-së, ju thatë se reformat janë çelësi për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së dhe se vendi u tregua i përgatitur mirë dhe mjaft profesional në procesin e skriningut. Si e vlerësoni procesin e skriningut deri tani?

Reformat gjithëpërfshirëse janë me të vërtetë kyçe për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE. Reformat i referohen legjislacionit, por edhe zbatimit efektiv të ligjeve. Pa këtë, vendi thjesht nuk do të jetë gati të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë.

Do të jetë një proces transformues dhe do të kërkojë punë dhe vendosmëri, por nga reformat do të përfitojnë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Jo nga dita kur vendi hyn në BE, por nga dita kur zbatohen reformat. Shkalla e ndryshimit nënkupton se ndryshimi duhet të ndodhë përmes një qasjeje të gjithë shoqërisë.

Një arsye e rëndësishme pse ka dinamika për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE janë përpjekjet e vendit në procesin e shqyrtimit apo skriningut. Në këto ditë, kur njëra krizë pason tjetrën, lajmet e mira janë të rrallë në Këshill. Nga atje, procesi i skriningut si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë shihet pozitivisht. Procesi do të jetë rigoroz, duhet të përmbushen standardet – por ka një dinamikë.

Korrupsioni, klientelizmi, shteti ligjor janë kanceri i shoqërisë sonë. Vetëm tetë për qind e qytetarëve kanë besim në gjyqësor. Qytetarët nuk emigrojnë nga vendi vetëm për arsye financiare, por edhe për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Rekomandimet e Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit nuk janë përcjellë në mënyrë sistematike. Çfarë do t'i rekomandoni politikanëve?

“BE-ja ishte shumë e qartë për faktin se prioritet duhet t'i jepet shtetit ligjor dhe se ai duhet të vihet në qendër të agjendës së reformës.

Korrupsioni ka efekte gërryese për shoqërinë. Ai dobëson demokracinë duke minuar besimin tek institucionet. Ai kërcënon funksionimin e ekonomisë dhe deformon konkurrencën. Qytetarët dhe bizneset humbasin – humbet edhe shoqëria në tërësi. Maqedonia e Veriut duhet të përballet me korrupsionin dhe klientelizmin në mënyrë që të përballet me largimin e të rinjve të talentuar nga Maqedonia.

Lufta kundër korrupsionit dhe dimensionet e tjera të shtetit ligjor janë themelet e anëtarësimit në BE. Nuk është rastësi që ato janë fushat ku fillon dhe përfundon procesi i anëtarësimit të vendeve kandidate në BE.

Ne i ndjekim me shumë kujdes zhvillimet në këtë fushë dhe vërejmë edhe ngecje por dhe progres inkurajues. Nuk ka rrugë të shkurtër në rrugën drejt BE-së.

Sado përparim të jetë bërë në reformat dhe zbatimin e tyre, Maqedonia e Veriut nuk do të mund të shkojë në fazën tjetër të anëtarësimit në BE, nëse nuk zbaton ndryshimet kushtetuese, pra nëse nuk i inkorporon bullgarët në Kushtetutë, për të cilën për momentin nuk është siguruar shumica. Nëse ndryshimet kushtetuese nuk përfundojnë paralelisht me skrinikgun bilateral, deri në nëntor të vitit 2023, çfarë nënkupton kjo për vendin?

“Amendamentet kushtetuese mbeten një vendim sovran që duhet të merret nga Maqedonia e Veriut.

Në këtë kontekst, mund të vlen të përmendet se shumë shtete anëtare të BE-së u është dashur të bëjnë kompromis për çështjet dypalëshe për të zgjidhur çështjet që përndryshe do të pengonin bashkëpunimin brenda Unionit. Vetë BE-ja është në fakt një organizatë e ndërtuar mbi negociata dhe kompromise të vështira – por përfitimet janë shumë më të mëdha se sakrificat që duhen bërë gjatë rrugës. Së bashku jemi vërtet më të fortë dhe situata aktuale gjeopolitike e përforcon këtë fakt.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas Kushtetutës, respektohen të drejtat e të gjitha komuniteteve pakicë. Po në vendet e tjera, ku sipas kushtetutës së tyre nuk njihen minoritetet e tjera, si shembulli i Bullgarisë, Francës... Gjykata e të Drejtave të Njeriut mori disa vendime për Bullgarinë në lidhje me pakicën maqedonase, e cila atje nuk respektohet dhe në këtë mënyrë privon të drejtat njerëzore të qytetarëve të Bullgarisë që deklarohen si maqedonas. Më thoni komentin tuaj për këtë.

