• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kush do ta pasojë Stoltenbergun në krye të NATO-s: Ja si zgjidhen kandidatët dhe kush është në garë

Kush do ta pasojë Stoltenbergun në krye të NATO-s: Ja si zgjidhen kandidatët dhe kush është në garë

Dojçe Vele - Bon

Jens Stoltenberg largohet. E kush vjen? Spekulimet për një Sekretar të Përgjithshëm të mundshëm të NATO-s po bëhen gjithnjë e më të forta. Do të ishte premierë për aleancën ushtarake. Por, si funksionon përzgjedhja e kandidatëve?

Në tetor do të lirohet posti më i lartë diplomatik në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka qenë në këtë post që nga viti 2014, në muajin shkurt të vitit të kaluar përmes zëdhënëses së tij njoftoi se nuk ka ndërmend të vazhdojë kontratën me NATO-n.

Që nga njoftimi i Stoltenbergut, në selinë e NATO-s në Bruksel filluan spekulimet: kush do të jetë sekretari i përgjithshëm i 14-të i Aleancës? Apo më mirë: sekretare e përgjithshme? Sepse gruaja e parë në këtë pozicion do të ishte e mirëseardhur. Pothuajse gjysma e 30 ambasadorëve të NATO-s i kanë futur në mënyrë diskrete kandidatët e tyre në lojë. Por le të shkojmë me radhë.

Çfarë kërkohet nga sekretari i NATO-s?

Ai ose ajo duhet të mbajë së bashku shtetet anëtare, të balancojë interesat, të promovojë konsensusin midis 30 anëtarëve, pavarësisht nëse kërcënimet ndaj kohezionit politik vijnë nga Trump apo Putin. Nevojiten shkathtësi diplomatike dhe besnikëri ndaj aleancës.

Sekretari i përgjithshëm ose sekretarja e përgjithshme nuk ka autoritet për të marrë vendime politike. Ai ose ajo kryeson vetëm zyrtarisht Këshillin e Atlantikut të Veriut, organin më të lartë vendimmarrës. Kjo vlen edhe për autorizimet ushtarake. Ai ose ajo gjithashtu përfaqëson NATO-n jashtë, para qeverive të tjera dhe mediave.

Personi i ardhshëm në këtë pozicion duhet të ketë postin e kreut të shtetit ose qeverisë në biografinë e tij. Duhet të njeh rrjedhshëm anglishten, mundësisht edhe frëngjishten.

Cilat kritere luajnë rol?

Individi duhet të jetë në marrëdhënie të mira me Uashingtonin. Në fund, çelësi është SHBA, megjithëse sekretari i përgjithshëm është tradicionalisht evropian. SHBA siguron komandantin suprem të forcave të NATO-s (SACEUR), që është posti më i rëndësishëm në aleancën ushtarake.

Të 30 qeveritë duhet të pranojnë një sekretar të ri të përgjithshëm me konsensus. Prandaj janë të rëndësishme interesat rajonale, origjina dhe sfondi politik, si dhe pesha ushtarake dhe rëndësia diplomatike e vendit të origjinës.

Për shembull, në këtë moment do të ishte e paimagjinueshme që dikush nga Turqia të vinte në atë pozicion për shkak të kundërshtimeve që presidenti Rexhep Tajip

Erdogan ka për pranimin e Suedisë. Anasjelltas, është e vështirë të imagjinohet që Turqia të mbështesë dikë nga Finlanda.

Por kur bëhet fjalë për 13 personat e mëparshëm, ekzistonin të gjitha variacionet e mundshme. Jo të gjitha kriteret janë përmbushur gjithmonë. Sekretari i vetëm i Përgjithshëm i NATO-s i Gjermanisë, Manfred Verner (në detyrë nga viti 1988 deri në vitin 1994), nuk ka qenë asnjëherë, për shembull, shef i qeverisë, por vetëm ministër i Mbrojtjes. Kjo vlen edhe për shumicën e ushtruesve të tjerë të posteve. Sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Hastings Ismay i Britanisë, ishte më parë vetëm Sekretar i Shtetit. Por prandaj ka pasur gradën gjeneral.

