• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kuvendi do të diskutojë mbi rolin e gruas në përbërjen e 10-të parlamentare në seancën plenare më 8 Mars

Kuvendi do të diskutojë mbi rolin e gruas në përbërjen e 10-të parlamentare në seancën plenare më 8 Mars

Shkup, 6 mars 2024 (MIA) - Këtë vit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, Kuvendi e vazhdon praktikën e mbajtjes së seancës plenare ekskluzivisht kushtuar barazisë gjinore dhe avancimit të të drejtave të grave.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, e caktoi Seancën e 146-të, e dyta me radhë që e trajton këtë temë.

Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, seanca do të mbahet më 8 mars me fillim në ora 11:00 në Sallën “Maqedonia”, ndërsa e vetmja pikë e rendit të ditës është Informacioni për aktivitetet dhe rolin e Klubit të Deputeteve në përmirësimin e gjendjes së barazisë gjinore dhe avancimin e të drejtave të grave, në përbërjen e 10-të parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht në mandatin nga viti 2020 deri në vitin 2024. Seanca për shkak të pranisë së mysafirëve të shumtë, do të ndiqet edhe nga salla “Kupolla e Madhe”.

Në seancën, thonë nga pres shërbimi i Kuvendit, përveç presidentit të shtetit dhe anëtarëve të Qeverisë, si mysafirë në Kuvend janë ftuar bashkëshortja e presidentit të shtetit, kryetaret aktuale të komunave, ish-deputetet, ish-ministret, kori diplomatik i vendit. Ftesa u janë dërguar përfaqësuesve të mediave, si dhe organizatave joqeveritare vendase dhe organizatave ndërkombëtare, aktivitetet e të cilave janë në sferën e avancimit të barazisë gjinore dhe që bashkëpunojnë në vazhdimësi me Klubin e Deputeteve në Kuvend, që nga themelimi i tij në vitin 2003 deri me sot.

"Klubi i Deputeteve është grup joformal në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga të gjitha deputetet, pavarësisht se cilit grup parlamentar i përkasin. Pjesëmarrja e grave në parlament ka ndryshuar gjatë viteve dhe rritja e saj ka qenë prioritet politik vitet e fundit. Shikuar historikisht, në fillimet e parlamentarizmit në vendin tonë, përqindja e deputeteve femra ishte më pak se pesë për qind, përkatësisht e parëndësishme në krahasim me vendet e tjera evropiane. Deklarata që mundëson rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë, e miratuar në vitin 1998, e zhvendosi vendin nga fundi i listës për përfaqësimin e grave në politikë në të gjitha vendet evropiane", thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Prej aty informojnë se këtë vit, kjo përbërje parlamentare e përfundon mandatin me numrin më të madh të grave deri më tani, përkatësisht 51 deputete. Po ashtu, në krye të Shërbimit të Kuvendit, në të cilin për momentin janë të punësuar mbi 160 gra (ose gati dyfish më shumë se burrat), është sekretarja e përgjithshme, Cvetanka Ivanova.

Më 8 mars 2023, për herë të parë në Kuvend u mbajt seanca e rregullt plenare kushtuar ekskluzivisht barazisë gjinore dhe me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Klubit të Deputeteve. Qëllimi është që seancat e rregullta plenare kushtuar barazisë gjinore të bëhen traditë çdo vit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. bsh/

Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR