• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kurti për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë: Opozita të përgatitet, ne gjithmonë jemi të gatshëm

Kurti për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë: Opozita të përgatitet, ne gjithmonë jemi të gatshëm

Prishtinë, 15 maj 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe njëherë shprehu gatishmërinë e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në fjalimin para gazetarëve në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të të panairit ndërkombëtar EKSPOKOS, Kurti porositi opozitën të jetë e gatshme për një proces të tillë, në të kundërtën tha se do ta përfundojë mandatin deri në fund. 

"Opozita duhet të jetë e gatshme. Ne jemi çdoherë të gatshëm, përndryshe, nëse ata janë rehat, na shkon mandati deri në fund", tha Kurti. 

Nga partitë opozitare, deri tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi zgjedhje të parakohshme, ndërsa iu përgjigjën edhe ftesës së Kurtit për takim. Një veprim i tillë i PDK-së u kritikua edhe nga partitë tjera opozitare.

Memli Krasniqi, i cili ishte lideri i vetëm opozitar u përgjigj në ftesën e Kurtit për të biseduar për agjendën legjislative, tha se zgjedhjet janë të nevojshme. 

Krasniqi të hënën tha se PDK-ja është e gatshme të arrijë marrëveshje me të gjitha partitë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit “me nismë të përbashkët”.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për opinionin, të publikuar dje tha se nuk do të jetë pjesë e ndonjë "marrëveshjeje të para-negociuar pas dyerve të mbyllura dhe në darka". 

Dorëheqje ose shkarkimin e kryeministrit Kurti para shpërndarjes së Kuvendit e ka kërkuar edhe partia tjetër opozitare parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Datën për mbajtjen e zgjedhjeve e cakton presidenti i shtetit, pas konsultimit me partitë politike dhe pas shpërndarjes së Kuvendit. 

Që kur Kosova u bë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri nuk e ka kryer deri në fund mandatin e saj katërvjeçar. qa/  

 

 


 
 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR