• e enjte, 04 korrik 2024

Kurti për takimin me Ramën dhe Taravarin: Duhet të jemi pranë njëri tjetrit

Kurti për takimin me Ramën dhe Taravarin: Duhet të jemi pranë njëri tjetrit

Tiranë, 23 janar 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot përmes një njoftimi në Fejsbuk tha se shqiptarët duhet të qëndrojnë krah për krah, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie, duke publikuar fotografi nga takimi i djeshëm me kryeministrin Edi Rama dhe liderin e Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari. 

Kurti, i cili mori pjesë në takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe përfaqësuesve të lartë të administratës së SHBA-së dhe BE-së e cila u mbajt dje në Shkup, për herë të parë pas një periudhe të gjatë ata mund të shiheshin të ulur së bashku në një takim të afërt me Ramën, me të cilin ka marrëdhëne të ftohta. 

"Në Shkup, në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së, bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët. Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje", shkruan Kurti në një postim në rrjetet sociale. 

Kryeministri i Kosovës thekson se “shpesh kemi sfida të ngjashme dhe të përbashkëta”.

"Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie", porositi Kurti. 

Dje për takimin ka reaguar edhe Taravari i cili në rrjetet sociale postoi fotografi nga takimi dhe shkroi shkurt: "Kohë të mira! Drejt Evropës!". qa/ab/

Foto: Fejsbuk i Kurtit

QËNDRONI TË LIDHUR