Të drejtat e njeriut janë pjesë e vlerave themelore mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian. Ne presim që të gjitha vendet që dëshirojnë të bashkohen me ne, si dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, të zbatojnë standardet e të drejtave të njeriut.

Si e vlerësoni situatën aktuale në marrëdhëniet Shkup-Sofje? Jemi dëshmitarë të incidenteve të përditshme, të cilat në mënyrë të pashmangshme ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe në punën e Komisionit të Përbashkët Historiko-Arsimor. Në një intervistë për MIA-n, kryeministri Dimitar Kovaçevski vlerësoi se si në Bullgari ashtu edhe në vendin tonë ka individë dhe grupe, si dhe parti politike që financohen dhe inkurajohen nga pale të treta, përkatësisht nga shtete që nuk duan ta shohin rajonin të integruar në BE. Çfarë do t'u thoni autoriteteve në Shkup dhe në Sofje lidhur me këtë?

“Nuk më takon mua të vlerësoj marrëdhëniet dypalëshe mes këtyre dy vendeve.

Megjithatë, është shqetësuese të dëgjosh mesazhe nga qeveria për ndërhyrje të mundshme nga palë të treta përmes individëve apo grupeve, dhe ka nga ata që kanë dhënë paralajmërime se Ballkani Perëndimor mund të jetë një fokus për forcat që duan të largojnë vëmendjen nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Mendimi im do të ishte se kjo i shton edhe më shumë rëndësi nevojës për të qenë me mendje të kthjellët dhe për të vlerësuar objektivisht zhvillimin e ngjarjeve, për të vazhduar dialogun dypalësh si dhe shkëmbimin e informacionit, të gjitha me qëllim për t'u mbrojtur nga çdo ndërhyrje e mundshme e jashtme.

Sondazhi i fundit i Eurometer nga shkurti i këtij viti tregon një rritje të euroskepticizmit. Vetëm 49 për qind e qytetarëve mendojnë se "në përgjithësi anëtarësimi në BE" do të ishte një gjë e mirë, që është një rënie e besimit në Union nga 20 për qind në krahasim me vjeshtën e vitit 2021. Si e komentoni këtë, a ka dështuar Unioni për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve këtu?

“Është e rëndësishme të pranojmë se ka një ndjenjë zhgënjimi pas pritjes shumë të gjatë që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në procesin e integrimit në BE.

Në të njëjtën kohë, është e qartë jo vetëm se BE-ja është partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut, por edhe se ajo ofron deri tani perspektivat më të mira kur bëhet fjalë për prosperitetin, sigurinë dhe vlerat demokratike. Më vjen mirë që edhe disa sondazhe tregojnë se perceptimi i shumë të anketuarve është se BE-ja është aleati më i madh i këtij vendi.

Mendoj se duhet të kujtojmë gjithashtu se Maqedonia e Veriut sot gëzon shumë përfitime thelbësore nga marrëdhënia e saj me BE-në. Me avancimin e integrimit në BE, kjo do të rritet. Për shembull, maqedonasit në mbarë botën kanë qenë të përfshirë në përpjekjet e BE-së për riatdhesim gjatë pandemisë, gjithashtu Maqedonia e Veriut gëzon të njëjtat të drejta dhe detyrime të programit Erasmus + 2021-2027 si vendet anëtare të BE-së.

Suedia ka gjithashtu një program të madh bashkëpunimi dypalësh për reforma që synon të mbështesë procesin e anëtarësimit në BE. Ky është një reflektim i përkushtimit tonë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhjes së saj strategjike për anëtarësim në BE. Pra, dividentët e lëvizjes drejt BE-së janë tashmë këtu dhe do të vazhdojnë, por ato mund të mos jenë gjithmonë të njohura. Ne në BE ndoshta duhet të jemi autokritikë për faktin se nuk kemi komunikuar në mënyrë efektive bashkëpunimin dhe mbështetjen e gjerë, duke i lënë maqedonasit të ndjejnë se po mbeten prapa, kur nuk është aspak kështu.