Si funksionon procesi i përzgjedhjes?

Asgjë nuk është përcaktuar zyrtarisht. Nuk ka asnjë komision zyrtar përzgjedhës. Diplomatët negociojnë në fshehtësi për qeveritë e tyre derisa të arrihet konsensus. Nuk ka votim formal.

Dhe kur përfundon gjithçka, krerët e shteteve apo qeverive nga vendet anëtare të Aleancës paralajmërojnë emrin e ri në samit. Samiti i radhës ku mund të ndodhë kjo është në Vilnus, Lituani, më 11 korrik.

Kush është në lojë?

Për shkak të kërcënimit aktual nga Rusia, një diplomat i NATO-s, i cili nuk dëshiron t'i përmendet emri, mbështet një grua nga vendet baltike. Në shqyrtim janë kryeministrja aktuale e Estonisë, Kaja Kallas apo kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonita.

Një grua nga një prej shteteve të krahut lindor sigurisht që do të merrte mbështetjen e Polonisë, rëndësia ushtarake e së cilës në NATO po rritet. Përmendet edhe Zuzana Çaputova, presidentja e Sllovakisë, vend ky që ka kufi të drejtpërdrejtë me Ukrainën e sulmuar. Nominimi i saj mund të interpretohet si akt solidariteti.

Por, krahu juglindor i NATO-s ka gjithashtu kandidat: Klaus Johanis, president i Rumanisë, një vend me rëndësi strategjike për NATO-n për shkak të pozicionit të saj në Detin e Zi.

Në jug, Italia thuhet se rekomandoi Mario Dragin, ish-kryeministrin - vetëm për të theksuar të drejtën e banorëve jugorë në këtë post.

Thuhet se edhe Britania e Madhe ka ambicie, meqë dëshiron të bëhet sërish më e dukshme në nivel ndërkombëtart pas Bregzitit. Kandidat mund të jetë ish-kryeministrja Tereza Mej – gjë që është e vështirë të imagjinohet për shumë politikanë të BE-së që kanë luftuar me të për vite me radhë për marrëveshjen e Bregzitit.

Gjasa të caktuara ka edhe ministrja kanadeze e Financave Kristia Friland. Ajo është mbesa e emigrantëve ukrainas. Në Kanada, prejardhja e saj ka qenë objekt i debatit të ashpër, pasi mediat propagandistike ruse theksuan lidhjet e supozuara të gjyshit të saj me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund, diplomatët rusë u dëbuan

nga Kanadaja, sepse donin të dëmtonin reputacionin e Kristia Friland. Problemi i saj kryesor është se ajo nuk është evropiane. Është e diskutueshme nëse vendet evropiane të NATO-s do të hiqnin dorë nga funksioni që u takon tradicionalisht. Megjithatë, siç shkruan “Uashington post”, kanadezja gjoja ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Stoltenberg edhe një vit?

Në korridoret e selisë së NATO-s në Bruksel dëgjohet edhe një thashetheme se Jens Stoltenberg do të mund të qëndrojë, meqë në situatën aktuale ushtarake atje nuk duan të merren me çështje kadrovike.

Është e mundur që Stoltenberg të vazhdojë kontratën deri në prill 2024. Më pas NATO do të mbushë 75 vjet, që do të festohet në samitin në Uashington. Kjo mbështetet nga fakti se pozicioni që Stoltenberg dëshironte fillimisht - të ishte kreu i Bankës Qendrore të Norvegjisë - për momentin është gjithsesi i zënë.

Prandaj, kërkimi do të zgjasë pak kohë. Media gjermane theksojnë se emrat që në fillim përmenden shpesh në publik, në fund dalin jashtë loje. Kjo është edhe një rregull tjetër e çuditshme, gjatë përzgjedhjes së kuadrove. Prandaj, befasitë janë të mundshme.

QËNDRONI TË LIDHUR