Prioriteti i tretë i presidencës suedeze të BE-së është përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër. Duke qenë se burimet e rinovueshme të energjisë janë e ardhmja e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si e vlerësoni progresin e vendit në arritjen e objektivave të Agjendës së Gjelbër?

“Është e qartë se tranzicioni i gjelbër duhet të përshpejtohet, si këtu, ashtu edhe në pjesën tjetër të botës, përfshirë edhe vendin tim. Bëhet fjalë për ndërtimin e ekonomive më elastike, duke pasur parasysh realitetin gjeopolitik.

Sipas Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2022, Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të mirë të përgatitjes në rrjetet trans-evropiane, është mesatarisht e përgatitur për politikën e transportit dhe energjisë dhe ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Progresi duhet të vazhdojë me zbatimin e përshpejtuar të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Pikërisht për këtë arsye nëpërmjet programit të reformës së bashkëpunimit suedez ne kontribuojmë edhe në fusha të tilla si menaxhimi i mbetjeve, ndotja e ajrit dhe ruajtja e natyrës.

Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar bashkërisht për anëtarësim në NATO, por vendi juaj po përballet me një bllokadë nga Turqia, e cila ka njoftuar se mund të mos e ratifikojë protokollin për ju dhe do të mbështesë vetëm anëtarësimin e Finlandës. Cilat janë planet e Stokholmit nëse do të ketë një bllokadë dhe çfarë do të thotë kjo në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë?

“Pushtimi rus i Ukrainës tregon një shpërfillje të plotë të ligjit ndërkombëtar, rendit evropian të sigurisë dhe rregullave më themelore të Kartës së KB-së. Situata e sigurisë në Evropë është më e rënda që nga Lufta e Ftohtë.

Pak më shumë se një vit më parë, Suedia nuk kishte plane për t'u anëtarësuar në NATO. Ndryshimi është rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Bazat e politikës sonë të sigurisë kanë ndryshuar dhe u mor një vendim, me mbështetje të fortë në Parlamentin suedez, për të lënë pas 200 vjet neutralitet ushtarak.

Suedia përmbushi marrëveshjen trepalëshe midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë. Ne kemi respektuar angazhimet për të cilat kemi rënë dakord dhe do të kontribuojmë në mënyrë thelbësore në fuqinë e Aleancës. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e fuqishme dhe të shpejtë të Maqedonisë së Veriut për aplikimin tonë në NATO.

Si i vlerësoni marrëdhëniet dypalëshe mes Suedisë dhe Maqedonisë së Veriut, a ka hapësirë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik?

“Kam kënaqësinë të them se marrëdhëniet dypalëshe mes Suedisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të shkëlqyera, me një gamë të gjerë bashkëpunimi të vlefshëm në shumë fusha të ndryshme. Jemi të lumtur që mund të mbështesim procesin e anëtarësimit në BE përmes një programi të fortë për bashkëpunim reformash, i cili arriti në 6 milionë euro vitin e kaluar dhe po rritet edhe këtë vit. Ne punojmë me Qeverinë, por edhe me një grup të madh të organizatave të shoqërisë civile në fusha të tilla si mjedisi dhe ndryshimet klimatike, barazia gjinore dhe zhvillimi ekonomik.

Ne kemi gjithashtu një numër të madh të kompanive suedeze të përfaqësuara në Maqedoninë e Veriut. Këtë vit ne e vendosëm fokusin në diplomacinë tonë publike në inovacionin, kreativitetin, sipërmarrjen dhe rininë. Kjo do të shërbejë gjithashtu si një platformë për diskutime se si të rritet prania e biznesit suedez në Maqedoninë e Veriut, si dhe për masat për të parandaluar largimin e intelektit apo trurit nga ky vend i mrekullueshëm.

Neda Dimova Prokiq

Foto: Darko Popov

QËNDRONI TË LIDHUR